Escobar beson se ende nuk është koha për ta larguar nga skena politike Dodikun

Evropë

Escobar beson se ende nuk është koha për ta larguar nga skena politike Dodikun

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 09:40
Escobar

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar situatën aktuale në rajon në prag të konferencës ndërkombëtare në Dubrovnik, duke iu referuar veçanërisht krizës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Escobar e quajti presidentin e Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik si “lajmëtarin më të madh të Putinit” dhe e kërcënoi me sanksione të reja nëse Republika Serbe vendos të nisë një referendum për statusin e atij entiteti.

“Milorad Dodik është një nga zëdhënësit më të mëdhenj të regjimit të Putinit. Ai e lavdëron Putinin më shumë se Lukashenko. Kjo është shqetësuese. Rusia po mbështetet te Dodiku për të nxjerrë Bosnjën dhe Hercegovinën nga binarët e saj që e dërgojnë drejt BE-së. Ne jemi seriozisht të shqetësuar me atë se çfarë po ndodh atje”, tha Escobar para gazetarëve në Zagreb, raporton klix.ba.

Në përgjigje të spekulimeve se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën (OHR) po planifikon të zëvendësojë Dodikun, Escobar tha se nuk mund të komentonte veprimet e OHR, por se ai beson se nuk është ende koha për të bërë diçka të tillë.

Pak ditë më parë, Dodik paralajmëroi mundësinë e fillimit të një referendumi për statusin e RS-së deri në Vitin e Ri, si një nga format me të cilën synon të kundërshtojë kërcënimet e komunitetit ndërkombëtar.

“Nëse vërtet ndodh, ne do të reagojmë shumë fuqishëm. Nuk do të ketë shpërbërje të Bosnjës dhe Hercegovinës. SHBA nuk do të heqë dorë nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe detyrimet tona ndaj atij vendi. Shpresojmë që Dodik të mos shkojë aq larg dhe se është thjesht retorikë politike, por nëse jo, ne jemi të gatshëm të reagojmë me mjete politike si sanksionet”, tha Escobar.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka komentuar edhe situatën ekonomike në Bosnje dhe Hercegovinë, duke thënë se ky është vendi më i korruptuar në rajon dhe se kjo është arsyeja e largimit të dhjetëra mijëra të rinjve çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat