LIVE: Ministri i Jashtëm rus vjen me një ‘zgjidhje për luftën në Ukrainë’, jep edhe parashkimin për vendet perëndimore!

Evropë

LIVE: Ministri i Jashtëm rus vjen me një ‘zgjidhje për luftën në Ukrainë’, jep edhe parashkimin për vendet perëndimore!

Nga: Bota sot Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 22:05 më 14.02.2024
Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus vjen me një ‘zgjidhje për luftën në Ukrainë’ – edhe pse e pranon se ‘nuk do të merret parasysh nga Perëndimi’

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se Rusia supozohet se është e gatshme për një zgjidhje politike paqësore që do t’i jepte fund luftës së saj kundër Ukrainës, por vetëm nëse territori që ajo ka pushtuar tashmë “do të merret parasysh”.

“Ne mbetemi të hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike bazuar në marrjen në konsideratë të interesave tona legjitime dhe realiteteve që janë zhvilluar gjatë shumë viteve dhe që tani kanë çuar në situatën aktuale”, citohet të ketë thënë Lavrov, shkruajnë mediat e huaja.

Në të njëjtën kohë, Lavrov vuri në dukje se duke qenë se “vendet perëndimore” nuk duan të marrin parasysh interesat e Moskës dhe realitetet në terren, “ende nuk ka opsione për një marrëveshje”.

“Megjithatë, në mungesë të ofertave serioze nga ata që na shpallën luftë dhe [duke pasur parasysh] mosgatishmërinë e tyre për të marrë parasysh interesat tona ose realitetin [në terren] në territoret [e pushtuara], nuk do të jetë e mundur të vijmë në tryezën e bisedimeve për momentin. Ne nuk shohim ndonjë opsion të tillë”.

Ai pretendoi gjithashtu se “Uashingtoni dhe aleatët e tij nuk heqin dorë nga ëndrrat e tyre për të na shkaktuar një disfatë strategjike”.

Në të njëjtën kohë, Lavrov pohoi se ushtria ruse supozohet se po “operonte me sukses” në “teatrin ukrainas të operacioneve ushtarake” dhe se “Perëndimi nuk po flet më për fitoren e tij, por se si ta pengojë Putinin të fitojë”. 

“Rusia të mos ketë iluzione, NATO do të mbrojë secilin vend anëtar”/ Stoltenberg i ‘shuan ëndrrat’ Moskës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim rreth gatishmërisë së aleancës për të mbrojtur secilin shtet anëtar të saj.

Këtë deklaratë shefi i NATO-s e bëri në prag të nisjes së takimit të ministrave të Mbrojtjes së shteteve të NATO-s, që mbahet më 14 shkurt. Në këtë takim do të diskutohet për situatën në Ukrainë, për fuqinë e aleancës dhe përgatitet për samitin e Uashingtonit në korrik, kur do të shënohet edhe 75-vjetori i themelimit të NATO-s.

Stoltenberg u pyet nga gazetarët rreth gatishmërisë së NATO-s, pas deklaratave të bëra nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se shteti i tij nuk do t’i mbronte aleatët nëse përmbushin obligimet financiare ndaj NATO-s.

“NATO do të vazhdojë të sigurojë që në Moskë të mos ketë asnjë dyshim se do të mbrojmë secilin shtet anëtar. NATO për 75 vjet ka parandaluar çdo sulm ndaj cilitdo vend anëtar. Kjo për shkak se të gjithë e kanë ditur se NATO do ta mbrojë secilin vend anëtar. Baza e NATO-s është parimi se sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve”, tha Stoltenberg.

“Secili sugjerim se nuk do ta mbrojmë njëri-tjetrin rrit rrezikun. Duhet edhe me vepra, por edhe me fjalë të bëjmë të qartë se mbetemi të gatshëm të mbrojmë secilin anëtar. Prandaj edhe nuk shohim ndonjë rrezik të menjëhershëm për sulme ndaj ndonjë vend anëtar të NATO-s sepse të tjerët e dinë se cila do të ishte përgjigja e NATO-s”, shtoi ai.

Shefi i NATO-s përmendi shifrat e fundit lidhur me investimet e aleatëve në fushën e mbrojtjes, që sipas tij, dëshmon se ka përparim drejt përmbushjes së obligimit që nga buxhetet nacionale të ndahen së paku 2 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

Prej kur në 2014 u bë premtimi në nivel të NATO-së për 2 për qind të BPV-së investime në mbrojtje, janë shtuar 600 miliardë euro më shumë në këto shpenzime. Vitin e kaluar është rritur për 11 për qind investimi në mbrojtje nga vendet evropiane dhe Kanadaja. Këtë vit, 18 vende anëtare të NATO-s do të arrijnë nivelin prej 2 për qind”, tha ai.

Trump, i cili po synon të marrë nominimin e republikanëve për të garuar sërish për Shtëpinë e Bardhë, në fundjavë ka rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”.

“I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”, deklaroi Trump.

Deklaratat e Trumpit kanë nxitur kritika të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja.

Dorëzohet Rusia? Lavrov ‘i shtrinë dorën’ Ukrainës: Jemi gati për një zgjidhje diplomatike të konfliktit

Rusia është e gatshme për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit në Ukrainë, por duke marrë parasysh faktin se vendet perëndimore nuk vlerësojnë interesat e Moskës dhe faktet në terren, ende nuk ka opsione të dukshme për një marrëveshje, tha ministri rus Sergei Lavrov.

“Ne mbetemi të hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike që do të bazohet në marrjen në konsideratë të interesave tona legjitime, që do të bazohet në shqyrtimin e realiteteve gjatë shumë viteve dhe që kanë çuar tani në situatën aktuale”, tha Lavrov.

“Megjithatë, në mungesë të propozimeve serioze nga ata që na shpallën luftë dhe duke marrë parasysh hezitimin e tyre për të vlerësuar ose interesat tona ose realitetet në terren, ende nuk është e mundur të ulemi në tryezën e bisedimeve. Opsione të tilla nuk janë të dukshme”, shtoi Lavrov.

Duke iu referuar zhvillimeve në frontin ukrainas, Lavrov theksoi se Perëndimi nuk flet më për fitoren e tij, por se si nuk do ta lërë Putinin të fitojë.

“Uashingtoni dhe aleatët e tij nuk heqin dorë nga ëndrrat e tyre për të na shkaktuar një disfatë strategjike.

Megjithatë, duke parë veprimet e suksesshme të ushtrisë ruse në Ukrainë, Perëndimi nuk flet më për fitoren e tij, por se si të mos e lëmë Putinin të fitojë ”, tha ministri rus.

Publikohen pamjet e shkatërrimit të anijes ushtarake ruse në Detin e Zi

Ukrainasit kanë sulmuar mbrëmë dhe shkatërruar anijen ushtarake ruse Cezar Kunikov në Detin e Zi, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas.

Operacioni mbi anijen rus është kryer nga inteligjenca ushtarake e Ukrainës (GUR).

Në sulm janë përdorur dronët ujor Magura, kurse anija është dëmtuar dhe nuk mund të riparohet, kështu të paktën pretendojnë zyrtarët që konfirmuan fundosjen në Detin e Zi.

Tani janë publikuar edhe pamjet nga ky operacion ushtarak. Në anën tjetër rusët akoma nuk janë deklaruar lidhur me këtë sulm.

Anija gjigante përdorej nga forcat e Putinit për transportimin e raketave dhe dronëve për sulme në Ukrainë.

Rusia ka tentuar të kryer një operacion të madh shpëtimit në det, që përfshinte anije, nëndetëse dhe helikopter.

Cameron u kërkon ligjvënësve amerikanë të votojnë për paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën

David Cameron u ka kërkuar ligjvënësve amerikanë që të votojnë për një paketë ndihme sigurie prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe aleatët e tjerë.

Gjatë një vizite në Bullgari, sekretari i jashtëm u tha gazetarëve se Britania kishte njoftuar paketën e saj të mbështetjes për vitin e ardhshëm.

“Unë u bëj thirrje anëtarëve të Kongresit në ShBA që do ta shikojnë këtë sot të votojnë për paketën”, Cameron, raporton Skynews.

“Kjo është absolutisht thelbësore për sigurinë amerikane. E gjithë bota do të shikojë se çfarë ndodh në Kongres”, shtoi ai.

Kremlini mohon ofertën e Putinit për armëpushim në Ukrainë

Kremlini ka mohuar një raportim se Vladimir Putin i propozoi ShBA-së për një armëpushim në Ukrainë nëpërmjet ndërmjetësve.

I pyetur nëse raporti i Reuters se Rusia kishte bërë propozime për paqe ishte i vërtetë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Jo. Nuk është e vërtetë.”

Çfarë thuhej në raport?

Burimet ruse i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Putin i dërgoi sinjale Uashingtonit vitin e kaluar publikisht dhe privatisht përmes ndërmjetësve, duke përfshirë edhe partnerët arabë të Moskës në Lindjen e Mesme, se ai ishte gati të konsideronte një armëpushim në Ukrainë.

Ndërmjetësuesit u takuan në Turqi në fund të vitit 2023, sipas tre burimeve ruse, dhe këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, pati një telefonatë me këshilltarin e Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, në janar, shkruan Skynews.

Raporti thoshte se Putin po propozonte ngrirjen e konfliktit në linjat aktuale dhe nuk ishte i gatshëm të lëshonte asnjë nga territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia.

Ukraina thotë se ka shkatërruar një aeroplanmbajtëse ruse në Krime

Ushtria ukrainase tha se ka shkatërruar një aeroplanmbajtëse të madhe ruse në Detin e Zi, afër brigjeve të Gadishullit të pushtuar të Krimesë.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës, së bashku me inteligjencën ushtarake [GUR], kanë shkatërruar Caesar Kunikov, aeroplanmbajtësen më të madhe që i përket pushtuesve”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 14 shkurt.

Shtabi tha po ashtu se anija ishte afër brigjeve të vendbanimit Alupka, kur u godit nga dronët ukrainas.

Media ukrainase, Ukrainska Pravda, fillimisht raportoi për këtë incident. Rusia nuk ka komentuar për këtë pretendim të Ukrainës, i cili nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Teksa po përballet për pothuajse gati dy vjet nga pushtimi rus, Ukraina edhe më herët ka kryer sulme në Krimenë që Rusia ka pushtuar më 2014.

Në dhjetor të vitit 2023, Ukraina sulmoi portin Feodosia, dhe Kievi atëbotë deklaroi se kishte shkatërruar një aeroplanmbajtëse ruse.

Pushtimi rus/ Biden: Dhoma e Përfaqësuesve të mbështesë ndihmën për Ukrainën ose do t’i shërbejë Putinit

Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje urgjente të martën Dhomës së Përfaqësuesve që të mbështesë ndihmën shtesë që do t’i sigurojë Ukrainës 60 miliardë dollarë në luftën e saj kundër Rusisë. Ai paralajmëroi se kundërshtimi i paketës së ndihmave do t’i “shërbejë Putinit”.

Mbështetja e këtij projektligji do të thotë dalje përballë Putinit, kundërshtimi i saj do t’i shërbejë Putinit,” deklaroi Presidenti Biden. “Historia po na gjykon.”

Mëngjesin e të martës Senati miratoi ndihmën me vlerë prej 95.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pas negociatave të vështira që zgjatën me muaj dhe pas dallimeve politike në rritje brenda Partisë Republikane mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Biden po ashtu kritikoi ish Presidentin Donald Trump, kandidatin kryesor republikan në zgjedhjet e nëntorit, i cili të shtunën gjatë fushatës paralajmëroi se do të lejonte Rusinë të bëjë çfarë të dëshirojë me shtetet anëtare të NATO-s që nuk i përmbushin detyrimet ndaj aleancës.

Kur Amerika e jep fjalë, ajo ka peshë,” deklaroi zoti Biden. “Donald Trumpi e konsideron këtë si barrë.”

Votimi në Senat u arrit pasi një grup i vogël i ligjvënësve republikanë kundërshtuan ndihmën 60 miliardë dollarëshe për Ukrainën dhe debatuan gjatë natës duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në problemet e tyre para se të dërgojnë ndihma në vendet tjera.

Por 22 ligjvënës republikanë votuan krahas pothuajse të gjithë ligjvënësve demokratë për ta mbështetur paketën me 70 vota pro dhe 29 kundër. Përkrahësit e kësaj pakete argumentuan se braktisja e Ukrainës do ta trimërojë presidentin rus dhe do të kërcënonte sigurinë në mbarë botën.

Miratimi i paketës nga Senati, me përkrahjen republikane, është një shenjë e mirëpritur për Ukrainën që po përballet me mungesa kritike në fushëbetejë.

Megjithatë, paketa e ndihmës përballet me një të ardhme shumë të pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët e vijës së ashpër, të afërt me ish Presidentin Donald Trump, që kritikon përkrahjen për Ukrainën, e kundërshtojnë projektligjin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i shtoi dyshimet, duke e bërë të qartë se do të duhen javë ose muaj përpara se Dhoma e Përfaqësuesve t’i dërgojë projektligjin Presidentit Biden, nëse e miraton atë.

Presidenti Biden i bëri thirrje zotit Johnson që të lejojë mbajtjen e votimit për paketën e miratuar nga Senati.

“Të ecim përpara”, tha zoti Biden. “Nuk mund të tërhiqemi tani. Këtë e dëshiron Putini.”

Paketa e ndihmave do të mundësojnë blerjen e pajisjeve ushtarake të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. /VOA

Kremlini i bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë të tregojnë përmbajtje pasi zjarri ndërkufitar ripërshkallëzoi tensionet në rajon

Kremlini i bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë që të tregojnë përmbajtje pasi zjarri ndërkufitar ripërshkallëzoi tensionet në rajon.

“Sigurisht, ky është një lajm alarmues që vjen nga linja e kontaktit, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të shmangin në çdo mënyrë të mundshme çdo veprim që pala tjetër mund t’i konsiderojë provokuese, tha zëdhënësi Dmitry Peskov para gazetarëve në një konferencë për shtyp në Moskë.

Duke shprehur se Rusia do t’i shikojë zhvillimet në këtë drejtim “me shumë kujdes” dhe do të vazhdojë kontaktet e saj me të dyja palët, Peskov tha se incidente të tilla nuk kontribuojnë në avancimin e procesit të paqes.

Shërbimi Kufitar Shtetëror i Azerbajxhanit tha se një nga ushtarët e tij u plagos për shkak të të shtënave nga forcat armene në drejtim të rrethit Zangilan jugperëndimor të vendit.

Baku tha se kreu një “operacion hakmarrjeje” në përgjigje, duke shkatërruar postin luftarak nga ku u qëlluan mbi ushtarakët e saj.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë, katër nga ushtarakët e saj u vranë dhe një u plagos.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone ngjitur.

Azerbajxhani çliroi pjesën më të madhe të rajonit gjatë luftës në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, duke hapur derën e normalizimit.

Baku nisi një operacion anti-terrorist në Karabakh shtatorin e kaluar për të vendosur rendin kushtetues, pas të cilit forcat separatiste të paligjshme në rajon u dorëzuan.

Peskov tha se Rusia është e gatshme të mbështesë çdo veprim për lirimin e pengjeve dhe ndalimin e konfliktit në Gaza, ku forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 28,000 njerëz.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo veprim që do të çojë në lirimin e pengjeve dhe një armëpushim … sigurisht, veprimet duhet të jenë konstruktive,” tha ai.

Peskov tha se veprimet duhet të synojnë gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për konfliktin brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe rezolutat e miratuara më parë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërmjetësuesit duke përfshirë SHBA-në, Katarin dhe Egjiptin po negociojnë për një marrëveshje për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Lufta filloi pas ofensivës së Hamasit të 7 tetorit, në të cilën u vranë rreth 1200 njerëz dhe rreth 240 u morën peng.

Rreth gjysma e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor të nëntorit në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në GJND, e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Parlamenti rus do të votojë për pezullimin anëtarësisë së Moskës në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së

Parlamenti i Rusisë do të votojë në 21 shkurt mbi pezullimin e anëtarësisë në vendit në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), njoftoi të martën kryetari i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin.

OSBE ka 57 vende anëtare, mes tyre Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Që prej sulmit rus ndaj Kievit, organizata ka qenë mjaft e polarizuar nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për përdorimin e të drejtës së vetos që gëzon secili nga vendet anëtare.

"Ka ardhur koha t’i themi mirupafshim Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”, tha zoti Vilodin në një mbledhje të Dumës, Dhoma e Ulët të Parlametit të Rusisë, sipas një deklarate në faqen e internetit të Dumës,

"Organizatës i mungon pavarësia, ajo është e politizuar dhe vepron sipas Uashingtonit. Por gjëja më e keqe në këtë situatë është se ne paguajmë dhe jemi ndër kontributorët më të mëdhenj", u shpreh ai.

Të dyja dhomat e parlamentit rus, Duma dhe Këshilli i Federatës, do të votojnë njëkohësisht për pezullimin e pjesëmarrjes dhe për ndalimin e pagesave të Moskës për OSBE-në”, tha zoti Volodin.

Në deklaratë thuhet se Duma mund të shqyrtojë mundësinë që Rusia të largohet edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare, por pa përmendur se cilat.

Ukraina dhe vendet baltike, të cilët janë fqinje të Rusisë, refuzuan të merrnin pjesë në takimin vjetor të ministrave të jashtëm të OSBE-së në fund të vitit të kaluar për shkak të pranisë të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat