Donald Tusk në Berlin: Afrim mes Polonisë dhe Gjermanisë

Evropë

Donald Tusk në Berlin: Afrim mes Polonisë dhe Gjermanisë

Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 08:34
Kryeministri polak, Donald Tusk

Kryeministri liberal i Polonisë, Donald Tusk vjen në Berlin për të normalizuar marrëdhënien e dëmtuar polako-gjermane. Sot ai përfaqëson një Poloni me vetëbesim, që nuk do të jetë më vendi i i vogël.

Vizita e kryeministrit polak në dy kryeqytete europiane brenda një dite është e shkurtër, por me rëndësi të madhe. Donald Tusk takohet të hënën (12.02.2024) në fillim me presidentin francez, Emmanuel Macron e më pas me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin. Për kryeministrin polak vizita në Berlin do të jetë një akt ekuilibrues. Nga njëra anë ai do të riparojë marrëdhënien e dëmtuar me Gjermaninë këto vite, por duhet të ketë kujdes të mos tregojë shumë afërsi me fqinjin perëndimor. Sepse partia nacional-konservatore polake, Ligj dhe Drejtësi, (PiS) e Jaroslaw Kaczynskit, që e ka shpallur Tuskun "agjent gjerman" do të ndjekë çdo hap të Donald Tuskut në parketin politik në Berlin.

Kaczynski: Tusk si Hitleri

Image
Olaf Scholz

Partia e Kaczynskit që e qeverisi Poloninë në tetë vitet e fundit, la pas rrënoja në politikën europiane të Polonisë. Ajo vendosi të ketë lidhje të ngushta ushtarake me SHBA, por partneri i preferuar atëherë ishte Donald Trump, dhe i dëmtoi marrëdhëniet me Francën dhe Gjermaninë. Marrëdhëniet gjermano-polake janë në krizën më të thellë që nga rënia e Perdes së Hekurt. Në fushatën zgjedhore në tetorin e kaluar, PiS madje e shpalli Gjermaninë si rrezikun më të madh për sovranitetin e Polonisë, dhe Tuskun e ktheu në përfaqësues të interesave të huaja, sidomos atyre gjermane.

Pas dështimit në zgjedhje, Kaczynski madje e forcoi retorikën antigjermane. Ai i krahasoi përpjekjet e Donald Tusk për të rivendosur shtetin ligjor në Poloni me metodat e Adolf Hitlerit.

Image
Donald Tusk takon presidentin Zelenski në Kiev

Scholz uron dhe fton, Tusk heziton 

Pas betimit të qeverisë së koalicionit të majtë dhe të qendrës në dhjetor 2023, entuziazmi në Berlin nuk fshihej. Kancelari gjerman e uroi Donald Tusk spontanisht për marrjen e detyrës dhe i ofroi bashkëpunim. "Roli i Polonisë në dhe për Europën është sot më i madh se kurrë", tha Scholz në deklaratën qeveritare dhe shprehu shpresën se Gjermania dhe Polonia do të çojnë përpara "krah për krah" marrëdhëniet bilaterale. Ai shpreson të përshëndesë "në javët e ardhshme" Tusk në Berlin, tha Scholz. Por u deshën të kalojnë gati dy muaj që Tusk të merrte rrugën drejt kryeqytetit gjerman. Procesi i vështirë i marrjes së pushtetit nga Tusk, politika bllokuese e PiS e çuan në rend të dytë politikën e jashtme. Përplasja për mediat dhe hapat e parë për rivendosjen e shtetit ligjor u dukën më të rëndësishme se iniciativat politike.

Por pati edhe arsye të tjera: "Tusk veproi me shumë kujdes kundrejt Gjermanisë, që të mos u japë shkas për sulme kritike populistëve të djathtë", beson Piotr Buras, drejtues i përfaqësisë së Varshavës në Këshillin Europian të Marrëdhënieve të Jashtme, ECFR. Politologu kujon, se Tusk në deklaratën e parë qeveritare nuk e përmendi me asnjë fjalë Gjermaninë. Edhe zgjedhja e vizitave, fillimisht Parisi, pastaj Berlini nuk është e rastësishme, sipas tij.

Ndjenja antigjermane në Poloni

"Tetë vite propagandë antigjermane kanë lënë gjurmë të thella në shoqërinë polake. PiS ka fituar të drejtën e vetme për të interpretuar debatet për Gjermaninë", shpjegon Buras. Prandaj Tusk deri në zgjedhjet europiane të paktën do të jetë i kujdesshëm. "Ai ka nevojë për më shumë kohë". Agnieszka Lada-Konefal, zëvendësdrejtoreshë e Institutit Gjermano-Polak, DPI në Darmstadt thekson se "Tusk është një lloj pengu i retorikës së PiS për Gjermaninë" dhe se pala gjermane e kupton mirë situatën e kreut gjerman të qeverisë. "Berlini nuk tregon as zhgënjim, as padurim dhe as mosbesim", thotë Lada-Konefal. Gjermanët e kanë kuptuar, se nuk duan ta detyrojnë për asgjë Varshavën, dhe se "nuk do ta paraqiten si vëllai i madh që e mëson gjithmonë vëllanë e vogël".

Pas kthesës demokratike në vitin 1989, ministri i parë i Jashtëm jo komunist polak, Krzysztof Skubiszewski kishte bërë thirrje për bashkësinë e interesave gjermano-polake. Më vonë ai bëri fjalë për bashkësi të fatit, ku Gjermania u bë avokate e Polonisë dhe i hapi rrugën vëllait të vogël për në BE apo NATO. "Por sot jemi në një situatë tërësisht tjetër", thekson Lada-Konefal. Ndikimi i Tusk është rritur si politikan me përvojë që drejtoi për pesë vite Këshillin e BE. Edhe roli i Polonisë në votë ka ndryshuar, sidomos me ndihmën e shpejtë e të madhe ushtarake për Ukrainën dhe pranimin e miliona refugjatëve ukrainas. Në të njëjtën kohë Gjermania për shkak të politikës së saj të gabuar ndaj Rusisë ka humbur në imazh. Marrëdhënia e fuqive ka ndryshuar në favor të Polonisë.

Image
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen me Donald Tusk në Bruksel

Ndërkohë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ka filluar me hapa të vegjël. Qeveria polake ka bërë të ditur, se do të lirohen fondet e bllokuara nga qeveria paraardhëse për mësimin e gjermanishtes për pakicën gjermane në Poloni. Edhe një libër historie gjermano-polak i bllokuar do të lejohet shpejt.

Por në politikën e migracionit dhe reformimit të BE ka nevojë që palët të bisedojnë, sidomos tek qëndrimi i Berlinit për reformimin e BE që të merren vendime me shumicë për politikën e jashtme në BE dhe jo unanime. Si një shpatë e Damokloeut në marrëdhëniet gjermano-polake po ashtu është çështja e reparacioneve për viktimat polake të luftës. Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski apeloi javën e kaluar tek kreativiteti gjerman për këtë çështje. Përgjigja nuk është dhënë ende./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat