Ish presidenti i Gjeorgjisë në gjendje kritike në spitalin e burgut

Evropë

Ish presidenti i Gjeorgjisë në gjendje kritike në spitalin e burgut

Më: 21 prill 2023 Në ora: 18:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Ish presidenti gjeorgjian Mikheil Saakashvili, i cili po mbahet në burg në Tbilisi prej më shumë se një viti ndodhet në gjendje kritike shëndetësore dhe sipas familjes situata po përkeqësohet. Polonia, Ukraina dhe vende të tjera evropiane po bëjnë thirrje për lirimin e tij. Siç njofton nga Varshava korrespodentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze përkrahësit e ish presidentit thonë se pas burgosjes së tij qëndron Rusia.

Ish-presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili ndodhet në burg, në vendin e tij, prej më shumë se një viti.

Pasi u kthye nga Ukraina në tetor 2021, ai u arresta nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, akuzë që ai e cilësoi si të motivuar politikisht.

Ndërsa mbahej në qelitë e burgut ai hyri në grevë urie. Vetë ai dhe mbështetësit e tij thonë se ai është helmuar.

Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Familja e tij dhe udhëheqësit evropianë po bëjnë thirrje për lirimin e tij.

Pasi shërbeu për dy mandate si President i Gjeorgjisë, zoti Saakashvili u zhvendos në Ukrainë në vitin 2015. Presidenti i Ukrainës në atë kohë, Petro Poroshenko, e emëroi atë guvernator të rajonit të Odesës dhe i dha atij shtetësinë ukrainase.

Gjatë ceremonisë së emërimit të tij, zoti Poroshenko, duke përdorur pseudonimin e ish-udhëheqësit gjeorgjian theksoi dashurinë e Saakashvilit për Ukrainën.

Myhaylo ishte gati të mbështeste Ukrainën, sepse ai e do Ukrainën po aq sa unë", u shpreh Petro Poroshenko, ish-President i Ukrainës.

Por dy miqtë dhe aleatët patën mosmarrëveshje të ashpra. Autoritetet më vonë i hoqën shtetësinë ukrainase zotit Saakashvili dhe e deportuan atë në Poloni ku ai e cilësonte veten si një kampion të luftës kundër korrupsionit.

"Unë jam politikan ukrainas dhe gjeorgjian. Do të mbetem politikan ukrainas dhe do të luftoj deri në fund kundër korrupsionit dhe oligarkisë së korruptuar në Ukrainë", theksonte Mikhael Saakashvili, ish president i Gjeorgjisë.

Më vonë ai u kthye në Ukrainë, duke kaluar me këmbë kufirin polako-ukrainas, përpara se të vendoste të kthehej në Gjeorgji, ku u burgos. Aleatët e tij politikë akuzojnë qeverinë aktuale të Gjeorgjisë se po e trajton atë në mënyrë çnjerëzore.

“Në të vërtet Saakashvili është në burg për shkak të urdhrit të Putinit. Putini po hakmerret ndaj tij, sepse Saakashvili ishte i pari që e kundërshtoi në 2008. 20 për qind e territorit gjeorgjian është ende i pushtuar”, thotë Ana Tsitlidze, deputete e opozitës në Gjeorgji

Aktualisht, zoti Saakashvili është i shtruar në spitalin e burgut në Gjerogji, në gjendje kritike. Udhëheqësit evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kanë bërë thirrje për lirimin e tij.

"Siç e dini, ata e helmuan dhe tani po e vrasin ngadalë. Këto foto tregojnë gjendjen e ish-presidenti gjeorgjian. Unë dua që media të shohë torturën publike me të cilën po përballen qytetarët ukrainas” , tha zoti Zelenskyy.

Qeveria e Gjerogjisë nuk ka reaguar ndaj thirrjeve për transferimin e zotit Saakashvili.

Polonia ofroi ndihmë dhe sugjeroi që qeveria gjeorgjiane ta transferonte Mishën nga Gjeorgjia në Poloni. Por për fat të keq, ne nuk kemi asnjë përgjigje nga qeveria gjeorgjiane” , thotë zonja Tsitlidze.

Nëna e zotit Saakashvily, e cila lejohet ta vizitojë atë disa herë në javë në qelinë e burgut, ngre alarmin për gjendjen e tij.

Ai po vuan shumë. Tashmë e ka të vështirë të flasë. Gjithçka është e vështirë, gjendja e tij është jashtëzakonisht e dobët. Ai po tretet para syve të mi. Është një makth i tmerrshëm. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që djali im, i cili bëri kaq shumë për vendin, tani do të merrte mbrapsh këtë lloj mosmirënjohje nga vendi i tij”, thotë Giuli Alasania, nëna e ish presidentit Saakashvili .

Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian u bëri thirrje autoriteteve gjeorgjiane ta lironin zotit Saakashvili dhe ta lejonin të merrte trajtimin e duhur mjekësor jashtë vendit. Ata i kërkuan presidentit aktual të Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, që ta falte atë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat