​Venecia prezanton ndryshim të madh për turistët: Kjo nuk gjendet askund në botë

Evropë

​Venecia prezanton ndryshim të madh për turistët: Kjo nuk gjendet askund në botë

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Në prill, Venecia do të fillojë testimin e një bilete ditore dhe kufizimin e qasjes së vizitorëve, të cilin kryebashkiaku i qytetit italian e ka shpallur programin e parë të tillë në botë.

Synimi është të menaxhohet fluksi i turistëve gjatë festave kombëtare të pranverës dhe fundjavave të verës, kur numri i vizitorëve është më i madhi, njoftuan autoritetet lokale në një konferencë për shtyp të enjten.

“Kjo është hera e parë në botë që po bëhet diçka e tillë, hyrja në qytet do të jetë e rezervueshme”, tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro.

Kufizimet do të zbatohen nga ora 8:30 deri në 16:00 me orën lokale, fillimisht për një total prej 29 ditësh dhe do të mbulojnë shumicën e fundjavave nga 25 prilli deri në mes të korrikut të vitit të ardhshëm.

Udhëtarët do të duhet të rezervojnë vizitën e tyre në internet dhe të paguajnë pesë euro për të marrë një kod QR që do të skanohet në pika të caktuara hyrjeje dhe do t'u lejojë atyre qasje në rrethet historike të qytetit.

Kufizimet nuk do të zbatohen për ishujt më të vegjël në lagunë, siç është ishulli Murano, i njohur për industrinë e tij të prodhimit të qelqit. Ata që nuk respektojnë këtë masë potencialisht do të sanksionohen me gjobë nga 50 deri në 310 euro.

Banorët, ata të lindur në Venecia, studentët, punëtorët dhe pronarët e shtëpive në qytet do të përjashtohen nga masa, tha këshilltari Michele Zuin. Vizitorët nën moshën 14 vjeç do të duhet të regjistrohen, por qasja e tyre do të jetë falas.

Turizmi masiv dhe përmbytjet kanë pllakosur prej kohësh qytetin e brishtë të njohur për kanalet e tij dhe monumentet kulturore.

"Ne duam të matim ndikimin e kësaj periudhe prove, ne duam të matim ndikimin e kësaj aftësie rezervimi," tha Brugnaro.

Vlerësohet se eksperimenti do të kushtojë tre milionë euro krahasuar me fitimet e pritshme prej 700.000 eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat