Prag lufte/ Dodik ndez “fuçinë e barutit” që mund të hedhë në erë Evropën - përgatit për konflikt të armatosur 100 mijë ushtarë

Evropë

Prag lufte/ Dodik ndez “fuçinë e barutit” që mund të hedhë në erë Evropën - përgatit për konflikt të armatosur 100 mijë ushtarë

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:50
Milorad Dodik dhe Vladimir Putin

Prag lufte në Ballkan. Situata në Bosnjë e Hercegovinë duket mjaft e tensionuar dhe vendi mund të shkojë drejt një konflikti të egër, nëse nuk merren masa. Ky vend shihet si një satelit i Vladimir Putinit për të shkaktuar trazira dhe deklaratat e tij të fundit e konfirmojnë më shumë këtë tezë. Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik duket se e ka bërë “rrugë”, që për çdo lloj krize, fajin t’ia hedhë ndërkombëtarëve, me apo pa të drejtë. Së fundmi, vendi është zhytur në “krizë”, për shkak të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, për ndryshimet në Kodin Penal, që kundërshtohet nga Dodik. Kështu, i gjendur në këtë situatë, mes kritikave të shumta ndaj tij, Dodik tha se nuk do të heqë dorë nga politika e tij dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar për ndezjen e krizës aktuale. Ai akuzoi përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të gjitha problemet në vend. Në një postim në blogun e tij, Dodik pohoi se kriza në BiH u shkaktua nga ambasadat "që dërgojnë raporte të rreme në ministritë e tyre".

Kërcënimet e Dodik

Pikërisht nga këto ambasada erdhën kritikat më të ashpra ndaj Dodikut pasi ai udhëhoqi parlamentin e Republika Srpska të miratonte ligje që ndalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH dhe publikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt, pra zbatimin e tyre.  Kjo deklaratë e Dodikut erdhi një ditë pasi Schmidt, anuloi dy vendime anti-Dejton të asamblesë së entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.Përgjigja e Dodik për këtë të hënën ishte se ai nuk kandidoi për president të RS "për të ulur kokën përpara çdo budallai".

“Ne nuk do t’ua dorëzojmë RS-në”, ka shkruar Dodik. Ai deklaroi se do t’i shpallë të vlefshme ligjet që ka anuluar Schmidt dhe do ta fillojë procedurën e mospranimit të juridiksionit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje në territorin e entitetit të Republikës Sërpska.

Akuzat ndaj ndërkombëtarëve

Zyrtarët e Republikës Sërpska të udhëhequr nga Dodiku kundërshtojnë legjitimitetin e përfaqësuesit të Lartë sepse emërimi i tij zyrtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia. Dodik tha se ishte një “sulm i sinkronizuar, i poshtër, i projektuar, me qëllim të përmbysjes së autoriteteve në Republikën Sërpska dhe Serbi”. “Në këtë moment ka një sulm të sinkronizuar ndaj meje si president i Republikës Sërpska dhe Vuçiçit si president i Serbisë”, tha Dodik pa shpjeguar pse vendimet e përfaqësuesit të Lartë janë “goditje për Serbinë dhe Vuçiçin”, pasi ato janë të vlefshme dhe të zbatueshme ekskluzivisht në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës. Dodik shtoi gjithashtu se ai beson në “unitetin e Republikës Sërpska dhe Serbisë” dhe theksoi se ka ardhur koha që Serbia dhe Republika Sërpska ta kenë një politikë të unifikuar për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore serbe.

Ndarja e BiH

Në të njëjtën kohë, ish-zëvendëspresidenti i RS dhe anëtari aktual i parlamentit të entitetit, Ramiz Salkiç (SDA), shprehu shqetësimin se Dodik mund të përdorë masa radikale, duke përfshirë përdorimin e armëve, nëse e sheh të përshtatshme, për të përkeqësuar më tej situatën. “Dodik mund të vendosë shumë shpejt 100,000 njerëz të armatosur, të cilët janë pak a shumë të gatshëm për të mbrojtur qëllimet e tij politike me armë, për të zbatuar idenë e tij për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës pa vështirësi të mëdha”, pohoi Salkiç në një postim në profilin e tij në Facebook të hënën. Ai e justifikoi paralajmërimin dramatik duke pretenduar se përveç 7000 policëve të armatosur dhe rezervistë policie, autoritetet e Republikës Sërpska, kanë gjithashtu një njësi antiterroriste speciale, të armatosur rëndë dhe vlerësoi se rreth 70,000 gjuetarë të regjistruar mund të shndërrohen gjithashtu në paraushtarak brenda natës. Salkiç pretendon se për shkak të gjithë kësaj, mundësia e konfliktit është reale, ndaj u bën thirrje autoriteteve në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës që të marrin masa për mbrojtjen e boshnjakëve dhe kroatëve në territorin e RS-së, sepse ai supozon se do të ketë një bllokadë nga ana e qeverisë shtetërore dhe agjencive të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat