Parlamenti francez e miraton ligjin kontrovers për migrimin

Evropë

Parlamenti francez e miraton ligjin kontrovers për migrimin

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 08:43
Salla e Parlamentit të Francës.

Parlamenti francez e ka miratuar një legjislacion që ashpërson politikën e Francës për imigrim, pas disa muajve bllokadë.

Projektligji i amandamentuar është përkrahur nga partia e qendrës, e presidentit francez, Emmanuel Macron, Rilindja, dhe partia e krahut të djathtë e Marine Le Penit, Marshi Kombëtar.

Të majtët e kanë akuzuar Macronin se po bën koncesione me të djathtën ekstreme.

Megjithatë, shumica ka qenë aq e madhe në dhomën e ulët të parlamentit, sa partia në pushtet nuk ka pasur nevojë për mbështetjen e Le Penit.

Macroni i ka thënë partisë së tij, para votimit në Parlament, se nuk dëshiron që Marshi Kombëtar të ketë fjalën e fundit mbi këtë fitore.

Ai ka thënë se më përpara e dërgon dokumentin për një lexim të ri, sesa të miratohet mbi bazën e mbështetjes së partisë së Le Penit, kanë thënë disa burime të agjencisë së lajmeve AFP.

Me masat e reja, migrantëve u vështirësohet marrja e familjarëve në Fraancë, dhe u zgjatet periudha për të fituar qasje në përfitimet e shtetit.

Një draft paraprak i këtij dokumenti ka dështuar të miratohet për shkak të kundërshtimeve të opozitës.

Grupet për të drejta të njeriut, e kanë dënuar vendimin e marrë, duke e quajtur këtë ligj për migrimin, si ligjin më regresiv në dekada.

Deputetët e së djathtës ekstreme dhe konservatorët e kanë përkrahur vendimin, ndërsa të majtët kanë shprehur zhgënjim.

Partia e Macronit e ka humbur shumicën në parlament në zgjedhjet e korrikut të vitit 2022.

Që atëherë, qeveria e tij ka pasur vështirësi disa herë që të çojë përpara projektligjet në parlament./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat