Vërshime në veri të Italisë, të paktën një i vdekur

Evropë

Vërshime në veri të Italisë, të paktën një i vdekur

Më: 3 maj 2023 Në ora: 12:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Së paku një person ka vdekur nga reshjet e dendura dhe vërshimet në rajonin verior italian, Emilia Romanja, gjatë 24 orëve të fundit, raportuan mediet lokale të mërkurën.

Një burrë i moshuar, i cili ishte duke lëvizur me biçikletë, u mbyt, kur u rrëmbye nga uji i një lumi që kishte vërshuar në qytezën Castel Bolognese, raportoi agjencia “Ansa”, përcjell agjencia “Reuters”.

Një shtëpi u shemb në fshatin Fontanelice. Zjarrfikësit thanë se një person mund të ketë mbetur i ngujuar brenda saj.

Në pamjet e publikuara nga zjarrfikësit shihen vërshime masive në një zonë mes Bolonjës dhe qytetit Ravenna, në bregdetin e Detit Adriatik.

Zjarrfikësit thanë se kanë kryer rreth 400 operacione shpëtimi, duke evakuuar dhjetëra njerëz.

Kompania e trenave, “Trenitalia”, tha se disa shërbime janë pezulluar për shkak të motit, ndërsa disa rrugë janë mbyllur.

Reshjet e dendura erdhën pas disa muajve thatësi, e cila shkaktoi shqetësim për nivelin e ulët të ujit në lumin “Po”, më i madhi në Itali, i cili rrjedh nëpër pjesën veriore të rajonit Emilia Romanja.

Drejtori i agjencisë italiane për mbrojtje civile tha se është duke udhëtuar drejt zonës së prekur nga vërshimet, ndërsa ministri i Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, premtoi ndihmë për njerëzit e prekur.

“Qeveria qëndron pranë njerëzve në vështirësi. Sot për urgjencën, e cila duhet të mbështetet me burime të duhura ekonomike, por nga tash e tutje për t’i përshpejtuar masat që nevojshme për sigurinë”- shkroi ai në rrjetin “Facebook”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat