Bosnjë-Hercegovina çdo ditë e më shumë larg BE-së, ndizen sërish tensionet në Republikën Srpska

Evropë

Bosnjë-Hercegovina çdo ditë e më shumë larg BE-së, ndizen sërish tensionet në Republikën Srpska

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 09:48
Milorad Dodik

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, kritikoi ashpër ditën e djeshme miratimin e ligjit që rifuste kriminalizimin e shpifjes në Republikën Srpska, duke paralajmëruar se ai është një sulm i hapur ndaj lirive civile dhe një shkelje e qartë e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Dejtonit.

Shumica qeverisëse në parlamentin e RS, e kontrolluar nga Milorad Dodik, të enjten, duke shpërfillur kritikat e shumta votoi për ndryshimin e kodit penal të njësisë, i cili e bëri shpifjen një vepër penale me gjoba të parashikuara deri në tre mijë euro.

Ndryshimet ligjore nënkuptojnë zhvillimin e procedimeve penale për padi për shpifje, të cilat mund të zgjasin me vite dhe të pandehurve mund t'u mohohet e drejta për punë dhe udhëtim. Partitë e opozitës në RS kanë paralajmëruar hapur se kjo është përpjekja e Dodik për të parandaluar çdo kritikë ndaj qeverisë dhe për të “mbytur” median e pavarur.

Në reagimin që pasoi nga OHR, thuhej se kriminalizimi i shpifjes është “sulm ndaj lirive qytetare, karakteristikë e regjimeve autoritare”.

"Këto ndryshime kufizojnë lirinë e fjalës dhe ngushtojnë hapësirën për veprim civil, të cilat janë themelet e një shoqërie demokratike," paralajmëroi Schmidt.

Ai thekson se autoriteteve në RS tani u jepet mundësia të kufizojnë mendimin e lirë kritik dhe të heshtin kundërshtarët, sepse sipas tij u hapet rruga procedurave të dyshimta penale dhe degradimit të lirisë dhe demokracisë në dëm të qytetarëve. Këto ndryshime përfaqësojnë gjithashtu një hap pas  në rrugën e BiH drejt anëtarësimit në BE pasi ato nuk janë në përputhje me 14 prioritetet e reformës nga opinioni i Komisionit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat