​Kancelari gjerman thotë se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti

Evropë

​Kancelari gjerman thotë se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 14:50
Scholz

Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj me Rusinë pasi konflikti ushtarak, i cili filloi në shkurt 2022, nuk do të përfundojë së shpejti, tha të shtunën kancelari Olaf Scholz.

"Jo, kjo luftë nuk do të përfundojë së shpejti - ne të gjithë do të dëshironim të ndodhte - dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi në gjendje të vazhdojmë presionin...," tha Scholz në konferencën e Partisë Socialdemokrate (SPD) në Berlin.

“Ne duhet të ndihmojmë dhe të jemi në gjendje të ndihmojmë Ukrainën në bazë të solidaritetit. Ne mbështesim Ukrainën në luftën e saj të mbrojtjes, me burime financiare dhe armë”, shtoi ai.

Kancelari tha se shpesh pyetet nga qytetarët nëse sanksionet kundër Moskës janë të drejta, për të cilën ai u përgjigj: “Po. (Presidenti rus Vladmir) Putini nuk duhet dhe nuk do të presë që ne të dorëzohemi.”

Gjermania konsiderohet të jetë mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës pas SHBA-së dhe ka furnizuar me armë në një shkallë të gjerë, duke përfshirë tanke beteje, artileri të rënda dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Berlini të premten njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën që përfshin predha, dronë, dhe automjete.

Në një deklaratë thuhet se pakoja e re përfshinë 10 dronë zbulimi Vector, 1.750 predha artilerie, 70 granatahedhës, gjashtë makina patrullimi dhe tetë kamionë, si dhe 100.000 komplete ushtarake të ndihmës së parë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat