Mosmarrëveshjet mbi politikat e imigracionit shkaktojnë rënien e qeverisë në Holandë

Evropë

Mosmarrëveshjet mbi politikat e imigracionit shkaktojnë rënien e qeverisë në Holandë

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 06:59
Mark Rutte

Qeveria holandeze u rrëzua të premten pasi anëtarët e koalicionit në pushtet nuk arritën një marrëveshje për kufizimin e imigracionit, gjë që do të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vjeshtë.

Kriza u shkaktua nga një shtytje e partisë konservatore VVD, të kryeministrit Mark Rutte për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve në Holandë, e cila nuk u mbështet nga dy parti të koalicionit qeveritar katërpartiak.

"Nuk është sekret që partnerët e koalicionit kanë mendime të ndryshme rreth politikave të imigracionit. Sot, për fat të keq, kemi arritur në përfundimin se këto mosmarrëveshje janë bërë të pakapërcyeshme. Prandaj, unë do t'ia paraqes mbretit dorëheqjen e të gjithë kabinetit", tha Kryeministri Rutte në një konferencë shtypi.

Tensionet arritën kulmin këtë javë, kur Kryeministri Rutte kërkoi mbështetje për një propozim për të kufizuar hyrjen e fëmijëve të refugjatëve të luftës që janë tashmë në Holandë dhe për t'i detyruar familjet të presin të paktën dy vjet përpara se të bashkohen.

Ky propozim i fundit shkoi shumë larg për Unionin e vogël të krishterë dhe liberal D66, duke shkaktuar një ngërç.

Koalicioni i Kryeministrit Rutte do të qëndrojë në pushtet si një qeveri e përkohshme derisa të formohet një administratë e re pas zgjedhjeve të reja, një proces i cili në peizazhin e përçarë politik holandez zakonisht zgjat me muaj.

Agjencia e lajmeve ANP, duke cituar komisionin kombëtar të zgjedhjeve, tha se zgjedhjet nuk do të mbaheshin përpara mesit të nëntorit.

Një qeveri e përkohshme nuk mund të vendosë për politika të reja, por zoti Rutte tha se kjo nuk do të ndikojë në mbështetjen e vendit për Ukrainën.

Holanda tashmë ka një nga politikat më të ashpra të emigracionit në Evropë, por nën presionin e partive të krahut të djathtë, zoti Rutte prej muajsh po përpiqej të kërkonte mënyra për të reduktuar më tej fluksin e azilkërkuesve.

Kërkesat për azil në Holandë u rritën me një të tretën vitin e kaluar në mbi 46 mijë dhe qeveria ka parashikuar se ato mund të rriten në më shumë se 70 mijë këtë vit, duke arritur nivelin më të lartë, të shënuar në vitin 2015.

Kryeministri Rutte, 56 vjeç, është udhëheqësi më jetëgjatë i qeverisë në historinë e Holandës dhe më i moshuari në BE pas Kryeministrit hungarez Viktor Orban. Ai pritet të udhëheqë sërish partinë e tij VVD në zgjedhjet e ardhshme.

Koalicioni aktual qeverisës i zotit Rutte, i cili erdhi në pushtet në janar të vitit 2022, ishte administrata e tij e katërt radhazi që kur ai u bë kryeministër në tetor të vitit 2010.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat