Shkencëtari rus dënohet me nëntë vjet burg për “tradhti të lartë”

Evropë

Shkencëtari rus dënohet me nëntë vjet burg për “tradhti të lartë”

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 20:42
Foto ilustrim

Një shkencëtar, i cili ka punuar në një objekt kërkimor bërthamor rus në rajonin e Nizhny Novgorod, është dënuar me nëntë vjet burg me akuzën për “tradhti të lartë”, njoftuan mediat lokale të mërkurën, duke cituar zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Hetuesit akuzuan Viktor Ilyin – punonjës në Qendrën Federale Bërthamore në qytetin e mbyllur të Serov – për përfshirje në aktivitete spiunazhi në dobi të Ukrainës, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Ilyin raportohet se kishte kërkuar t’u siguronte shërbimeve perëndimore të sigurisë “informacion rreth zhvillimeve më të fundit shkencore” në Rusi, raporton themoscowtimes.

“Për të fshehur aktivitetet e paligjshme, burri përdori dokumente të falsifikuara dhe softuer special”, tha shërbimi për shtyp i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

Të dhënat e gjykatës tregojnë se Ilyin u arrestua në fillim të këtij viti, por ai u përball për herë të parë me drejtësinë në muajin prill.

Më 23 maj, shkencëtarit iu dha një dënim me nëntë vjet burg – dy vjet më pak se dënimi minimal prej 12 vjetësh për “tradhti të lartë”. Dënimi i Ilyin hyri në fuqi këtë muaj.

Lajmi vjen vetëm një ditë pasi prokurorët rusë kërkuan një dënim me 12 vjet burg për shkencëtarin nga Moska, Valery Golubkin, 71 vjeç, i cili gjithashtu akuzohet për tradhti.

Të paktën tre shkencëtarë rusë që kanë punuar në zhvillimin e raketave hipersonike janë arrestuar nën dyshimin për tradhti gjatë vitit të kaluar.

Në muajin prill, presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi ndryshimet e ligjit duke rritur dënimin maksimal për “tradhti të lartë” nga 20 vjet në burgim të përjetshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat