​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

Evropë

​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Pak më shumë se 393,000 fëmijë kanë lindur në Itali në vitin 2022, që paraqet një rënie prej 1.7% krahasuar me vitin e kaluar, duke e çuar shkallën e lindjeve në një nivel të ri rekord, tha të enjten Istat.

Tendenca rënëse duket se do të vazhdojë edhe në vitin 2023: sipas të dhënave provizore, në gjysmën e parë të vitit ka pasur një ulje prej 1.9% të lindshmërisë, e barabartë me 3500 foshnja më pak të lindura, gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, tha agjencia kombëtare e statistikave.

ISTAT shtoi se numri i lindjeve ka rënë pandërprerë prej 15 vitesh. Kontributi në lindshmërinë e popullsisë së huaj në Itali gjithashtu duket se po pakësohet, tha ISTAT.

Përveç kësaj, agjencia e statistikave tha se 41.5% e fëmijëve të lindur në Itali në vitin 2022, ose 163,317, kanë lindur jashtë martese. Përqindja e fëmijëve të lindur nga prindër të pamartuar është rritur me 33 pikë përqindjeje që nga fillimi i mijëvjeçarit, shtoi ISTAT.

Kthimi i rënies së natalitetit është një prioritet kryesor i deklaruar për qeverinë e kryeministrit Giorgia Meloni.

Në projektligjin e buxhetit të vitit 2024, shteti propozon që të mbulohen deri në 3000 euro në vit kontribute të sigurimeve shoqërore për nënat që punojnë me dy fëmijë, ku më i vogli është nën 10 vjeç dhe ato me tre fëmijë e më shumë, me më të voglin deri në 18 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat