Putin “pushton” Perëndimin me spiunë, aktivizohen “agjentët e fjetur”

Evropë

Putin “pushton” Perëndimin me spiunë, aktivizohen “agjentët e fjetur”

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 11:23
Vladimir Putin

Lufta e Ftohtë nuk mbaroi kurrë. Kjo, të paktën, është pikëpamja e presidentit rus Vladimir Putin. Tregimi më i qartë se Kremlini vazhdoi luftën e tij titanike kundër Perëndimit edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, mund të shihet në aktivitetet e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës ruse. Në operacionet e tyre dhe në fuqinë e madhe që zotërojnë në shoqërinë ruse, ata kanë vazhduar aty ku e la inteligjenca sovjetike. Që nga viti 1991, këto agjenci janë drejtuar nga një strategji revanshiste për ta bërë Rusinë përsëri të madhe dhe për të përmbysur rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të pas Luftës së Ftohtë.  Dikur KGB-ja (spiunazhi sovjetik) arriti të depërtonte në shumë vende. Edhe sot Rusia ka një rrjet global spiunësh të aftë për të zbuluar sekrete nga shumë qeveri perëndimore. Presidenti rus madje ka rrëfyer, gjatë një interviste televizive në vitin 2017, se drejtonte një rrjet “ilegal” spiunësh jashtë vendit, ndërsa ai shërbente si oficer i KGB-së. Presidenti sqaroi se kishte punuar me agjentë të fshehtë, të cilët ishin aktivë pa mbrojtje diplomatike. Këta spiunë njihen si “të paligjshëm”, dhe sot janë më shumë se kurrë në veprim.

“Spiunët e fjetur”

Spiunët rusë "të fjetur" janë në shumë vende në Evropë dhe Amerikë. Media britanike “The Guardian” ka shkruar se Moska ka filluar të përdorë “qelizat e fjetura” të implantuara në vendet perëndimore ose agjentët dhe operativët jozyrtarë, njerëz të kombësive të treta ose "të paligjshme", rusë që mund të kenë shpenzuar edhe vite të tëra, pa bërë asnjë punë inteligjence. “Ilegalët” janë trashëgimia e një programi sovjetik, kujton gazeta britanike e cila citon disa episode si arrestimi, vetëm vitin e kaluar, i të paktën shtatë të dyshuarve të paligjshëm në Norvegji, Brazil, Holandë, Slloveni dhe Greqi. Disa arritën të arratiseshin, ndoshta në Rusi, disa të tjerë janë ende të arrestuar në Perëndim.

Kërcënimi për Britaninë

Kthimi në metodat më të rrezikshme dhe më pak të lehta të spiunazhit u imponua nga dëbimi i gjithsej 450 diplomatëve nga vendet perëndimore, vetëm në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, shumë prej të cilëve ishin operativë të FSB, GRU dhe Sver. Edhe mundësia e kalimit të operativëve si turistë dhe biznesmenë është zhdukur përballë shtrëngimit të dhënies së vizave. Puna investigative e “Bellingcat”, pas helmimit të Sergei Skripal në Salisbury në vitin 2018 hodhi në erë edhe shumë operativë, me numra pasaportash të afërta me ato të agjentëve të dërguar në Angli. Ish-zyrtari i inteligjencës ushtarake britanike, Philip Ingram, ka thënë se ka gjasa të jenë “mijëra” agjentë të tillë që operojnë në Britani, raportoi “The Sun”. Ingram ka treguar se si autoritetet britanike vetëm tani kanë “filluar të zgjohen” në realitetin e këtij kërcënimi. Eksperti i sigurisë, Will Geddes, ka shtuar se agjentët rusë po operojnë në shkallë “shumë të lartë” në vend.  Britania e Madhe muajin e kaluar miratoi një ligj të ri të sigurisë kombëtare, që synon të pengojë spiunazhin dhe ndërhyrjen e huaj në vend.

Rrjeti i agjentëve

Së fundmi, mediat vendase kanë shkruar se tre anëtarë të një rrjeti të dyshuar spiunazhi rus, të cilët u arrestuan nga policia kundër terrorizmit, jetonin në një banesë një milje nga një bazë RAF e përdorur nga ministrat dhe familja mbretërore. Shtetasit bullgarë Orlin Roussev, 45 vjeç, Bizer Dzhambazov, 41 vjeç dhe e dashura e tij 31-vjeçare, Katrin Ivanova, u arrestuan gjatë një serie bastisjesh të inteligjencës në Londër dhe Norfolk. Për rreth një dekadë, të tre kishin lidhje me një apartament në perëndim të Londrës, një distancë e shkurtër nga baza ushtarake RAF Northolt. Anëtarët e familjes mbretërore përdorin rregullisht bazën për të fluturuar jashtë vendit, dhe gjithashtu përdoret shpesh nga ministrat dhe krerët e huaj të shteteve. Arrestimet mësohet se kanë ardhur pas një hetimi të gjatë kundër-spiunazhi të kryer nga Scotland Yard.  Tre të pandehurit u arrestuan fillimisht në muajin shkurt dhe pasi u akuzuan për dokumentacion fals, u lanë në masën e paraburgimit. Ata nuk kanë pranuar ende akuzat dhe do të dalin në gjyq në Old Bailey në janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat