La Repubblica: Fëmijët e Berlusconit duan të shesin një pjesë të madhe të pronave të tij

Evropë

La Repubblica: Fëmijët e Berlusconit duan të shesin një pjesë të madhe të pronave të tij

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 23:26
Silvo Berlusconi

Sipas shtypit italian, pesë fëmijët e Silvio Berlusconit duan të shesin një pjesë të madhe të pasurive të paluajtshme të ish-kryeministrit italian, i cili vdiq qershorin e kaluar.

Më në detaje, gazeta La Repubblica shkruan se në fazën e parë trashëgimtarët e “Cavaliere” dëshirojnë të shesin vilën Certosa, e cila ndodhet në Porto Rotondo të Sardenjës dhe sipas shumë vlerësimeve kap vlerën e 260 milionë eurove.

Ai e kishte blerë këtë pallat në vitin 1998 ku ndër të tjera kishin kaluar një pjesë të pushimeve verore ish-kryeministri britanik Tony Blair, presidenti rus Vladimir Putin dhe ish-kryeministri çek Mirek Topolanek.

“Në këtë vilë me vullkane artificiale dhe pishina, organizoheshin festa me shampanjë të bollshme, të cilat zgjatën deri në agim”, shkruan gazeta.

Në total, pallatet e trashëguara nga fëmijët e manjatit dhe politikanit italian llogariten të kapin vlerën e rreth 800 milionë eurove. Ndër më mbresëlënësit është “Villa Grande”, në rrugën historike Apiane në Romë, ku jetoi prej shumë vitesh regjisori i njohur Franco Zeffirelli. Në kopshtin e saj dhe në katin e parë të godinës u zhvilluan shumë takime vendimtare të drejtuesve të qendrës së djathtë italiane.

Pronat e “Cavaliere” përfshijnë gjithashtu një rezidencë luksoze që ndodhet në ishullin e vogël Lampedusa, në jug të Siçilisë, si dhe dhjetëra apartamente të mëdha në zona të shtrenjta të Milanos.

Sipas gazetës, e vetmja gjë e sigurt është se vila Arcore prej 3500 metrash katrorë, ku Berlusconi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, nuk do të shitet në asnjë rrethanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat