Presidenti gjerman: Të mos e humbim besimin

Evropë

Presidenti gjerman: Të mos e humbim besimin

Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 08:35
Presidenti Federal Frank-Walter Steinmeier për Krishtlindje në Pallatin Bellevue.

Në fjalimin e tij tradicional me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i inkurajon gjermanët që të mos e humbin besimin te paqja dhe demokracia.

"Unë nuk shoh më lajme! Kurrë më parë nuk e kam dëgjuar kaq shpesh këtë fjali, sa këtë vit“, me këto fjalë e hap fjalimin e tij  tradicional me rastin e Krishtlindjeve, presidenti gjerman, duke adresuar kështu pikërisht ndjenjën e pafuqisë së krijuar te qytetarët për shkak të zhvillimeve në arenën globale: “Këtë vit bota vërtet ka treguar anën e saj të errët.  Po shikojmë  pamje me vuajtje dhe shkatërrime, pamje me urrejtje dhe dhunë. Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës po hyn në dimrin e dytë. Dhe që nga vjeshta, po shikojmë me tmerr mizoritë e Hamasit dhe viktimat e luftës në Lindjen e Mesme.“

Më tej Steinmeier tregon mirëkuptim për pasigurinë dhe skepticizmin e krijuar ndaj politikës në këto kohëra:  „Ky vit ka lënë shumë çështje të pazgjidhura edhe këtu në vendin tonë. Disa shohin me skepticizëm qeverinë dhe politikanët. Disa janë të shqetësuar për të ardhmen. Ne të gjithë dëshirojmë një botë më paqësore. Edhe unë e dëshiroj. Dhe besoj se nuk duhet ta braktisim kurrë këtë dëshirë.“

"Krishtlindjet si një kohë paqeje dhe reflektimi"

Më tej Steinmeier thekson rëndësinë e Krishtlindjeve si një kohë në të cilën njerëzit mund të „heqin stresin për pak". Ai u uron  bashkatdhetarëve që pushimet t'i shfrytëzojnë për t'u çlodhur dhe për të rigjeneruar forcat, që do të jenë të nevojshme për të përballuar këto sfida.

Image
Fotografi: Britta Pedersen/dpa-Pol/picture alliance

Ai kujton rëndësinë e demokracisë dhe u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në mënyrë aktive: "Po, ne dëshirojmë qartësi. Po, është e drejtë  të presim që ata që kanë  përgjegjësi politike të luftojnë për rrugën e duhur, por edhe të japin përgjigje që do na ndihmojnë  si vend”.  Por Steinmeier inkurajoi për bashkëpunim konstruktiv dhe tejkalimin e ndasive në shoqëri: “Disa largohen, të tjerë ankohen për gjithçka dhe për këdo. Por në një demokraci, kur situata bëhet e vështirë, ka këshilltarë më të mirë se zemërimi dhe përbuzja, këshilltarë më të mirë se ata që pretendojnë se ka gjithmonë një përgjigje të thjeshtë për pyetjet e së ardhmes.”

Demokracia gjermane feston 75-vjetorin

Presidenti Federal shpreh edhe falënderimin e tij për ata që punojnë gjatë festave të Krishtlindjeve, si policët, punonjësit e zjarrëfikseve, stafi mjekësor. Ai i inkurajon njerëzit të jenë optimistë dhe të kenë besim në të ardhmen e vendit të tyre. “Vitin e ardhshëm do të festojmë 75-vjetorin e lindjes së demokracisë sonë. Ligji ynë themelor mbush 75 vjet. Dhe prej jo më pak se 34 vjetësh ai zbatohet në të gjithë vendin tonë të ribashkuar. Kjo na jep të gjithëve arsye për festë.”/DW

Steinmeier u bën thirrje njerëzve në Gjermani që të mos u shmangen sfidave: "Të mos hedhim batanijen mbi kokë! Të mos harxhojmë energji me grindje me njëri-tjetrin. Por të kemi besim te forca dhe përvoja jonë.”/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat