LIVE: Huqja e ushtarëve rusë, sulmet me raketa - Macron me “ofertë” për Putinin

Evropë

LIVE: Huqja e ushtarëve rusë, sulmet me raketa - Macron me “ofertë” për Putinin

Nga: Bota sot Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 21:19 më 15.12.2023
Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron

Rusi i bllokuar në motin e ftohtë, si u qëllua me predhë nga ushtria ukrainase

Një ushtar rus kishte mbetur i vetmuar në një fushë të hapur në rajonin e Avdikias në Ukrainë, kur ushtria ukrainase e sulmoi.

Blogu ushtarak ukrainas ka publikuar momentin kur ushtari u godit me predhë në momentin kur po tentohej të fshihej; situatën e bënin më të vështirë edhe temperaturat e ulëta.

Në pamje ai shihet kur u qëllua, dhe i plagosur, nuk ia del të largohet. Nuk është bërë e ditur për fatin e tij.

Moti i ftohtë ka vështirësuar situatën e luftës në Ukrainë. Ditëve të fundit, temperaturat kanë rënë nën 5 gradë Celsius.

Ndryshe, presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të enjten se ushtria ruse nuk e ka ndërruar strategjinë e luftës

Huqja nga rusët, lansuan raketa të shumta në drejtim të aeroplanit të tyre

Një aeroplan rus SU-25 për pak u godit nga raketat e shumta të cilat si duken u shkrepën aksidentalisht nga një sistem raketor rus, i tipit Grad.

Pamjet të cilat kanë bërë xhiron në internet, tregojnë momentin kur aeroplani rus u shpëtoi “për një fije floku” raketave që u shkrepën në drejtim të tij.

E gjitha kjo si duket kishte ndodhur në mënyrë aksidentale, dhe aeroplani rus duhej të bënte manovra për të shpëtuar nga sulmi.

Së paku katër raketa u shkrepën në drejtimin ku fluturonte aeroplani.

Nuk dihet se në cilën zonë janë xhiruar pamjet, megjithatë kjo mund të ketë ndodhur në territorin ukrainas. 

Reagon Kremlini: Europa kërkon të antagonizojë Rusinë

“Vendimi i BE-së për të nisur bisedimet e pranimit për Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t’i dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit është i gjithë politikë, i bërë jo për përfitimin e Evropës, por thjesht për të antagonizuar Rusinë”, ka deklaruar Kremlini sot.

“Këto janë çështjet sovrane të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë.

Megjithatë natyra e politizuar e këtij vendimi është e dukshme,” tha zyrtari i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ditën e djeshme BE mori një vendim për të filluar bisedimet për pranimin e Ukrainës dhe Moldavisë në union dhe për dhënien e statusit të kandidatit për Gjeorgjinë.

Macron: Jam i hapur për bisedime me Putinin, për të siguruar paqe

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten se ende është i hapur të bisedojë me homologun e vet rus, Vladimir Putin, nëse kjo do të ndihmonte në sjelljen e paqes së qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë.

Macroni dhe Putini gëzonin marrëdhënie të mira pune para se Rusia ta niste pushtimin e fqinjit të vet në shkurt 2022.

Përpjekjet diplomatike të Macronit disa javë para se të nisnin luftimet dështuan për ta parandaluar luftën, por ai e kishte mbajtur të hapur për disa muaj linjën e komunikimeve me presidentin rus.

Marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe personale u përkeqësuan shumë me vazhdimin e luftës. Në fillim të këtij viti, Macroni e kishte menduar mundësinë për t’ia hequr Putinit medaljen më të lartë të nderit të Francës.

Putini ishte pyetur të enjten gjatë një konference me gazetarë për qëndrimet e tij rreth Francës dhe Macronit.

Putini tha: “Në një çast, presidenti francez i dha fund marrëdhënieve me ne. Nuk e bëmë ne, nuk e bëra unë. E bëri ai. Nëse ka interes, ne jemi të gatshëm. Nëse jo, do t’ia dalim”.

Duke folur në Bruksel të premten në fund të një samiti të liderëve të BE-së, Macroni tha se është i hapur për dialog me Putinin për të gjetur një zgjidhje paqësore, nëse lideri rus e kontakton.

“Nuk e nisa unë luftën në mënyrë të njëanshme, duke i shkelur marrëveshjet të cilat i kisha nënshkruar. Dhe, nuk ishte Franca ajo që vendosi të kryejë krime lufte në veri të Ukrainës, duke i bërë të pamundura bisedimet”, tha Macroni.

Ai shtoi se “ne duhet të jemi seriozë” dhe se “unë nuk e kam ndryshuar numrin”.

Lideri francez nënvizoi se, nëse Putini tregon vullnet për ta nisur dialogun për ndërtimin e paqes afatgjate, Franca është e gatshme të ndihmojë.

Por, Putini tha këtë javë se nuk do të ketë paqe derisa Rusia t’i arrin synimet e veta, të cilat, sipas tij, mbesin të pandryshueshme pas gati dy vjetëve luftime në Ukrainë./REL

Putin heq dorë nga negociatat me Ukrainën, i rikthehet “avazit” të vjetër, lëvizja e fundit e presidentit rus “shkund” Perëndimin

Për herë të parë që nga qershori 2021, pra pas një pauze dyvjeçare, presidenti rus Vladimir Putin , i cili pak ditë më parë shpalli kandidaturën e tij për mandatin e tij të pestë presidencial, mbajti një "konferencë masive për gazetarët dhe qytetarët", të quajtur Linja Direkte ose Rezultatet vjetore të Putinit. Për shkak të zgjedhjeve të marsit 2024, në të cilat ai dëshiron të marrë të paktën 80 për qind mbështetje, Putin po përpiqet të paraqitet sërish si një lider që mban të gjitha “fijet” në duart e tij dhe të konfirmohet si i vetmi person që garanton stabilitetin e Rusisë, mbijetesën dhe ekzistencën edhe si shtet edhe si komb. Nga njëra anë, ai është shumë agresiv kur flet për luftën në Ukrainë. Ai ishte plotësisht i qartë, nuk ka ndërmend të ndalojë luftën.  Duke folur se kur dhe si mund të përfundojë lufta në Ukrainë, Putini u përgjigj troç se "paqja do të vijë kur të arrijmë qëllimet tona". “Ato nuk ndryshojnë: çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës dhe statusi i saj neutral”, tha Putin, duke hedhur poshtë të gjitha njoftimet se Moska është gati për një lloj negociatash paqeje. Është e qartë, nëse përkthejmë atë që po thotë Putin, se "bisedimet e paqes" që ai do të pranonte janë kapitullim ukrainas.

Hipokrizia e Putin

Si një “baba i familjes” i kujdesshëm, i gjithanshëm dhe i vetmi që mund të ndihmojë secilin individualisht. Shembuj klasikë të "perandorit të mirë" ose "Stalinit të mirë" të parë tashmë në histori. Ai është i mirë dhe do të bëjë gjithçka, dhe nëse diçka shkon keq, ata që e rrethojnë e bëjnë. Ai nuk tha absolutisht asgjë të papritur, por në fakt përsëriti gjithçka që ka thënë vitet e fundit, veçanërisht që kur filloi agresioni kundër Ukrainës. Ai ishte i parashikueshëm, i mërzitshëm dhe jashtëzakonisht hipokrit. Ai nuk e ka lejuar as zëdhënësin e tij Dmitry Peskov të zgjedhë gazetarët që do të bëjnë pyetjen, por i ka zgjedhur vetë.

Peskov donte t'i jepte fjalën një gazetari të New York Times, por Putini kërkoi të linte gazetarin kinez nga agjencia Xinhua të largohej i pari. "Marrëdhëniet ruso-kineze janë një nga garantuesit më të rëndësishëm të stabilitetit në botë. Ne shohim përpjekje nga Perëndimi për të zhvendosur aktivitetet e NATO-s në Azi. Kina dhe ne nuk po bëjmë asgjë të ngjashme. Po, ne bashkëpunojmë, por ne nuk krijojmë blloqe, as aleanca. Dhe Perëndimi është gjithmonë kundër dikujt", tha ai.

Lufta me Perëndimin

Presidenti rus dërgoi mesazhe të qarta dhe kërcënuese për Perëndimin. "Rusët dhe ukrainasit janë në thelb një popull dhe ajo që ne po dëshmojmë tani është një tragjedi e madhe që i ngjan një lufte civile midis vëllezërve në palët kundërshtare Dhe nuk është as faji i tyre”, tha Putin. Cari njoftoi se do të ndajë mbi një mijë miliardë rubla, ose 10.3 miliardë euro çdo vit për zhvillimin" e rajoneve të aneksuara të Ukrainës për të inkurajuar "përfshirjen e tyre graduale në jetën ekonomike dhe sociale të Rusisë". Një “thesar” që konfirmon, nëse ka pasur ndonjëherë nevojë, dëshirën absolute të Kremlinit për të kristalizuar situatën aktuale. Negociatat e paqes, kur të ndodhin, do të nisin nga këto baza. Një negociatë që sot duket shumë e largët: “Aktualisht në zonën ku po zhvillohet operacioni special në Ukrainë janë 617 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak rus, ndërsa shtrirja e vijës së frontit ka kaluar tashmë dy mijë kilometra", theksoi Vladimir Putin.

Negociatat

Pak javë më parë, vetë Putini dukej se shpresonte për një përshpejtim të procesit të paqes. Tani, megjithatë, me Shtetet e Bashkuara që duket se e kanë ulur mbështetjen e tyre për aleatin e saj Zelensky, Moska po provon fatin edhe një herë. Ushtria ruse, pas sulmit të dështuar ndaj Kievit vitin e kaluar, ka bërë një kthesë dhe po rindërton fuqinë e saj. Moska tani ka më shumë trupa, municion dhe raketa, dhe ka rritur avantazhin e fuqisë së saj të zjarrit me një flotë dronësh luftarakë, shumë të furnizuar nga Irani. Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë konsultimet ushtarake me bisedime ballë për ballë - duke dërguar një gjeneral të lartë në Kiev për të kaluar më shumë kohë në terren, dhe së shpejti pritet hartimi i një strategjie të re.

​Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën

Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë një pajtim për një paketë prej 50 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën, pasi Hungaria vuri veton ndaj ndihmës mbrëmjen e 14 dhjetorit.

Veprimi i Hungarisë si goditje ndaj Kievit, vjen në kohën kur liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainën dhe Moldavisë në BE.

Hungaria do të mund të ndalojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian më vonë nëse është e nevojshme, meqë BE kishte marrë një "vendim të keq" kur vendosi të fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore.

Ai tha se nëse BE dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj aktual, atëherë do të jetë një "mundësi e madhe për Hungarinë të thotë se duhet të marrë paratë që ka të drejtë”.

Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë.

Të enjten blloku 27 anëtarësh miratoi gjithashtu një paketë prej dymbëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.

Viktor Orban i cili abstentoi nga vendimi i BE-së të enjten, tha në një reagim në rrjetin social Facebook se vendi i tij nuk deshi "të marrë pjesë në një vendim të keq".

Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t'iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2024.

Kryeministri Shmyhal: Ukraina është e gatshme të ecë sa më shpejt në rrugën e saj drejt BE-së

Ukraina është e vendosur të ecë sa më shpejt në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, u shpreh kryeministri Denys Shmyhal në Facebook.

“Historia po bëhet para syve tanë. Udhëheqësit e BE-së kanë vendosur të nisin negociatat me Ukrainën për pranimin tonë në BE. Me këtë vendim, Bashkimi Evropian vlerësoi lartë edhe reformat që kemi bërë vitet e fundit dhe zbatimin nga ana jonë të të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian,” vuri në dukje kryeministri.

Sipas Shmyhal, një rrugë e vështirë është përpara. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të gatshëm për ta kaluar sa më shpejt. Ukraina do të jetë anëtare e BE-së,” theksoi kreu i qeverisë.

Më herët, më 14 dhjetor, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se liderët e vendeve anëtare të BE-së kishin arritur një marrëveshje për nisjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë për pranimin e vendeve në Bashkimin Evropian.

Presidenti rus Putin: Do të ketë paqe kur Rusia të arrijë qëllimet e saj

Presidenti rus Vladimir Putin përshkroi qëllimet kryesore për arritjen e paqes me Ukrainën.

Vladimir Putin foli tha gjatë një konference për shtyp me gazetarë për synimet e deklaruara në fillim të ‘operacionit ushtarak special’

“Do të ketë paqe kur ne [Rusia] t’i arrijë qëllimet e saj. Një nga synimet kryesore është çmilitarizimi i Ukrainës,” tha Putin.

Ai kujtoi gjithashtu se çështjet e paqes u diskutuan në tryezën e bisedimeve me Stambollin, por “dolën të pasigurta.”

Sipas tij, Rusia ka shkatërruar 747 tanke dhe 2300 automjete të blinduara të Forcave të Armatosura të Ukrainës që nga fillimi i kundërofensivës ukrainase.

Estonia dërgon raketa antitank në Ukrainë

Kabineti qeveritar i Estonisë ka mbështetur propozimin e Ministrit të Mbrojtjes Hanno Pevkur (Reforma) për të ofruar ndihmë ushtarake afatgjatë për Ukrainën, si dhe një paketë të gjerë ndihme ushtarake për të mbështetur mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.

Ndihma ushtarake përfshin raketa antitank Javelin, anije dhe pajisje të tjera shumë të nevojshme.

“Ashtu si Javelins estoneze që luajtën një rol vendimtar vitin e kaluar në mbrojtjen e Kievit dhe frymëzuan vendet e tjera për t’i dhënë një dorë ndihmë Ukrainës, qëllimi ynë me këtë paketë të gjerë ndihme është të tregojmë se lufta e Ukrainës për liri mund të ketë sukses vetëm nëse aleatët vazhdojnë të ndihmojnë ukrainasit,” tha Pevkur.

Përveç një numri të madh minash antitank Javelin, paketa më e re e ndihmës përfshin edhe mitralozë, municion për armatim të lehtë, automjete dhe mjete të ndryshme, si dhe pajisje zhytjeje. Për arsye sigurie, shumat e sakta që ofrohen nuk po i zbulohen publikut të gjerë. Megjithatë, vlera zëvendësuese e paketës është rreth 80 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat