Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

Evropë

Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

Më: 15 janar 2024 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Rusia ka një plan për të sulmuar krahun lindor të NATO-s, pas një kundërofensivë të suksesshme në Ukrainë dhe zmbrapsjes së ushtrisë ukrainase deri në qershor.

Kështu raporton Bild, që shkruan se ka siguruar një “dokument sekret” të përgatitur nga forcat e armatosura gjermane në lidhje me këtë.

Dokumenti i klasifikuar thotë se Rusia mund të nisë “sulme kibernetike dhe forma të tjera të luftës hibride”, kundër Baltikut në korrik. 

Do të pasonin disa “përplasje” të paspecifikuara, të cilat Moska do t’i përdorte si pretekst për të filluar stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë në territorin e saj dhe në Bjellorusi, raporton gazeta gjermane, duke cituar dokumentin ushtarak.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga Moska.

“Bild nuk heziton të shkruajë mashtrime, ndaj do të preferoja të mos komentoja”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një përgjigje për gazetarët që i kërkuan një reagim ndaj artikullit të gazetës gjermane.

Frika për zgjerimin e konfliktit në Ukrainë, vjen në një kohë kur autoritetet në Suedi lëshuan alarmin se në vendin nordik mund të shpërthente lufta.

Shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Micael Byden, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen vullnetarisht organizatave të mbrojtjes për një konflikt të mundshëm të armatosur të nxitur nga Rusia.

Frikën e vendeve që janë afër shtetit të udhëhequr nga Vladimir Putin e shton dhe fakti që ushtria e tij ka ashpërsuar sulmet në Ukrainë.

“Nëse Kievi përdor raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga Perëndimi, kundër vendeve të lëshimit në Rusi, Moska mund të përgjigjet me armë bërthamore. Këtë paralajmëroi disa ditë më parë ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat