VOA/ Serbi, autori i sulmit në shkollën fillore të Beogradit e thirri vetë policinë

Evropë

VOA/ Serbi, autori i sulmit në shkollën fillore të Beogradit e thirri vetë policinë

Më: 3 maj 2023 Në ora: 21:07
Serbi

Policia në Serbi ka dhënë detaje në lidhje me sulmin me armë zjarri në një shkollë në kryeqytetin e vendit, ku humbën jetën 8 nxënës dhe një roje i shkollës. Sipas policisë autori i sulmit, një 13 vjeçar, kishte krijuar skica të klasave si dhe kishte një listë të personave që synonte të vriste.

Autori i sulmit, Kosta Kecmanovic, fillimisht vrau një roje në shkollën në qendër të Beogradit dhe më pas tre nxënës në një korridor, sipas zyrtarit të lartë të policisë Veselin Milic.

“Më pas ai hyri në një klasë, me sa duket e zgjodhi thjesht sepse ishte afër hyrjes dhe hapi zjarr përsëri”, tha zoti Milic.

“Sot është një nga ditët më të vështira në historinë moderne të Serbisë”, tha presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili iu drejtua kombit, duke qarë herë pas here. Për fat të keq, Serbia është e bashkuar në pikëllim.

Zoti Vuçiç tha se vrasësi u dërgua në një repart special të një klinike psikiatrike dhe se policia ndaloi edhe nënën e adoleshentit. Ai nuk dha detaje të tjera.

Djali 13-vjeçar njoftoi vetë policinë kur përfundoi sulmin, megjithëse autoritetet ishin njoftuar për të shtënat. Shumica e nxënësve ishin në gjendje të largoheshin nga një derë e pasme, sipas një zyrtari lokal. Përveç nëntë viktimave, gjashtë fëmijë dhe një mësuese u shtruan gjithashtu në spital.

Sipas dëshmisë së një nxënësi të kësaj shkolle dhënë për mediat lokale, ai e përshkruan 13-vjeçarin si një “djalë të qetë” dhe që kishte nota të mira.

Policia tha se Kecmanoviç përdori pistoletën e babait të tij, e cila ishte me leje. Sipas hetimeve i ati i 13-vjeçarit e mbante armën në një kasafortë, por me sa duket djali e dinte kodin. Policia serbe po ashtu njoftoi se ka arrestuar edhe babain e 13-vjeçarit.

Për shkak se ai është nën 14 vjeç, Kecmanoviç nuk mund të përballet me akuza penale, tha zyra e prokurorit të Beogradit. Shërbimet sociale do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë me të.

Ai mbante dy armë që i përkisnin babait të tij, të paktën një pistoletë dhe katër paisje plasëse molotov, thanë zyrtarët.

Ministri i Brendshëm Bratislav Gasic tha se armët ishin të liçencuara dhe të mbajtura në një kasafortë, por adoleshenti, i cili ka vizituar poligonet e qitjes, me sa duket e dinte kodin. Babai gjithashtu u arrestua, por ende nuk është akuzuar.

Nuk është e qartë se sa fishekë u qëlluan, por policia serbe tha se vrasësi e mbushi përsëri pistoletën.

Ljiljana Radicevic tha se mbesa e saj, Ana u vra gjatë këtij sulmi. Zonja Radicevic tha se vajza ishte afër hyrjes së shkollës kur sulmuesi qëlloi rojen e shkollës, “dhe më pas ai qëlloi në Anën time. Sapo ajo nuk u përgjigj, e dija se kishte mbaruar.”

Ajo nuk dha emrin e plotë të Anës apo moshën.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të shtënat masive në Serbi dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit janë jashtëzakonisht të rralla. Asnjë rast i tillë nuk është raportuar në shkolla vitet e fundit.

Sulmi i fundit me armë zjarri ka ndodhur në vitin 2013 kur një veteran i luftrave në Ballkan vrau 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.

Ballkani Perëndimor është i mbushur me qindra mijëra armë të paligjshme pas luftërave dhe trazirave të viteve të 90-ta.

Autoritetet serbe kanë shpallur disa herë amnisti për ata që dorëzojnë ose regjistrojnë armët e paligjshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat