Zelensky viziton Finlandën për takime me udhëheqësit nordikë

Evropë

Zelensky viziton Finlandën për takime me udhëheqësit nordikë

Më: 3 maj 2023 Në ora: 13:35
Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto (djathtas), pret homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Helsinki, më 3 maj 2023.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Finlandë, të mërkurën, për të marrë pjesë një samit të udhëheqësve të pesë vendeve nordike, ka njoftuar presidenca finlandeze.

Zelensky është takuar në Helsinki me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, vendi i të cilit u bë anëtari më i ri i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), në prill, për të diskutuar “luftën e Ukrainës për mbrojtje”, raporton AFP.

Udhëheqësi ukrainas do të zhvillojë, po ashtu, bisedime bilaterale me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, me Jonas Gahr Storen e Norvegjisë, me Mette Fredriksenin e Danimarkës dhe me Katrin Jakobsdottirin e Islandës.

“Për të hyrë në NATO dhe për të mbështetur aleancat, për të siguruar mbështetje, duhet të bëhet punë thelbësore diplomatike. Ukraina po e bën atë sot”, ka shkruar këshilltarja për komunikime e presidencës ukrainase, Daria Zarivna, në Telegram.

Të gjitha vendet nordike janë zotuar se do t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje, si financiare, ashtu edhe ushtarake, pas pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit 2022.

Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia i janë bashkuar, po ashtu, përpjekjes ndërkombëtare për të furnizuar Ukrainën me armë të rënda, duke i dhuruar disa prej tankeve të tyre Leopard 2, apo duke ofruar mbështetje financiare për blerjen e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat