Putin konfirmon dislokimin e armëve bërthamore në Bjellorusi

Evropë

Putin konfirmon dislokimin e armëve bërthamore në Bjellorusi

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 10:44
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit të Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg.

Rusia veçse ka stacionuar grupin e parë të armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, tha presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin tha gjatë një forumi se këto armë do të përdoren vetëm nëse shteti apo territori rus kërcënohen.

Qeveria amerikane tha se nuk ka indikacione se Kremlini po planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.

“Ne nuk shohim indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas deklaratës së Putinit.

Putin tha se transferimi i kokave taktike bërthamore do të përfundojë në fund të verës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve pas fjalimit në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg, Putin tha se ky vendim synon të paralajmërojë të gjithë “që mendojnë të na shkaktojnë humbje strategjike”.

Kur u pyet për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, Putin u përgjigj: “Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Unë veçse kam thënë se përdorimi i masave ekstreme do të jetë i mundshëm vetëm kur shteti rus të jetë në rrezik”.

Armët taktike bërthamore janë koka të vogla bërthamore që mund të përdoren në fushëbeteja apo për sulme të kufizuara. Ato janë të dizajnuara për të shkatërruara shënjestra të armikut në zona specifike, pa shkaktuar rrjedhje të mëdha radioaktive.

Arma më e vogël taktike bërthamore mund të jetë një kiloton apo më pak dhe më e madhja mund të jetë deri në 10 kiloton.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk pranon negociata me Moskën përderisa trupat e saj ende kanë territore të pushtuara në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat