Aksion i madh në Bosnje-Hercegovinë, arrestohen 16 policë në vendin e punës

Evropë

Aksion i madh në Bosnje-Hercegovinë, arrestohen 16 policë në vendin e punës

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 17:52
Bosnje

Gjashtëmbëdhjetë policë të stacionit policor Kakanj janë arrestuar sot nga anëtarët e Administratës Policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit Zenicë-Doboj, Bosnje-Hercegovinë.

Këtë e ka konfirmuar sot zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elvedin Fishek, i cili edhe ka dhënë disa detaje.

“Për momentin 16 policë nga Stacioni Policor Kakanj janë privuar nga liria, të cilët janë dërguar në selinë e Policisë së MPB-së ZDK në Zenicë ku do të nisin procedurat penale. Pas kësaj do t’i dorëzohen prokurorisë kompetente kantonale së bashku me kallëzimin”, tha ai.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të ZDK-së, Benjamin Sinanoviq, tha se meqenëse sistematizimi i stacionit policor të Kakanj kishte rreth 60 policë, ata do të rishpërndahen në stacionet e tjera policore që janë afër Kakanjit për të ruajtur sigurinë e qytetarëve.

MPB-ja ka njoftuar se këta persona dyshohet se kanë kryer vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për veprat penale të marrjes së dhuratave dhe formave të tjera të përfitimeve, zbulimit sekretit zyrtar, prodhimit dhe vendosjes në treg të narkotikëve të paautorizuar, drogë dhe vjedhje të rënda.

Konkretisht, punonjësit e policisë që janë shënjestër e këtij aksioni dyshohet se kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre si punonjës policie dhe kanë lejuar shumë persona të përfshihen në aktivitete kriminale dhe në vend që t’i pengojnë ata, i kanë ndihmuar dhe në këmbim të saj kanë marrë shpërblime.

Ndër të tjera bëhet fjalë edhe për shfrytëzimin e paligjshëm të qymyrit në zonën e Kakanjit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat