LIVE: Prigozhin futet në biznes – Alarm në Rusi/ Arrestimi i këtij personi mund të zemërojë elementë brenda ushtrisë ruse!

Evropë

LIVE: Prigozhin futet në biznes – Alarm në Rusi/ Arrestimi i këtij personi mund të zemërojë elementë brenda ushtrisë ruse!

Nga: Bota sot Më: 22 korrik 2023 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 17:40 më 22.07.2023
Yevgeny Prigozhin

Prigozhin regjistron firmë në Bjellorusi

Shefi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka regjistruar një firmë “për menaxhim patundshmërish” në Bjellorusi, pas rebelimit të ndërprerë kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë, muajin e kaluar.

Firma “Concord Management and Consulting” është regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, në fshatin Tsel, ka raportuar portali i lajmeve, Reform.by.

Në regjistrin e bizneseve në Bjellorusi, kompania ruse me të njëjtin emër - shef i së cilës, sipas dokumenteve, është Prigozhin - figuron si pronare e 100 për qind të aksioneve në firmën e regjistruar në Tsel.

Kompania “Concord Management and Consulting” është regjistruar në Rusi në vitin 2003, dhe numëron zyrtarisht 31 punëtorë.

Në qershor, Kremlini ka thënë se ka arritur marrëveshje me Prigozhinin për t’i dhënë fund rebelimit të tij, duke thënë se udhëheqësi i mercenarëve do të shkojë në Bjellorusi, sikurse edhe forcat e tij, ndërsa akuzat ndaj tij do të hidhen poshtë.

Vendndodhja e Prigozhinit tani është e panjohur.

Tsel, ish-garnizon për pjesëtarët e brigadës bjelloruse të raketave, është vendi ku ka nisur të paraqitet një kamp në qershor./REL

Inteligjenca britanike: Arrestimi i Girkin mund të zemërojë elementë brenda ushtrisë ruse

Arrestimi i ultranacionalistit dhe ish-oficerit Igor Girkin mund të shkaktojë fërkime në Rusi, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, kritiku i Kremlinit, Girkin, u arrestua dhe përballet me akuzën për nxitje të aktivitetit ekstremist.

Ministria e Mbrojtjes tha në Twitter se masa “ka të ngjarë të zemërojë” anëtarët e tjerë të komunitetit të blogerëve të luftës dhe elementë brenda ushtrisë në shërbim.

“Ndërsa Girkin nuk është aleat i Grupit Wagner, ai ka të ngjarë të jetë i përgatitur vetëm të shtyjë kufijtë e kritikës publike në kontekstin e kryengritjes së dështuar të shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin në qershor 2023.

Tabuja kundër kritikave të pamaskuara ndaj regjimit të Putinit është dobësuar ndjeshëm”- tha Mbrojtja britanike bazuar në raportet e inteligjencës. Më herët u spekulua se arrestimi i Girkin ishte dëshmi e një ndryshimi të ekuilibrit të pushtetit prapa skenave.

Pekini po “blindon” Moskën në fshehtësi, ja armët që i ka dërguar ushtrisë për të shkatërruar Ukrainën

“Kina dhe sundimtari i saj komunist Xi Jinping janë absolutisht bashkëpunëtorë në pushtimin rus të Ukrainës”, tha së fundmi shefi i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete të Mbretërisë së Bashkuar, i njohur si MI6, në Pragë të mërkurën. Megjithëse u duk si një deklaratë klishe, e pabazuar dhe e pafaktuar, gjithnjë e më shumë ka prova që tregojnë që kjo është e vërtetë. Dhe në këtë rast, aleanca e tyre pa dyshim do të kërcënonte stabilitetin global.

Armë nga Kina

Zyrtarët francezë kanë pohuar së fundmi për “Express UK” se Kina po ofron ndihmë ushtarake jo-vdekjeprurëse për Rusinë, duke përfshirë pajisje thelbësore si helmeta, forca të blinduara dhe teknologji me përdorim të dyfishtë.

Zbulimi ka ngritur shqetësime midis vendeve perëndimore për përfshirjen e Kinës në konfliktin që nuk po i duket fundi.Emmanuel Bonne, një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron, zbuloi se Kina dyshohet se "po i jep Rusisë kapacitete masive ushtarake", duke intensifikuar më tej shqetësimin global mbi shtrirjen e mbështetjes së Kinës për Moskën. Pavarësisht dyshimeve në rritje, kur u pyet për prova konkrete të përfshirjes së Kinës, Bonne shpjegoi se ka "indikacione se ata po bëjnë gjëra që ne do të preferonim që ata të mos i bënin". Mungesa e qartësisë rreth veprimeve të Kinës duket se vetëm e komplikon  situatën.

"Ne kemi nevojë që ata të kuptojnë se Ukraina është një konflikt me përmasa globale dhe se ne nuk mund t'i ofrojmë Ukrainës të humbasë për arsye parimore, por edhe për arsye që janë shumë operacionale," tha Bonne për “CNN”. "Ukraina ka shumë të bëjë shumë me stabilitetin e botës", shtoi ai.

Dyshimet e SHBA

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen shqetësime të tilla. Në shkurt, Antony Blinken, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, shprehu shqetësimet për planin e mundshëm të Pekinit për t'i dhënë Moskës armë, duke theksuar rreziqet e mundshme që një mbështetje e tillë mund të sjellë për stabilitetin rajonal. Në një raport të mëparshëm nga “Wall Street Journal” më 4 shkurt, u zbulua se Kina me të vërtetë kishte furnizuar ushtrinë ruse me pajisje ushtarake, pavarësisht sanksioneve ekzistuese. Sipas të dhënave, kompanitë shtetërore kineze thuhet se i ofruan Moskës pajisje lundrimi, teknologji bllokimi dhe pjesë të avionëve luftarakë, duke nxitur më tej dyshimet për rolin e Kinës në konflikt.

Edhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka shprehur dyshimet e saj mbi këtë çështje, me drejtorin e CIA-s, Bill Burns që ka pohuar se Kina po konsideron t'i sigurojë Rusisë armë vdekjeprurëse, duke shtuar potencialisht një dimension të ri në dinamikën e konfliktit. Megjithatë, në prill, ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang i mohoi këto akuza, duke hedhur poshtë pretendimet se Kina ishte e përfshirë në shitjen e armatimeve.

Stërvitjet detare

Sakaq, larg luftës në Ukrainë, Kina dhe Rusia kanë filluar stërvitjet e përbashkëta detare dhe ajrore në Detin e Japonisë me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis marinave të dy vendeve dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin Azi-Paqësor. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë së fundmi se stërvitjet e përbashkëta katër-ditore, të quajtura “Northern/Interaction-2023”, do të mbahen nga 20-23 korrik siç ishte planifikuar, “në përputhje me planin e bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar”.

Deklarata tha se forcat detare të dy vendeve do të praktikojnë kryerjen e manovrave të përbashkëta të luftës anti-nëndetëse (ASW) dhe luftarake detare. Më shumë se 30 avionë, duke përfshirë bombardues, thuhet se po marrin pjesë nga të dy palët. Vëzhguesit thonë se stërvitjet e përbashkëta detare në Detin e Japonisë synojnë me sa duket të mbajnë nën kontroll Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Stërvitjet e fundit vijnë pasi dy vendet janë zotuar të thellojnë bashkëpunimin ushtarak.Kina dhe Rusia kanë rënë dakord të zgjerojnë tregtinë, energjinë dhe marrëdhëniet politike në mes të qasjes gjithnjë e më kundërshtare të Perëndimit për luftën në Ukrainë. Uashingtoni është bërë më vigjilent në lidhje me marrëdhëniet, që kur Xi Jinping dhe Vladimir Putin arritën një partneritet "pa kufij" në shkurt 2022.

“Erë lufte” në Detin e Zi, tmerrohet Moska, Kievi po ndërton një armë sekrete që pritet të kthehet në “makthin” e forcave ruse

Reforma e marinës ukrainase, e përshpejtuar fuqishëm pas vitit 2018, ka patur Turqinë si sponsorin kryesor të saj. Disi paradoksale, pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e shet veten si “mik” të homologut rus, Vladimir Putin, ose të paktën para se Rusia të tërhiqej nga marrëveshja e grurit, e ndërmjetësuar nga Turqia. Tani, Stambolli ka marrë përsipër ndërtimin e anijes së re të marinës së Kievit, korvetës Ivan Mazepa. Kjo anije, e nisur në tetor të vitit të kaluar, mund të luajë një rol të rëndësishëm në betejën e vazhdueshme për kontrollin e Detit të Zi.

Projekti Ivan Mazepa

Turqia ka luajtur një rol kyç në rindërtimin e marinës ukrainase, e shkatërruar pothuajse tërësisht pas pushtimit të parë të kryer në 2014. Përballë vështirësive të dukshme teknike të Kievit në ndërtimin e anijeve të reja luftarake, qeveria ukrainase ka vendosur një strategji që synon blerjen fillestare të anijeve nga jashtë, për të transferuar më pas gradualisht prodhimin në kantieret ukrainase.

Kjo strategji u ndoq plotësisht në kontekstin e marrëveshjeve të mëvonshme të nënshkruara midis Kievit dhe Ankarasë në lidhje me ndërtimin e korvetave të reja të  klasit Ada,  për Marinën e Ukrainës. Në veçanti, kontrata parashikonte ndërtimin e dy korvetave, nga të cilat e para, së cilës i është caktuar emri i Hetman ukrainas "Ivan Mazepa", do të ndërtohej në Turqi shumicën e kohësdhe shumë pak në kantierin detar "Okean" të Mykolayv, ndërsa në afat të gjatë prodhimi do të zhvendosej tërësisht në Ukrainë.

Anija e fuqishme

Anija u nis zyrtarisht në prani të Zonjës së Parë të Ukrainës Olena Zelenska më 2 tetor 2022. Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, u vendos që të përfundonte plotësisht ndërtimin e anijes në Turqi, pavarësisht nga çfarë thuhej thuhej në kushtet e kontratës. Anija aktualisht është duke përfunduar procesin e ndërtimit dhe instalimit të sistemeve të armëve, duke kryer njëkohësisht testet përkatëse detare.

Ivan Mazepa fuqizohet nga një turbinë me gaz dhe dy motorë nafte, të cilët lejojnë arritjen e një shpejtësie maksimale prej 29 nyjesh. Korveta do të jetë e pajisur me një top kundëranije Oto-Melara të prodhimit italian, një top të dytë Aselsan Gokdeniz, dy sisteme të mbrojtjes së ngushtë Aselsan Stemp, një sistem të mbrojtjes ajrore Vl Mica-M, dy silurët Mu90 dhe tetë raketa kundër anijes Harpoon. Ivan Mazepa është gjithashtu i aftë të mbajë një helikopter S-70B Seahawk.

Lufta për Detin e Zi

Tërheqja e fundit e Federatës Ruse nga marrëveshja e eksportit të grurit e nënshkruar vitin e kaluar ka rindezur sërish tensionet në Detin e Zi. Megjithatë, ka shumë pak gjasa që Ivan Mazepa të mund të luajë një rol vendimtar në ndryshimin e ekuilibrit të konfliktit të vazhdueshëm detar në afat të shkurtër ose në mbrojtjen e eksporteve të grurit ukrainas.

Në fakt, komandanti i Marinës së Ukrainës Olekii Neizhpapa deklaroi se anija duhet të hyjë në shërbim  deri në  vitin 2024. Duke pasur parasysh probabilitetin e ulët që konflikti të përfundojë brenda këtij viti, siç pranohet nga vetë gjenerali Zaluzhny, megjithatë ka gjasa që ai të përdoret kundër forcave ruse.Sigurisht, një sistem i vetëm armësh nuk mund të përbëjë një ndryshim të lojës.

Ndikimi i secilit prej tyre në konflikt jepet nga integrimi i saktë i tij me sistemet e tjera, si dhe nga përdorimi korrekt i tij i moduluar sipas funksionaliteteve të veta. Hyrja në shërbim e korvetës do të përfaqësojë para së gjithash një  barrë  të konsiderueshme  logjistike për forcat e Kievit, të cilat do të duhet të sigurojnë furnizimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të saj, për më tepër Ivan Mazepa natyrisht do të bëhet objektivi kryesor  i forcave detare ruse.  Pas kësaj, sigurisht që do të përfaqësojë një aset të rëndësishëm për forcat e armatosura të Ukrainës. Në veçanti, ajo është e aftë të kryejë sulme shumë të shpejta me goditje dhe vrapim, kundër flotës ruse, e cila pas disfatës së rëndë të pësuar në ishullin e gjarpërinjve mbeti kryesisht e bllokuar në bazën e Sevastopolit. Forcat turke kanë një peshë dukshëm më të madhe, por në terma afatgjatë mund të ndikojnë në një rritje të konsiderueshme edhe të aftësive luftarake të Kievit.

Ndizet zjarri i luftës në Evropë, Putin vendos Poloninë në shënjestër, ja pse Rusia mund të sulmojë papritur “fortesën e NATO”

"Agresioni kundër Bjellorusisë do të thotë agresion kundër Federatës Ruse". Paralajmërimi i Vladimir Putin është kristal i qartë: mjerë ai që prek Aleksandër Lukashenkon. Kjo sepse në rast se dikush do të fillonte një sulm kundër Minskut, Moska do të ishte e gatshme të ndërhynte, duke dale në mbrojtjen e saj. Fjalët e kreut të Kremlinit janë të destinuara të rrisin tensionin ndërkombëtar, duke qenë se në orët e fundit Polonia ka përforcuar kufirin lindor, atë që e ndan nga Bjellorusia, duke vendosur trupat e saj atje. Nga ana tjetër, stërvitje ushtarake janë duke u zhvilluar përtej kufiritmidis forcave të Minskut dhe grupit mercenar Wagner, i përshkruar si "provokim" nga Varshavë.

Mesazhi i Putinit

Putin ka paralajmëruar se Moska do të përdorë "çdo mjet që ka në dispozicion" për të mbrojtur aleatin e saj Bjellorusinë nga sulmet e mundshme. "Për sa i përket Bjellorusisë, ajo është pjesë e Shtetit të Unionit. Të nisësh agresion kundër Bjellorusisë do të thotë të nisësh agresion kundër Federatës Ruse", tha presidenti rus gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit Rus, duke shtuar se “Rusia do të përgjigjet me të gjitha mjetet në dispozicion".

Sipas kreut të Kremlinit, Ukraina ekziston falë Leninit, Krimea ishte një dhuratë për Kievin nga Hrushovi, ndërsa Polonia një dhuratë nga Joseph Stalin. Në lidhje me këtë të fundit, Putin në thelb akuzoi Varshavën për kultivimin e ambicieve territoriale në disa zona të ish-Bashkimit Sovjetik. Duke folur me autoritetet polake, ai tha se ata po e "harronin" se "pjesa perëndimore e Polonisë është dhuratë nga Stalini për vendin".

Polonia në shënjestër

Me pak fjalë, Polonia përfundoi në qendër të sulmit historik të Putinit. Duke komentuar planet e Varshavës për të marrë kontrollin e territoreve perëndimore të Ukrainës, lideri rus tha se Moska mund t'i kujtojë qeverisë polake se si dështuan "planet e saj të mëparshme ekspansioniste". "Zjarri i luftës po ndizet fuqishëm. Në veçanti, Perëndimi, përdor ambiciet e liderëve të disa shteteve të Evropës Lindore, të cilët prej kohësh e kanë kthyer urrejtjen ndaj Rusisë dhe rusofobisë mallin e tyre kryesor të eksportit dhe instrument të politikës së tyre të brendshme. Dhe tani duan të ‘ngrojnë duart' mbi tragjedinë e Ukrainës", shtoi vetë Putin. Udhëheqësi rus shtoi se planet për të formuar një grup të përbashkët ushtarak polak-lituano-ukrainas nënkuptojnë krijimin e një njësie të rregullt me qëllimin e deklaruar "të ofrojë siguri në territoret perëndimore të Ukrainës", por në realitet " për pushtimin e këtyre territoreve ".

"Dhurata" e Stalinit

Putin kujtoi se Polonia përdori luftën civile ruse në 1917 për të aneksuar rajone historike dhe se një pjesë e Lituanisë, Vilen Krai, mori pjesë në ndarjen e Çekosllovakisë pas Marrëveshjes së Mynihut me Hitlerin në 1938. Shefi i Kremlinit përsëriti se "një politikë e tillë agresive" përfundoi për Poloninë me tragjedinë kombëtare të vitit 1939, kur "u hodh nga aleatët perëndimorë për t'u ngrënë nga makina ushtarake gjermane", duke humbur pavarësinë dhe shtetësinë e saj, e cila u rivendos kryesisht falë Bashkimit Sovjetik.

“Dhe ishte falë Bashkimit Sovjetik, falë pozicionit të Stalinit, që Polonia mori toka të rëndësishme në Perëndim, tokat e Gjermanisë. Kjo është pikërisht çështja… territoret perëndimore të Polonisë së sotme janë një dhuratë nga Stalini për polakët. A e kanë harruar miqtë tanë në Varshavë?”, pyeti Putini, dhe pyetjet e tij veçse djallëzore janë edhe shumë të rrezikshme.

“Fortesa e Europës”

Faktikisht, Polonia është shndërruar në vijën e parë të mbrojtjes së Perëndimit përballë kërcënimit të Presidentit Vladimir Putin.Prej kohësh, vendi ka luajtur rolin e pararojës së NATO-s dhe Bashkimit Europian në Europën Qendrore, përballë të ashtuquajturës “agjendë revizioniste e Kremlinit”.

Polonia, gjithashtu, ka praninë më të madhe të trupave amerikane në Europë, të cilat në të gjithë kontinentin numërohen në 100 mijë. Vëmendja e shtuar strategjike që ka marrë Polonia përkundër agresionit rus në Ukrainë, lidhet me pozicionin e saj strategjik, pasi ndan një kufi të gjatë prej 550 kilometrash me Ukrainën.

Rusia dëshiron opsionin për të inspektuar anijet me destinacion Ukrainën në Detin e Zi

Nga: Bota sot

Rusia dëshiron të jetë në gjendje të inspektojë anijet me destinacion Ukrainën pas tërheqjes së saj nga marrëveshja e grurit në Detin e Zi, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm i vendit.

Kjo vjen pasi Moska dhe Kievi njoftuan se do t'i trajtojnë anijet që udhëtojnë në portet e njëra-tjetrës si objektiva të mundshëm ushtarakë.

“Duhet të sigurohemi që anija të mos transportojë diçka të keqe, do të thotë një kërkesë, inspektim, nëse është e nevojshme, për t'u siguruar që është kështu apo jo”, tha Sergei Vershinin.

"Nuk ka më një korridor humanitar detar, tani ka, ndoshta, zona me rrezik të shtuar ushtarak."

Informatori u dënua me më shumë se tetë vjet burg për ndihmën e Rusisë në përgatitjen e sulmeve ajrore

Nga: Bota sot

Një ukrainas është dënuar me tetë vjet e gjashtë muaj burg për ndihmën e Rusisë në përgatitjen e sulmeve ajrore, ka thënë shërbimi i sigurisë i Ukrainës.

Burri, i cili nuk është identifikuar, mblodhi inteligjencë mbi vendndodhjen e qendrave logjistike ukrainase për forcat ruse në rajonin e Dnipro, thuhet në një postim në Telegram.

"Para së gjithash, ai u përpoq të vendoste koordinatat e bazave të mirëmbajtjes së pajisjeve ushtarake të mbrojtësve ukrainas," shtoi ai.

“Ai i kaloi informacionet e marra të inteligjencës agresorit për përgatitjen e sulmeve ajrore të shënjestruara ndaj objekteve ukrainase”.

Shërbimi tha se burri paguhej për çdo detyrë që ai kreu me sukses.

SHBA do të zbulojë paketën e re të ndihmës ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën

Nga: Bota sot

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të shpallin një paketë të re ndihme ushtarake prej 400 milionë dollarësh (311 milionë £) për Ukrainën që të martën, sipas tre zyrtarëve.

Ndihma do të përbëhet nga artileri, raketa të mbrojtjes ajrore dhe mjete tokësore, thanë ata.

Të mërkurën, vendi njoftoi ndihmë shtesë të sigurisë prej rreth 1.3 miliardë dollarë për Kievin, duke përfshirë aftësitë mbrojtëse, dronët dhe municionet. Kjo ishte në krye të një pakete tjetër të zbuluar në fillim të këtij muaji, e cila përfshinte bomba thërrmuese.

Municionet e diskutueshme nuk pritet të përfshihen në këtë raund të fundit të ndihmës, thanë dy zyrtarë amerikanë. Ja çfarë thanë se do të përfshihet në paketë:

Disa transportues personeli të blinduar Stryker

Pajisje për pastrimin e minave Municionet për sistemet e avancuara kombëtare të raketave sipërfaqe-ajër (NASAMS)

Municione për sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS)

Armët antitank duke përfshirë TOW dhe Javelin Municione për sistemet kundërajrore

Patriot dhe Stinger Paketa e ndihmës për sigurinë do të jetë e 43-ta e miratuar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat