Serbia në përplasje të reja diplomatike, kësaj here me Slloveninë: Lubjana refuzon kandidatin e Vuçiqit për ambasador

Evropë

Serbia në përplasje të reja diplomatike, kësaj here me Slloveninë: Lubjana refuzon kandidatin e Vuçiqit për ambasador

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 15:45
Aleksander Vuçiq dhe Zoran Gjorgjeviq

Sllovenia refuzoi pëlqimin për kandidatin e Serbisë për ambasador në atë vend, Zoran Gjorgjeviq, për shkak të “pengesave formale të natyrës së sigurisë”, raporton sot e përditshnja sllovene, Delo.

Serbia më 8 gusht ka kërkuar pëlqimin e Sllovenisë për Gjorgjeviqin përmes kanaleve zyrtare, por sipas informacioneve të Delos, ai nuk do ta marrë atë pëlqim.

Gazeta thekson se nuk ka mundur të merret informacion zyrtar për problemet e dhënies së pëlqimit për Gjorgjeviqin, sepse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane sllovene nuk komenton procedurën për dhënien e pëlqimit për shefat e misioneve diplomatike.

Parimisht, në diplomacinë sllovene, dhënia e letrave kredenciale pason gjashtë deri në tetë javë pas propozimit, me kusht që të mos ketë pengesa procedurale. Këtë e përcaktojnë institucionet kompetente, nga MPJ, policia, autoritetet gjyqësore e deri te shërbimi i inteligjencës dhe sigurisë sllovene, dhe sipas informacioneve, një nga ato institucione ka shprehur një “rezervë formale” ndaj Gjorgjeviqit.

Sipas nenit 4 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, shteti pritës nuk është i detyruar t’i shpjegojë shtetit dërgues arsyet e refuzimit të pëlqimit.

Në praktikën e vendosur diplomatike, konsiderohet refuzim i kandidatit nëse shteti nuk miraton kredencialet brenda 90 ditëve nga data e paraqitjes së aplikimit.

Gjorgjeviq është anëtar i Partisë Progresive Serbe në pushtet, në karrierën e tij politike ka mbajtur postet e Ministrit të Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa aktualisht është drejtor i kompanisë shtetërore “Posta e Serbisë”.

Lajmi për refuzimin e Sllovenisë për të aprovuar emërimin e tij vjen në kohën kur punonjësit e Postës së Serbisë i dhanë fund grevës disaditore, të pakënaqur me pagat dhe statusin në atë ndërmarrje shtetërore.

Gjorgjeviq ishte shënjestër e kritikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e kritikoi atë se nuk i dëgjoi zërat e të pakënaqurve.

“Ne kemi problem me drejtorin e asaj kompanie, se çuditem se çfarë po bënte dhe pse nuk i dëgjoi ata njerëz, ata përgjegjës dhe seriozë. Pse nuk i dëgjoi? Pse nuk iu kushtua më shumë vëmendje problemeve të tyre”, tha Vuçiq së fundmi për TV Pink.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat