Një nxënëse franceze në mesin e viktimave në shkollën në Beograd

Evropë

Një nxënëse franceze në mesin e viktimave në shkollën në Beograd

Më: 3 maj 2023 Në ora: 23:40
Beograd

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës njoftoi sot se në mesin e viktimave të sulmit në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd është edhe një nxënës i nacionalitetit francez.

“Me pikëllim mësuam për sulmin e armatosur që ndodhi në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd, mëngjesin e 3 majit, i cili shkaktoi një numër të madh viktimash në mesin e nxënësve dhe mësuesve, përfshirë një nxënës të nacionalitetit francez”, thuhet në njoftimin në ueb-faqen e ministrisë.

Tetë fëmijë dhe një roje u vranë mëngjesin e sotëm në një sulm të armatosur nga një nxënës trembëdhjetë vjeçar në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit. Gjashtë nxënës dhe një mësues u plagosën ndërsa sulmuesi u arrestua.

“Shërbimet tona dhe ambasada jonë në Beograd janë mobilizuar për të ofruar të gjithë mbështetjen e tyre për familjen e bashkatdhetarit tonë të ri. Mendojmë edhe për familjet e viktimave, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella, si dhe për shumë të lënduar, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në deklaratë.

Franca shpreh solidaritetin e plotë me popullin dhe autoritetet serbe, deklaroi diplomacia franceze.

Në faqen e ambasadës franceze në Serbi është publikuar një deklaratë e shkurtër e ministrisë serbe, ku nuk thuhet se në mesin e viktimave është edhe një vajzë franceze.

Gazeta franceze 20 minutes raportoi gjithashtu se mes viktimave ishte edhe një nxënëse franceze.

Gazeta ka raportuar deklaratat e zyrtarëve serbë ndërsa ka shtuar se ky lloj sulmi është jashtëzakonisht i rrallë në vendet e Ballkanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat