UNESCO propozon përfshirjen e Venecias në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik

Evropë

UNESCO propozon përfshirjen e Venecias në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

UNESCO propozon përfshirjen e Venecias në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik. Sipas UNESCO, kjo është një masë e domosdoshme  për shkak të turizmit masiv dhe ndryshimeve klimatike, që po dëmtojnë zonën.

“Zhvillimi i mëtejshëm i Venecias, efektet e ndryshimit të klimës dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme globale të vendit”, thekson Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Propozimi do të hidhet në votim në shtator nga vendet anëtare të UNESCO-s.

“Ndërtesat e larta që ka të ngjarë të kenë një ndikim vizual të rëndësishëm negativ duhet të ndërtohen larg qendrës së qytetit, ndërsa rritja e nivelit të detit dhe ngjarjet e tjera ekstreme të motit të lidhura me ngrohjen globale, “kërcënojnë” integritetin”, vijon UNESCO në qendrimin e postuar online.

Mungesa e një vizioni strategjik të përbashkët global dhe koordinimi i ulët i autoriteteve lokale dhe kombëtare italiane kanë penguar ruajtjen e kësaj zone, theksohet në deklaratë.

Venecia, një qytet italian i ndërtuar mbi një grup prej 118 ishujsh të vegjël, i ndarë me kanale dhe i bashkuar me ura, u themelua në shekullin e 5-të dhe u shfaq si një fuqi e madhe detare në shekullin e 10-të, sipas UNESCO-s. Venecia u shtua në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në 1987.

Venecia është një nga qytetet më të vizituara në botë. Në periudhat e pikut, 100,000 turistë kalojnë natën atje, përveç dhjetëra mijëra vizitorëve që e vizitojnë çdo ditë. Kjo ndërkohë që rreth 50 mijë banorë jetojnë në qendër të qytetit, i cili gradualisht po shkretohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat