Kongresi i SPD-së: mbështetje për kancelarin Scholz

Evropë

Kongresi i SPD-së: mbështetje për kancelarin Scholz

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 08:28
Olaf Scholz

Në sondazhe kancelari Olaf Solz dhe partia e tij zënë vendet e fundit. Në radhët e social-demokratëve ka shumë pakënaqësi, por në kongresin e partisë nuk pati revoltë. Në debate mbretëruan sfida, besim dhe shpresa.

Fryma mes 600 delegatëve të Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD) që kishin ardhur nga i gjithë vendi në Berlin për kongresin e partisë ishte e acaruar. Po të zhvilloheshin tani zgjedhje federale, SPD do të fitonte vetëm14 për qind. Katër nga pesë gjermanë thonë se janë të pakënaqur me punën e kancelarit Olaf Scholz - një rekord historik.

"Shtëpia është në flakë dhe njerëzit po e humbasin besimin tek ne tani”, u ankua kryetari i Jusos, organizatës rinore të SPD-së, Filip Tirmer.

Kursime me shumicë apo huamarrje të reja?

Dy vjet më parë, SPD, të Gjelbërit dhe Liberalët (FDP) morën së bashku frenat e qeverisë gjermane. Ata shpesh grindeshin, por kriza nuk ishte kurrë aq e madhe sa tani. Në mes të nëntorit Gjykata Kushtetuese Federale e shpalli jokushtetuese vendimin për riorientimin e 60 miliardë euro nga fondi për luftimin e pandemisë Corona në fondin ekologjik. Si rezultat, dhe sipas përllogaritjeve të Ministrit të Financave, Christian Lindner (FDP), koalicionit tani i mungojnë 17 miliardë euro vetëm në buxhetin e vitit 2024.

Image
Olaf Scholz u përcoll me brohoritje

SPD dhe të Gjelbrit do të donin ta zgjidhnin këtë problem me kredi të reja, por FDP këmbëngul që t'i përmbahet të ashtuquajturës "frenat e borxhit”. Ky rregull parashikohet në Kushtetutë dhe mund të ndryshohet vetëm me mbështetjen e 2/3 të votave.

Rrënimi i mirëqenies

Gjetja e një zgjidhjeje për dalje nga situata e tanishme "është një detyrë shumë e vështirë," pranoi Olaf Scholz para delegatëve. "Sidomos kur nuk mund ta bësh atë në mënyrën që mendon se është e drejtë, por duhet të biesh dakord me të tjerët." Megjithatë, ai është i bindur, "se do t'ia dalim". Por kancelari nuk shpjegoi se si do t'ia dalim. Ai tha vetëm këtë: "Nuk do të ketë shpërbërje të shtetit të mirëqenies në Gjermani".

Kjo ishte gjëja më e vogël që delegatët e SPD donin të dëgjonin nga kancelari i tyre socialdemokrate, pasi FDP po bën presion për shkurtime të përfitimeve për të papunët. SPD e refuzon me forcë këtë dhe në vend të kësaj propozon rishikimin dhe heqjen e "subvencioneve të padrejta që dëmtojnë klimën". Kjo vlen, ndër të tjera, për drejtuesit e makinave - e kjo refuzohet nga FDP.

Fillimisht pezullimi i "frenave”, e më pas reformimet

Të rinjtë e SPD-së donin të hiqnin "frenën e borxhit", por kjo nuk kaloi në kongres. Në vend të kësaj, u vendos që të kërkohet që në vitin 2024 frena të pezullohet edhe një herë, ndërsa më të reformohet. Investimet duhet të përjashtohen nga kërkesa për një buxhet të balancuar, u tha.

"Kina, SHBA, Koreja e Jugut, India - ekonomitë më të mëdha në botë po investojnë masivisht në modernizimin e projekteve neutrale ndaj klimës si dhe në projektet digjitale," tha Lars Klingbeil. "Kjo ka të bëjë me punë dhe inovacion, prosperitet dhe siguri. E ardhmja është tek një vend që investon, që mbron, që ofron siguri në këto kohë të trazuara”, tha Klingbeil. Ai dhe Saskia Esken, u rizgjodhën si bashkëkryetarë të partisë në kongres.

Gjermania duhet të paguajë prapë?

Arsyetimi ligjor për pezullimin e frenimit të borxhit në 2024 është lufta e vazhdueshme në Ukrainë. Në këtë kontekst, kancelari foli për një sfidë "të madhe" financiare. "Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj", premtoi Olaf Scholz. Megjithatë, kjo luftë ndoshta nuk do të përfundojë së shpejti. Prandaj, thotë ai, është e rëndësishme "të jesh në gjendje të bësh atë që është e nevojshme për një kohë të gjatë".

Gjermania madje duhet të përgatitet për faktin se do të duhet të bëjë edhe më shumë, atëherë "kur të tjerët të dobësohen", tha kancelari, duke aluduar me sa duket për situatën politike në SHBA përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Prandaj, thotë ai, vendimet duhet të merren në Gjermani, e jo diku tjetër.

Image
Saskia Esken, Scholz dhe Lars Klingbeil

Kundërshtimi i populizmit të djathtë

Salla ra në heshtje kur Olaf Solz foli në fjalimin e tij 51-minutësh për ngritjen e partive populiste të krahut të djathtë në shumë vende të Evropës dhe botës. Ajo është e lidhur me ndryshime të mëdha, për shkak të të cilave, siç thotë ai, shumë njerëz nuk e dinë më "nëse gjithçka do t'u funksionojë tek ata dhe familjet e tyre." Për këtë, thotë Scholz, ne duhet t'i përgjigjemi bindshëm dhe t'u shpjegojmë njerëzve se , edhe në kohën e globalizimit dhe ngritjes së kombeve të tjera në kontinente të tjera, ato kanë perspektiva të mira për të ardhmen.

Mesazhe të ngjashme kishte edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili ishte i ftuar në kongresin e SPD. Partia e tij, PSOE, së bashku me SPD-në gjermane, do të kapërcejë këtë periudhë, pretendon Sanchez. Sipas tij, populistët e djathtë dhe ata që janë në favor të ndarjeve nuk do t'ia dalin, ndërsa ne do të promovojmë një Evropë të hapur.

Paralajmërim urgjent për shkak të AfD

Kreu i grupit parlamentar të SPD në Bundestagun gjerman, Rolf Mützenich, paralajmëroi shumë qartë se duhet bërë diçka urgjentisht që AfD të mos forcohet më tej në Gjermani. "Dëgjoni me kujdes," tha Mützenich, duke iu referuar deklarave të ekstremistit të djathtë Björn Höcke, kreut të grupit parlamentar të Alternativës për Gjermaninë në parlamentin e shtetit Thuringia.

Björn Höcke i përshkruan fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët kanë lindur të tillë ose janë bërë të tillë pas ndonjë aksidenti ose sëmundjeje, si një barrë. "Turp!” tha Mützenich. Në fund të fundit nuk do të jetë kështu vetëm me fëmijët dhe të rinjtë: "Më pas vijnë të sëmurët, e pastaj ata që duan të jetojnë ashtu siç e ndjejnë vetë. Prandaj duhet - rezistencë që në fillim!”

Përgjegjësia për shtetin

Mützenich mori shumë duartrokitje, por Olaf Scholz mori edhe më shumë - ndoshta sepse qartësisht bëri një përpjekje për të qenë emocional dhe pasionant. Këto janë cilësi që nuk janë karakteristike për Scholzin e ftohtë dhe racional. "Ndoshta nuk mund të kërkojmë një temperament andaluzian nga Olafi, por askush nuk ka aq përgjegjësi politike sa ai”, tha kryeministrja e landit Saar, Anke Rellinger, pas fjalimit të Scholz.

Image
Saskia Esken, Scholz dhe Lars Klingbeil të kënaqur pas kongresit

Scholtz pranoi duartrokitjet pesëminutëshe me qetësi, ndryshe nga dy bashkëpresidentët, Saskia Esken dhe Lars Klingbeil, për të cilët dukej se ky ishte një lehtësim i madh. Ata kishin frikë se pakënaqësia ndaj Scholtzit do të shprehej shumë në kongresin e partisë. "Të gjithë në sallë mund të ndiheshin si në shtëpinë e tyre”, tha Esken. Për sa i përket vetes, ajo thotë se ishte "e prekur me gjithë zemër”.

Të bashkuar dhe të vendosur

Prandaj kryesia e kongresit bëri thirrje për kohezion brenda partisë që në fillim. SPD-ja i fitoi zgjedhjet me unitet dhe vetëbesim”, tha Esken, "SPD-ja e ka gjetur veten, e di se çfarë përfaqëson sërish, e di që mbijetoi dhe do të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”.

Klingbeil u përpoq gjithashtu të inkurajonte partinë: "Detyra është e madhe, por unë jam plotësisht i bindur se nuk ka asnjë forcë tjetër politike që mund t'i arrijë të gjitha këto." Po a janë të bindur skeptikët? Udhëheqësi i të rinjve Philip Tirmer paralajmëroi udhëheqjen e partisë: "Shpresoj t'i kujtoni Olafit atë që vendosëm këtu në kongresin e partisë"./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat