Erdogani së shpejti në Rusi për marrëveshjen për drithin

Evropë

Erdogani së shpejti në Rusi për marrëveshjen për drithin

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 17:12
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë së shpejti Rusinë, për të diskutuar rreth rikthimit të mundshëm të marrëveshjes së OKB-së që lejonte eksportet e drithit ukrainas përmes Detit të Zi, tha të hënën një zëdhënës i partisë në pushtet AK.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan vjet një marrëveshje që zgjati deri muajin e kaluar, kur Moska u tërhoq. Ankaraja po përpiqet të bindë Rusinë që të ribëhet palë e marrëveshjes, që mundësoi eksportimin e dhjetëra milionë tonëve drithë nga portet e Odesas.

Që kur afati i marrëveshjes skadoi, forcat ruse kanë goditur portet ukrainase me raketa dhe dronë, raporton VOA.

Omer Celik, zëdhënësi i Partisë turke AK, tha se zoti Erdogan do të vizitojë së shpejti qytetin rus Sochi, por nuk tha nëse do të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Pas kësaj vizite mund të ketë zhvillime të reja dhe mund të arrihen faza të reja për sa i përket marrëveshjes së grurit”, u tha zoti Celik gazetarëve.

Kremlini tha të premten se ekziston një mirëkuptim se dy udhëheqësit do të takohen nga afër së shpejti.

Rrjeti i lajmeve financiare Bloomberg citoi dy burime anonime që thanë se zoti Erdogan pritet të takohet me zotin Putin në Rusi javën e ardhshme, ndoshta më 8 shtator, përpara se të udhëtojë drejt takimit të G-20ës në Indi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat