Qeveria e Erdoganit refuzon ta njohë masakrën e serbëve në Srebrenicë, si gjenocid

Evropë

Qeveria e Erdoganit refuzon ta njohë masakrën e serbëve në Srebrenicë, si gjenocid

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 23:30
Erdogan

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe partneri i saj qeverisës, Partia e Lëvizjes Nacionaliste, hodhën poshtë një propozim parlamentar të Partisë Popullore Republikane për të njohur masakrën e serbëve në Srebrenicë, si gjenocid.

Aktivistët e të drejtave të njeriut pohojnë se një nga arsyet e mundshme për një vendim të tillë është ruajtja e marrëdhënieve me Serbinë, raporton t24.

Partia Popullore Republikane propozoi gjithashtu që 11 korriku të shpallej Dita e Përkujtimit të Gjenocidit, në kujtim të vrasjeve të disa mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, por shumica në pushtet e kundërshtoi atë gjithashtu.

“Nuk mund ta kuptoj pse e refuzuan këtë projektligj, ky është një skandal”, tha aktivisti turk për të drejtat e njeriut dhe deputeti i Partisë “Yeşil Sol”, Omer Faruk Gergelioglu.

Ky i fundit deklaroi se ka pyetur përfaqësuesit e shumicës qeverisëse për arsyet e vendimit të tyre, por përfaqësuesit e partisë së Erdoganit iu përgjigjën shkurt, “nuk është puna jote”.

Nën presidentin Erdogan, i cili ka drejtuar vendin për 21 vjet, Turqia është bërë një lojtar aktiv në Ballkan dhe i ka kushtuar vëmendje të veçantë komuniteteve myslimane, përfshirë boshnjakët.

Gergerlioglu beson se kishte tri arsye pse koalicioni qeverisës i Erdoganit e hodhi poshtë projektligjin.

“Së pari, ata nuk duan të hyjnë në diskutime për gjenocid, sepse nuk duan të përkeqësojnë marrëdhëniet me Serbinë. Së dyti, ata e refuzuan këtë propozim sepse ishte propozuar nga partia më e madhe opozitare dhe së treti, kanë frikë nga efektet e tij për shkak të diskutimit për gjenocidin armen”, pohoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat