Putin reagon për herë të parë për rrëzimin e aeroplanit ushtarak rus në Belgorod të Rusisë

Evropë

Putin reagon për herë të parë për rrëzimin e aeroplanit ushtarak rus në Belgorod të Rusisë

Më: 26 janar 2024 Në ora: 17:50
Presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë lidhur me rrëzimin e aeroplanit Il-76 të martën, ku fillimisht pretendohej se në bord ishin 65 të burgosur ukrainas që do të shkëmbeheshin me të burgosurit rusë.

Aeroplani ishte rrëzuar në qytetin Belgorod të Rusisë në afërsi me kufirin e Ukrainës.

Tani, Putin po pretendon se Kievi qëndron pas rrëzimit të këtij aeroplani, sipas raportimeve nga mediet ruse të cilat cituan deklaratën e tij.

Presidenti rus deklaroi se një hetim i plotë do të bëhet publik brenda ditëve të ardhshme.

Kievi ka sfiduar narrativën e Moskës dhe ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar derisa vendet perëndimore e kanë akuzuar Moskën për mashtrim.

Ukraina gjithashtu pretendon se në bordin e aeroplanit nuk kanë qenë 65 të burgosurit ukrainas, sipas raportimeve të mëhershme.

Ata morën informacione që tregojnë se vetëm pesë trupa u sollën në një morg nga vendi i rrëzimit të aeroplanit transportues ushtarak rus, duke hedhur kështu poshtë pretendimet.

Andriy Yusov, zëdhënës i Shërbimit Informativ të Mbrojtjes të Ukrainës (DI), i tha CNN se numri i trupave të transportuar në morg korrespondon me numrin e ekuipazhit ushtarak në aeroplan. “Ata nuk gjetën trupa të tjerë”, tha ai.

Rusia pretendon se aeroplani bartte të burgosur lufte të Ukrainës, ndërsa ukrainasit thonë se kishte raketa ruse në të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat