Greqi: Mitsotakis e konsideron fitoren në zgjedhje si mandat për ndryshime

Evropë

Greqi: Mitsotakis e konsideron fitoren në zgjedhje si mandat për ndryshime

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 08:04
Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis.

Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, e ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Alexis Tsipras, dhe ka thënë se e ka “mandat të fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.

Të dielën, Greqia i ka mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji.

Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit ka fituar 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza.

Ai e ka mposhtur Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.

“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u ka thënë Mitsotakis mbështetësve të vet në Athinë.

Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve.

Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.

Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave.

Ai i ka hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje, duke thënë se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat