Qytetarët mbulojnë muralin e Mlladiqit me zemër

Evropë

Qytetarët mbulojnë muralin e Mlladiqit me zemër

Më: 8 maj 2023 Në ora: 13:52
Murali i mbuluar i Mlladiqit në Beogard.

Një zemër e madhe e kuqe u vizatua në muralin e të dënuarit për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, në rrugën Njegosheva në Beograd, paraditen e së hënës.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, qytetarët tentuan ta heqin muralin me furça çeliku, por aksioni përfundoi duke vizatuar një zemër që e mbulon fytyrën e Mlladiqit.

Në mesin e qytetarëve raportohet të ketë qenë edhe deputeti i partisë serbe “Zajedno”, Gjorgje Miketiq.

Muralin kushtuar ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë ndërkombëtare, e pikturuan autorë të panjohur në korrik të vitit 2021, në fasadën e një ndërtese banimi në qendër të Beogradit.

Kjo ndodhi një muaj pasi gjykata në Hagë e konfirmoi dënimin e Mlladiqit me burgim të përjetshëm.

Deri më tash, qytetarët kanë hedhur disa herë ngjyrë mbi të.

Komuna e Beogradit, Vraçar, në territorin e së cilës ndodhet ndërtesa me muralin e Mlladiqit, ka njoftuar më 9 dhjetor se, në përputhje me rregulloret, e ka hequr muralin me kërkesë të banorëve të ndërtesës.

Megjithatë, murali është kthyer në gjendjen e tij origjinale në më pak se gjysmë ore.

Dyshohet se autorët e muralit u përkasin grupeve të djathta në Serbi.

Mlladiq është dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat