Meloni: Pezullimi i marrëveshjes për drithërat nga Rusia, shkelje kundër njerëzimit

Evropë

Meloni: Pezullimi i marrëveshjes për drithërat nga Rusia, shkelje kundër njerëzimit

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 15:20
Giorgia Meloni

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e Rusisë për të mos zgjatur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila i lejonte Ukrainës të eksportonte drithërat e saj gjatë luftës së shkaktuar nga pushtimi i Moskës.

"Vendimi i Rusisë për të ndërprerë marrëveshjen e drithërave është një provë e mëtejshme se kush është miku dhe kush është armiku i vendeve më të varfra", tha Meloni vonë të hënën, "udhëheqësit e atyre vendeve që nuk duan të bëjnë dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit duhet të reflektojnë”.

“Përdorimi si armë i lëndës së parë që ushqen botën është një tjetër shkelje kundër njerëzimit”, tha ajo, shkruan ANSA.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha të hënën se Italia dhe partnerët e saj ndërkombëtarë po punonin për "zgjidhje alternative" pasi Rusia vendosi të prishë marrëveshjen, përcjell KosovaPress.

“Mungesa e ushqimit në Afrikë na shqetëson të gjithëve”, tha Tajani përmes Tëitter.

“Ne jemi shumë të shqetësuar që Rusia i dha fund marrëveshjes për drithërat.

“Tashmë jemi duke punuar për zgjidhje alternative.

“Çështja do të trajtohet në samitin e sigurisë ushqimore që kemi organizuar me Kombet e Bashkuara në Romë, më 24 korrik”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të hënën se "miliona njerëz do të paguajnë çmimin" e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat