Lilium Jet, taksia fluturuese elektrike me ngritje vertikale

Evropë

Lilium Jet, taksia fluturuese elektrike me ngritje vertikale

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Kompania gjermane “Lilium” testoi para pak ditësh (18 July taksinë fluturuese në qiellin e Spanjës jugore. Lilium Jet cilësohet si avioni i parë tërësisht elektrik me ngritje dhe ulje vertikale. Kompania gjermane synon që gjatë viteve të ardhshme të ofrojë taksinë fluturuese për një numër vendesh, përfshirë Kinën, Italinë dhe Zvicrën. Disa analistë thonë se deri në vitin 2030 taksitë fluturuese mund të bëhen realitet për njerëzit e zakonshmëm, por gjithçka do të varet nga kërkesa e konsumatorëve.

Në jug të Spanjës, në qendrën e provave për sistemet ajrore pa njeri ATLAS në Villacarrillo, kompania gjermane “Lilium” po teston taksinë fluturuese elektrike me ngritje vertikale.

E themeluar në vitin 2015, kompania “Lilium” me qendër në Mynih po zhvillon një avion me motorë elektrikë të integruar në krahët e mjetit fluturues për të mundësuar ngritjen dhe uljen vertikale.

Avioni elektrik me një pilot mund të transportojë gjashtë pasagjerë. Në këtë test, avioni po kontrollohet nga distanca.

“Mendoj se në vitin 2030 kjo taksi ajrore do të jetë në treg për njerëzit e zakonshëm. Bazuar në eksperiencen time në punën për makinat pa shoferë jam shprehur më parë se duhet mbi dhjetë vite që ato të bëhen realitet. Por nëse shtohen kërkesat, taksia fluturuese mund të bëhet realitet para vitit 2030”, thotë profesori Stewart Birrell me Universitetin Coventry.

Kohët e fundit kompania “Lilium” nënshkroi marrëveshje me një numër vendesh, përfshirë Kinën, Italinë dhe Zvicrën, për të mundësuar transportin ajror me avionë elektrikë. Kompania kineze Heli-Eastern ka në plan të porositë 100 avionë të firmës Lilium.

“Lilium Jet” cilësohet si avioni i parë tërësisht elektrik me ngritje dhe ulje vertikale. Kompania gjermane ka marrë disa çertifikata në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara në procesin e gjatë për t’u bërë taksia ajrore e së ardhmes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat