Orban: Lideri rus nuk është kriminel lufte, ai do të jetë në pushtet edhe vitin e ardhshëm

Evropë

Orban: Lideri rus nuk është kriminel lufte, ai do të jetë në pushtet edhe vitin e ardhshëm

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 08:07
Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë ka mbështetur dje presidentin e Rusisë Vladimir Putin më hapur se kurrë. 

Në një intervistë të madhe për Bild-in gjerman, i pyetur nëse Putin është kriminel lufte, Viktor Orban u përgjigj: “Për mua, ai nuk është. Ne jemi në luftë. Mund të flasim për krime lufte pas luftës. Nëse dëshironi një armëpushim dhe negociata, ai mund t'i bindë palët ndërluftuese të ulen. Nuk është ide e mirë t'u thuash të vijnë në tavolinë dhe t'i arrestosh”, ka sqaruar qëndrimin e tij Orban. Kryeministri hungarez iu referua edhe rebelimit në Rusi të nisur nga Yevgeny Prigozhin , duke thënë se këto ngjarje nuk e dobësuan Putinin, sepse rebelimi u shtyp shpejt. “Kur (rebelimi) shtypet brenda 24 orëve, është shenjë fuqie”, shtoi Orban, i cili beson se Rusia nuk është dobësuar nga këto ngjarje. Ai shtoi se Rusia funksionon ndryshe nga vendet evropiane.

“Putini është i qëndrueshëm, ai është lideri i zgjedhur i Rusisë, është popullor dhe strukturat pas tij janë mjaft të forta”, tha Orban, i cili beson se Putini do të jetë në pushtet edhe vitin e ardhshëm në Rusi.

Deklaratat e Orban vijnë pas turit që zhvilloi në Ballkan, ku forcoi aleancat në vende si Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, ku liderët kanë shfaqur shumë herë pakënaqësi me mënyrën si operon Perëndimi, njësoj si Vladimir Putini. Orban zhvilloi ditët e fundit takim me kryeministrin Rama, zbarkoi në Beograd ku i shkoi në zyrë presidentit Aleksandër Vuçiç dhe në fund e mbylli turin me drejtuesin serb të Bosnjës Milorad Dodik. Këta liderë që takoi kryeministri hungarez, një mbështetës i fuqishëm i Moskës, po mbajnë një qëndrim anti-Perëndim me zhvillimet e fundit që kanë përfshirë botën pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat