Gjeorgjia, mban një linjë të kujdesshme mes ëndrrës europiane dhe Rusisë

Evropë

Gjeorgjia, mban një linjë të kujdesshme mes ëndrrës europiane dhe Rusisë

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Në mesin e sulmeve të reja ndaj Kievit dhe ndërsa Ukraina përgatitet për një kundërofensivë ndaj Rusisë, një tjetër ish republikë sovjetike po ndjek me vëmendje situatën.

Në vitin 2008, Gjeorgjia zhvilloi një luftë një javore ndaj Moskës dhe separatistëve pro-rusë ku humbi rajonin separatist të Osetisës së Jugut dhe rajonin tjetër të Abkhazisë. Tani, ndërsa popullsia gjeorgjiane është kthyer me vendosmëri nga Perëndimi, disa akuzojnë qeverinë se po mban anën e Moskës, duke rrezikuar shpresat e Gjeorgjisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga kryeqyteti Tbilisi dhe nga një zonë afër kufirit të Osetisë së Jugut.

Në rajonet qendër-veriore të Gjeorgjisë, Rusia nuk është asnjëherë shumë larg. Mes për mes fshatit Khurvaleti janë vendosur barriera, që ndajnë Osetinë e Jugut nga pjesa tjetër e vendit.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë përgjatë asaj që quhet "Vija Kufitare Administrative".

“Ndodhemi në këtë zonë sepse është një pikë shumë e mirë për të parë se në të vërtetë, për shumë njerëz, lufta nuk ka mbaruar”, thotë Klaas Maes nga misioni vëzhgues i Bashkimit Europian në Gjeorgji.

E sigurt është se lufta nuk ka mbaruar në vendbanimet në fshatin Tserovani, ku strehohen mijëra njerëz të cilët u zhvendosën aty për shkak të konfliktit në Osetinë e Jugut, 15 vjet më parë.

Sot, jetesa duket thuajse normale.

Por shumë besojnë se ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të përcaktojë shanset që Gjoergjia të rimarrë territoret e saj dhe ata që kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nëse Ukraina fiton, do të kemi më shumë shanse. Nëse jo, atëherë s’do të kemi asnjë mundësi”, thotë Nan Chkareuli, Drejtor i qendrës rajonale Mtskheta-Mtianeti

Në kryeqytetin Tbilisi dhe më gjerë, shumë gjeorgjianë po mbështesin Ukrainën. Po ashtu, po shprehin mbështetje edhe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Në ish republikën sovjetike, vendlindja e ish diktatorit sovjetik Joseph Stalin, ka gjithashtu ndjenja të forta për Rusinë, mes tyre, mijëra rusë që kanë shkuar në Gjeorgji për arsye biznesi apo politike, që kur Moska nisi sulmin ndaj Ukrainës.

“Rusët që ndodhen këtu duhet të kthehen në shtëpitë e tyre", thotë Galbe,banore e Tbilisit .

Kritikët thonë se partia në pushtet, "Ëndrrra Gjeorgjiane"nuk mishëron prirjen pro-Perëndimore të vendit.

Rifillimi i fluturimeve nga Moska drejt Tbilisit në maj, duke shënuar afrim të marrëdhënieve mes dy vendeve, u shoqërua me protesta.

Po ashtu në fillim të këtij viti u organizuan protesta masive ndaj projektligjit të ashtuquajtuar “agjentët e huaj” që kishte në qendër grupet e shoqërisë civile që përfitonin fonde të huaja.

Qeveria e tërhoqi projekt-ligjin, por kritikët thanë se me këtë veprim po synohej afrimi i Gjeorgjsë me Rusinë.

“Praktikisht, prej një kohe të gjatë, gjithë popullsia gjeorgjiane, ose shumica e saj, është shprehur në mbështetje të së ardhmes evropiane të vendit, por edhe anëtarësimit në NATO. Sigurisht, qeveria aktluale po shkon kundër kësaj mbështetjeje”, thotë Irakli Porchkhidze nga Instituti Gjeorgjian për Studime Strategjike

Ligjvënësit e partisë në pushtet, Ëndrrra Gjeorgjiane, thonë se i janë përkushtuar demokracisë dhe Europës, por duhet të ndjekin një linjë pragmatiste duke marrë parasysh fqinjin e fuqishëm rus.

Tani për tani, partia në pushtet duket se ka një mbështetje popullore më të madhe se sa opozita.

Ndërkohe pritet të shënohen dy ngjarje të rëndësishme. Bashkimi Europian do të shqyrtojë aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim, pasi i rekomandoi ndërrmarrjen dhe zbatimin e një sërë reformash. Po ashtu pritet edhe mbajtja e zgjedhjeve të 2024.

Të dyja këto ngjarje mund të përcaktojnë fatin e vendit për muajt dhe vitet në vazhdim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat