Tetë nxënës dhe një rojë vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

Evropë

Tetë nxënës dhe një rojë vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

Më: 3 maj 2023 Në ora: 10:38 Përditësuar në ora: 15:12 më 03.05.2023
Foto nga vendngjarja

Arrestohet babai i 14 vjeçarit që vrau nëntë persona në shkollën e tij në Beograd

Babai i Kosta K. (14), i dyshuar për vrasjen e nëntë personave, përfshirë një roje, mëngjesin e sotëm në Beograd është arrestuar sot, tha në një konferencë për media ministri i Brendshëm, Bratislav Gashiq.

Gashiq tha se të dyja pistoletat që iu gjetën djalit kishin leje ligjore.

“Prindi pretendon se kishte disa armë dhe i mbante të mbyllura. Ai kishte armë të shumta nga viti 2016 dhe 2017, dhe se kasaforta kishte një kod. Natyrisht, fëmija kishte kodin sapo arriti të kapte ato dy armë, tha Gashiq.

Ai shtoi se sipas informacioneve jozyrtare, djali ka dalë për gjah bashkë me babain, dhe kështu ka mësuar të gjuajë.

Në çdo rast ndaj babait do të merren masa ligjore”, ka përfunduar Gashiq.

Tetë nxënës dhe një rojë vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

Tetë nxënës dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.

Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.Gazetarët e REL-it në vendin e ngjarjes raportojnë se nxënësit janë evakuuar përmes hyrjes dytësore të shkollës.

"Ishte e tmerrshme", ka thënë E.M., 14 vjeçe, pasi u evakuua nga shkolla."Kishim edukatë fizike, dhe unë isha poshtë kur dëgjova të shtëna të vazhdueshme, nuk ishte vetëm një e shtënë", ka treguar E.M., e cila u prit nga nëna e saj jashtë shkollës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

"Të gjitha informatat relevante lidhur me tragjedinë dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ajo, do të bëhen të ditura nga Ministria e Brendshme, ndërsa institucionet kompetente shëndetësore do të njoftojnë për gjendjen e të plagosurve", tha përmes një deklarate Ministria e Arsimit e Serbisë.

Sindikata e Punëtorëve të Arsimit në Serbi tha se "tragjedia në shkollën fillore është dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune".

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

"Në këtë moment të vështirë, mendimet tona janë me të plagosurit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë", thuhet në deklaratën e saj.

Zhelko Komshiq, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, i dërgoi ngushëllime presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në Twitter se "është e tronditur dhe e pikëlluar nga të shtënat" në shkollën "Vlladisllav Ribnikar" në Beograd.

Në Serbi, të shtënat në masë janë shumë të rralla, dhe vendi ka rregulla shumë të rrepta për përdorimin e armëve të zjarrit.

Incidenti i fundit i tillë ka ndodhur më 2013, kur një veteran i luftërave të Ballkanit nga vitet '90 qëlloi për vdekje 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.

-----------

Roja i sigurisë në shkollë fillore në Beograd ka mbetur i vrarë dhe pesë nxënës janë plagosur.

Siç shkruan Tanjug, tre prej nxënësve janë transferuar në Tirshovë, ku njëri prej tyre është në rrezik për jetë, ku i njëjti ka hyrë në sallë të operacionit me lëndime në kokë, ndërsa dy të tjerë janë në terapi intensive.

Të shtënat ndodhën në 08:40 të mëngjesit, ku një nxënës i klasës së shtatë ka hapur zjarr ndaj sigurimit dhe nxënësve.

Policia ka bërë të ditur se i mituri është arrestuar, ndërsa arma që është përdorur dyshohet të jetë e babait të nxënësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat