Mali i Zi në ngërçin politik mes forcave pro-evropiane dhe atyre të botës serbe

Evropë

Mali i Zi në ngërçin politik mes forcave pro-evropiane dhe atyre të botës serbe

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Mali i Zi vazhdon të jetë në një ngërç politik mes forcave politike që mbështesin proceset euroatlantike dhe të atyre proserbe dhe pro-ruse që janë kundër integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian. Fitorja e Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet parlamentare në Serbi, sipas analistëve politikë, i nxitë edhe më shumë ithtarët e botës serbe që me çdo mjet të luftojnë kundër interesit shtetëror të Malit të Zi dhe në favor të interesave serbe.

Analisti i njohur malazez, Andrej Nikolaidis vë në dukje se "Vuçiq me disa zyrtarë serbë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Malin e Zi, të cilët morën pjesë në shtabin zgjedhor të tij, paraqet botën serbe që ka për qëllim zgjerimin e Serbisë në rajon”.

Opozita malazeze në seancën e fundit të parlamentit kritikoj ashpër paraqitjen e kryetarit të parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i në shtabin zgjedhor të Vuçiqit në Beograd duke festuar fitoren e Partisë Progresive Serbe. Me këtë veprim Mandiqi haptazi tregoj pretendimet hegjemoniste në rajon”, tha opozita.

Mandiq është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe - anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili së fundi është riemëruar si koalicioni "Për të Ardhmen e Malit të Zi."

Mandiq çdo herë ka përsëritur që prioritete të politikës së jashtme të partisë së tij janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Partia e tij po ashtu është kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

Uashingtoni dhe Bashkimi Europian janë shprehur shumë të shqetësuar për përfshirjen e partive dhe liderëve qe kundërshtojnë vlerat euroatlantike.

Edhe regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, i cili është duke u mbajtur në Malin e Zi, sipas analistëve, është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike pro-malazeze dhe pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë mund të ndryshojë strukturën kombëtare të popullsisë në Malin e Zi.

Ky dyshim u shtua edhe më shumë pasi prokuroria malazeze njoftoi se ka nisur një hetim pasi Autoriteti i Statistikave të Malit të Zi, konfirmoi se 16 nga regjistruesit e tij dhe një instruktor u përjashtuan nga fushata e regjistrimit të popullsisë.

Zyrtarët thanë se individët në fjalë dyshohet se kishin përdorur në terren stilolapsa, boja e të cilëve mund të fshihej dhe disa u zbuluan se kishin kopje të ndryshme nga ato origjinale. Përfaqësuesit e partive politike opozitare në Malin e Zi kërkuan zhvillimin e hetimeve për të gjetur nëse shkeljet ishin të organizuara.

Ata kanë kërkuar një kontroll të të dhënave të mbledhura nga regjistruesit e përjashtuar, përpara se ato të futen në regjistrin përfundimtar. Edhe në raportin e Komisionit Evropian u paralajmërua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me etninë, fenë dhe gjuhën.

Të enjten kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq qëndroi në Bruksel ku prezantoi planin e punës së qeverisë për vitin e ardhshëm dhe theksoi se është i bindur se Mali i Zi do të ketë sukses në arritjen e rezultateve nga agjenda evropiane. 

“Mali i Zi dëshiron të jetë një anëtar i dëshirueshëm i Bashkimit Evropian, duke kontribuar në të gjitha nivelet. Jemi të sigurt se i kemi të gjitha parakushtet që kjo të ndodhë”, tha kryeministri Spajiq.

Mirëpo në raportin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel me 12 dhjetor u theksua nevoja e konsensusit politik në përmbushjen e detyrimeve reformuese.

“Mali i Zi duhet të ripërqendrojë pa vonesë përpjekjet e tij në përmbushjen e standardeve të përkohshme të kapitujve 23 dhe 24 mbi sundimin e ligjit. Asnjë kapitull tjetër nuk do të mbyllet përkohësisht përpara se të arrihet ky moment historik”, u tha me këtë rast në Bashkimin Evropian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat