Mesazhi i Erdoganit: Opozita merr urdhra nga terroristët

Evropë

Mesazhi i Erdoganit: Opozita merr urdhra nga terroristët

Më: 13 maj 2023 Në ora: 20:22
Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka mbyllur sot fushatën elektorale me tri mitingje në Stamboll, ku edhe një herë ka paraqitur një sërë kritikash ndaj opozitës dhe kandidatit të saj, Kemal Kilicdaroglu.

Erdogan ka zhvilluar takime në vendbanimet Umraniye, Sancaktepe dhe Beyoglu dhe gjatë bisedës me qytetarët ka thënë se kandidati i opozitës merr urdhra nga terroristët.

“Kemal merr urdhra nga terroristët. Ne marrim urdhra nga Allahu dhe kombi ynë. Ky është ndryshimi midis nesh”, tha ai dhe theksoi se opozita po kërkon mbështetje nga partia kurde HDP, e cila është e lidhur me lëvizjen PKK-në, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe disa shtete evropiane.


Gjithashtu, Erdogan iu referua pretendimit të opozitës se Rusia qëndron pas publikimit të materialit të rremë për aktivitetet e Kemal Kilicdaroglu.

“Çfarë tha zëdhënësi i Kremlinit? Dmitris Peskov tha: ‘Kilicdaroglu gënjen, ai duhet të shpjegojë, ai duhet të provojë’. A ka ndonjë provë? Jo. Çfarë lloj politike është kjo? Populli im nuk do ta dorëzojë këtë vend tek ju. Kemali gjithashtu thotë se ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Çfarë është ky mendim? Çfarë është ky mirëkuptim? Kemi 5.5 milionë turistë që vijnë nga Rusia. Çfarë do të bëni për këtë?”, pyeti presidenti aktual.

Përveç betejës për postin e presidentit, nesër turqit do të vendosin edhe për përfaqësuesit e ri në parlament ku do të zgjidhen 600 deputetë.

Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 16:00. Sipas mediave turke, rezultatet e para preliminare duhet të publikohen në orën 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat