Vuçiq tregon arsyet që mund ta kenë dërguar adoleshentin të vriste nëntë persona në një shkollë

Evropë

Vuçiq tregon arsyet që mund ta kenë dërguar adoleshentin të vriste nëntë persona në një shkollë

Më: 3 maj 2023 Në ora: 19:30
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu drejtua publikut pas masakrës së tmerrshme në Vraçar.

Siç tha ai, adoleshenti që dyshohet se ka vrarë tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” do të vendoset në një klinikë psikiatrike, babai si pronar i armës është arrestuar dhe në mbajtje është marrë edhe nëna e tij.

“Duhej të shikonim modelet, të shikonim përgjegjësinë e secilit prej nesh dhe të kërkonim një zgjidhje që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur të jetë, të mos ndodhë më kurrë, por jetojmë në një botë të tillë që është e mundur. Nuk nxitova, askush nuk nxitojë me deklarata, ne donim të shikonim ku dështoi sistemi. Ku qëndron përgjegjësia e secilit prej nesh sepse nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre”, tha i pari i shtetit serb.

Presidenti i Serbisë tha se djali (K.K.) do të vendoset në një pjesë të veçantë të Klinikës për Neuropsikiatri dhe se do të vlerësohet përgjegjësia e të gjithëve, raporton nova.

“Babai i tij u arrestua si pronar i armës, të cilën padyshim e mbante dhe e ruante në mënyrë të paligjshme, edhe pse kishte të gjitha lejet e nevojshme. Është ndaluar edhe nëna”, tha Vuçiq, duke shtuar se “është i detyruar të flasë për shkaqet dhe përgjegjësinë reale pasi në rrjetet sociale po përhapen të pavërteta të shumta”.

Vuçiq tha se djali e ka pranuar se gjithçka e kishte planifikuar, “ai e shpjegoi në një mënyrë të çuditshme, të cilën nuk mund t’ia shpjegosh askujt që ka humbur fëmijët. Disa flasin për dhunën e bashkëmoshatarëve dhe se ai kërcënoi më herët me bomba. Ju lutemi njerëzit mos shpifni se ai kërcënoi me bomba. Ai mendoi të hidhte bomba molotov për të mos lejuar të tjerët të hynin deri sa të mbaronte punën monstruoze. Megjithatë, ai u frikësua dhe për këtë arsye hoqi dorë nga kokteji molotov”, tha ai.

“Ai ishte nxënësi më i mirë dhe të gjithë e shmangnin. Kërkoi një transferim ku kishte tre shokë dhe ia doli mirë. Prindërit i kërkonin vetëm rezultate të mira në shkollë. Dhe rezultate disi më të dobëta kishte vetëm kur ishte i dashuruar. Ai nuk ia doli mbanë as në klasën e re dhe vendosi të bënte një akt monstruoz”, tha ai, duke shtuar se nxënësi “ka qenë tre herë me të atin në poligonin e qitjes”, shtoi Vuçiq.

“U gjetën 57 gëzhoja dhe gjashtë fishekë. Katër korniza me nga 18 plumba”, tha presidenti i Serbisë dhe shtoi se babai i sulmuesit është anëtar nderi i poligonit të qitjes.

Ai propozoi të vendoset një moratorium për mbajtjen e armëve gjatë dy viteve të ardhshme, përveç armëve të gjuetisë. Më pas, të kontrollohet funksionimi i të gjitha poligoneve të qitjes, të kontrollohen të gjitha lejet e dhëna dhe të kontrollohet mënyra se si personat i mbajnë armët e tyre.

“Propozimi im është që kufiri i përgjegjësisë penale të ulet nga 14 në 12 vjet”, tha Vuçiq dhe shtoi se ekziston mundësia që K. K. ta dijë se nuk mund të jetë përgjegjës penalisht dhe juridikisht.

Kujtojmë se më herët sot në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar në orën 08:40, nxënësi i klasës së shtatë K.K. (13) ka vrarë tetë nxënës dhe një pjesëtar të rojeve, ndërsa janë plagosur gjashtë fëmijë dhe një mësues.

]Sulmuesi ka qëlluar nga arma e të atit dhe policia e ka arrestuar në oborrin e shkollës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat