Vriten dy ushtarë armenë në granatimet nga Azerbajxhani

Evropë

Vriten dy ushtarë armenë në granatimet nga Azerbajxhani

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 14:48
Ushtarë armenë në kufirin me Azerbajxhanin, 2 gusht 2022.

Armenia dhe Azerbajxhani raportuan për viktima pas bombardimeve intensive në kufirin e tyre të përbashkët më 1 shtator.

Ministria armene e Mbrojtjes tha se dy nga ushtarët e saj u vranë dhe një u plagos në një "shkëmbim zjarri intensiv" pranë qytetit Sotk. Ndërkohë, Azerbajxhani akuzoi forcat armene se hapën zjarr në drejtim të tyre, duke thënë se një ushtar i Azerbajxhanit u plagos.

Tensionet midis Bakusë dhe Jerevanit janë përshkallëzuar ndjeshëm muajt e fundit, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve dhe të shtëna me armë zjarri ndërkufitare, raporton REL.

Incidenti shënon pengesë në procesin e paqes ndërmjet dy ish-republikave sovjetike, të cilat për dekada kanë mosmarrëveshje të ashpra lidhur me rajonin e Nagorno-Karabakut.

Jerevani dhe Baku kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin mbi rajonin, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por kryesisht i populluar nga armenë etnikë.

Dy palët nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme paqeje, pavarësisht përpjekjeve dhe ndërmjetësimit nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.

Azerbajxhani akuzoi Armeninë për vendosjen e trupave përgjatë kufijve të paqëndrueshëm të të dyja vendeve në gusht, ndërsa Armenia akuzoi ushtrinë e Azerbajxhanit se hapi zjarr ndaj vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Autoritetet separatiste në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut thanë në qershor se katër ushtarë armenë u vranë nga zjarri i Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat