Kardinali i Vatikanit thotë se është i pafajshëm ndaj akuzave për përvetësim dhe mashtrim

Evropë

Kardinali i Vatikanit thotë se është i pafajshëm ndaj akuzave për përvetësim dhe mashtrim

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 00:22
Kardinali Angelo Becciu, zyrtari më i lartë i Kishës Katolike Romake. Foto: The Australian

Kardinali Angelo Becciu, zyrtari më i lartë i Kishës Katolike Romake, i gjykuar ndonjëherë nga një gjykatë penale e Vatikanit, deklaroi të hënën se është i pafajshëm në komentet e tij të para publike që kur u shpall fajtor për përvetësim dhe mashtrim.

“Dua ta them me zë të lartë para gjithë botës se jam i pafajshëm se absolutisht nuk i kam kryer këto krime për të cilat akuzohem”, tha 75-vjeçari në një intervistë për televizionin publik italian RAI.

Kardinali Becciu tha se shpresonte që Papa Françesku ta besonte.

Të shtunën, gjyqtarët e Vatikanit e dënuan atë me 5-1/2 vjet burgim, por kardinali i cili tha përmes avokatëve të tij se do ta kundërshtonte vendimin, nuk pritet të shkojë në burg në pritje të procedurave të apelit.

Nëntë persona të tjerë u gjykuan përveç kardinalit italian në një çështje të paprecedentë për Vatikanin. Të gjithë u shpallën fajtorë, të paktën për disa akuza, me përjashtim të ish-sekretarit së tij, akuzat ndaj të cilit u rrëzuan.

Gjyqi përqendrohej kryesisht te një marrëveshje e dështuar për pasuri të patundshme në qendër të Londrës, nga e cila Vatikani pati një humbje prej rreth 140 milionë eurosh.

Kardinali Becciu u dënua gjithashtu në lidhje me pagesat e bëra për disa kompani ose organizata bamirëse të kontrolluara nga vëllezërit e tij dhe pagesat për një person të vetëdeklaruar si konsulent sigurie, i cili dyshohet se shpenzoi pjesën më të madhe të fondeve për artikuj luksozë dhe vizita në qendra masazhesh. /VoA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat