Ndërron jetë ish-ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos

Evropë

Ndërron jetë ish-ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos

Më: 31 maj 2023 Në ora: 15:30
Theodhoros Pangalos

Politikani i njohur grek dhe një prej themeluesve të Pasok-ut, Theodoros Pangalos, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij.

I lindur në Elefsinë më 17 gusht 1938, biri i gjeneralit të Forcave Ajrore Georgios Pagalos, i cili shërbeu si Zëvendës Shefi i Forcave Ajrore, ai ishte dhe nipi i gjeneralit dhe diktatorit me emër Theodoros D. Pagalos.

Studioi drejtësi dhe financë në Universitetin e Athinës dhe me bursë nga qeveria franceze, në vitin 1973 u doktorua në Shkencat Ekonomike në Universitetin e Parisit 1 (Panthéon-Sorbonne).

Që në moshë të re, Pangalos u përfshi në lëvizjet studentore dhe më pas ka marrë pjesë në luftën kundër diktaturës dhe në vitin 1968 regjimi diktatorial i hoqi edhe shtetësinë greke, të cilën e rifitoi pas rënies së juntës ushtarake në vitin 1974.

Ai ishte gjithashtu anëtar themelues i Lëvizjes Rinore Demokratike “Grigoris Lambrakis”, si dhe i organizatës së majtë “Rezistenca Demokratike Studentore”,ndërsa ishte aktiv edhe në Partinë Komuniste Greke. Për herë të parë u zgjodh deputet i Atikës në vitin 1981 me PASOK-un dhe që atëherë u zgjodh në të gjitha garat elektorale në të cilat kandidoi.

Ka qenë zëvendësministër i Tregtisë (1982), zëvendësministër i Jashtëm për Çështjet e Komunitetit Evropian (1984), zëvendësministër i Jashtëm (1985-1989), përfaqësues i Parlamentit Grek në Këshillin e Evropës (1989-1993) , ministër i Transportit dhe Komunikimit

(1994) , ministër i Jashtëm (1996-1999), ministër i Kulturës (2000). Pas këtij viti ka pasur poste të larta si përfaqësues i Greqisë në PE dhe KE apo edhe si përfaqësues i PASOK-ut në procedurat për rishikimin e Kushtetutës.

Më 6 tetor 2009 u betua si zëvendëskryeministër deri në maj 2012, kur u tërhoq nga aktiviteti politik.Ai është autor i shumë artikujve dhe librave të ndryshëm për globalizmin, politikën e Jashtme, të Majtën ,çështjeve europiane etj.

Theodhoros Pangalos ishte gjithashtu njohës i gjuhës dhe kulturës arvanitase duke deklaruar hapur prejardhjen e tij prej arvanitasve të Atikës, ndërsa ka qenë shpeshherë objekt i reagimeve të ndryshme pas komenteve të tij negative për turqit, çështjes së udhëheqësit kurd Oçalan apo lëvizjes së të indinjuarve në vitet e krizës ekonomike greke pas vitit 2010.

Mbahet mend nga të gjithë edhe pas shumë vitesh komenti i tij në një studio televizive për falimentimin e Greqisë ,kur deklaroi «Të gjithë bashkë , politikanë e qytetarë i hëngrëm lekët e vendit».

Ai ishte i martuar me Christina Christofakis dhe baba i pesë fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat