Gjermani: Afera Aiwanger para fazës vendimtare

Evropë

Gjermani: Afera Aiwanger para fazës vendimtare

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 10:08
Ministri i Ekonomisë, Hubert Aiwanger, BavariFotografi: Tobias C. Köhler/dpa/picture alliance

Kreu i partisë bavareze "Votuesit e lirë", Hubert Aiwanger po kritikohet ashpër pas zbulimit të një letre me përmbajtje të shëmtuar antisemististe. Tani ai iu përgjigj 25 pyetjeve të kërkuara nga kryeministri Söder.

Si do të veprohet më tej? 25 pyetjeve duhet t'u jepte përgjigje, kreu i partisë bavareze, "Votuesit e lirë", Hubert Aiwanger, zëvendëskryeministër i qeverisë bavareze e ministër i Ekonomisë në Bavari - përgjigje të kërkuara nga kryeministri, Markus Söder një javë pas bërjes publike të letrës me përmbajtje të shëmtuar antisemitiste. Vetë Markus Söder e cilësoi letrën si "të neveritshme" dhe "me zhargonin më të shëmtuar nazist".

Kancelaria në Mynih konfirmoi mbërritjen e letrës, sipas dpa. Tani varet vendimi nga kryeministri, Markus Söder, CSU. Ai duhet të vendosë, nëse një muaj para zgjedhjeve të landit më 8 tetor, do të shkarkojë nga detyra zëvendësin e tij. Vetë politikani ka mohuar lidhjet me këtë letër të vjetër nga koha, kur Aiwanger ishte nxënës shkolle. Nuk dihet, se kur Söder do të japë përgjigje për këtë çështje. Söder rriti presionin ndaj Aiwanger,të premten. "Për mua ka rëndësi, që të 25 pyetjet të përgjigjen gjerësisht, me shpejtësi dhe besueshmëri", tha Söder, pa vendosur një afat, raporton DW.

Image
Hubert Aiwanger dhe Markus Söder, kryministri bavarezFotografi: Frank Hoermann/SvenSimon/picture alliance

Nuk janë bërë publike as pyetjet dhe përgjigjet në lidhje me letrën antisemitiste. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë, ka kërkuar partia në opozitë, FDP në landin e Bavarisë. "Qytetaret e qytetarët duhet të krijojnë vetë një opinion, se çfarë ka për të thënë zëvendëskryeministri i tyre në lidhje me fajësimet publike kundër tij", tha kreu i grupit parlamentar të liberalëve, FDP, Martin Hagen. Nuk duhet të mbetet tek një shkëmbim ekskluziv letrash mes CSU dhe "Votuesve të Lirë". Sipas Hagen transparenca ka rëndësi, që të mos dëmtohet thellë besimi në qeverisjen e shtetit.

Kritika nga kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve

Vetë Aiwanger mbrojti veten në një takim publik së fundmi në Bavari, kur tha "edhe unë në rininë time e kam menderosur. Po, kam bërë gabime". Por ai tha se nuk është në rregull, që 35 apo 40 vite më vonë të konfrontosh dikë me gjëra që çojnë deri "shkatërrimin e ekzistencës së tij profesionale".

Ka shumë gjëra, që nuk do t'i bëja më kështu, tha politikani bavarez, por njeriut duhet t'i lejohet në jetë që të përmirësohet. Aiwanger bëri fjalë për një fushatë të pistë kundër tij.

Image
Hubert AiwangerFotografi: Frank Hoermann//SvenSimon/picture alliance

Para disa ditësh,kreu i partisë "Votuesit e lirë" kishte mohuar me shkrim, se e kishte shkruar ai letrën antisemitiste, për të cilën kishte informuar gazeta "Südddeutsche Zeitung" para një jave. Në të njëjtën kohë ai pranoi, se një ose disa kopje të letrës ishin gjetur në çantën e tij. Pak më vonë, vëllai i Aiwanger pranoi publikisht, se ai e kishte shkruar këtë letër.

Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef Schuster kritikoi Aiwanger për mënyrën e veprimit me këtë çështje. Schuster tha për ZDF, se e shikon si problematike, që menjëherë pas kërkimit ndjesë publikisht, kalohet tek tema që e gjitha është një fushatë kundër tij. Schuster kritikoi edhe deklaratat e Aiwanger në "Welt". Kreu i "Votuesve të Lirë" kishte thënë aty, se për mendimin e tij, Shoah, gjenocidi masiv ndaj hebrenjve europianë gjatë kohës naziste keqpërdoret për qëllime politike. Schuster tha, se nga kjo duket se kalohet në ndërrimin e pozicionit të viktimës dhe fajtorit, dhe se kështu "viktima kthehet në fajtorin".

Image
Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef SchusterFotografi: Martin Müller/IMAGO

Krahas letrës me përmbajtje të qartë antisemististe të gjetur dikur në çantën e Aiwanger, politikani bavarez është rënduar edhe nga deklarata të ish-nxënësve të shkollës. Ai ka rënë në sy gjatë kohës së shkollës me imitime të Hitlerit, dhe se gjatë një vizite në një vend përkujtimor të kampeve të përqëndrimit, Aiwanger kishte rrëfyer barcoletë tallëse mbi hebrenjtë, kanë thënë ish-nxënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat