Makthi i Moskës fillon në maj, a do ta ndryshojnë avionët F-16 rrjedhën e luftës?

Evropë

Makthi i Moskës fillon në maj, a do ta ndryshojnë avionët F-16 rrjedhën e luftës?

Më: 11 mars 2024 Në ora: 17:13
Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky

Pilotët ukrainas ka të ngjarë të fluturojnë me avionët luftarakë F-16 duke nisur nga muaji maj, raporton New York Times. 12 pilotët pritet të jenë gati për të fluturuar me F-16 këtë verë pas përfundimit të trajnimit në Danimarkë, Britani  dhe SHBA. Por në kohën kur pilotët të kthehen në Ukrainë, vetëm gjashtë nga 45 aeroplanët e premtuar  nga aleatët evropianë do të jenë gjendje.

Trajnimi i pilotëve ukrainas filloi gushtin e kaluar në bazën ajrore Skridstrup në Danimarkën jugore, por trajnimi përparoi ngadalë sepse pilotët nuk dinin mjaftueshëm gjuhën angleze dhe teknikat perëndimore të fluturimit. Ata ishin gati për fluturim vetëm në janar. Ministri danez i Mbrojtjes Trolls Lund Poulsen tha për Neë York Times se trajnimi po përparon mirë dhe se pilotët ukrainas tashmë po fluturojnë mbi hapësirën ajrore daneze, por shtoi se përparimi i tyre në fund do të varet nga kohëzgjatja e trajnimit.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Putini, Kievi u ka kërkuar partnerëve të tij perëndimorë avionë luftarakë. Administrata e presidentit amerikan Joseph Biden iu dorëzua kërkesave të Ukrainës vetëm gushtin e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se avioni F-16 nuk do të jetë faktor vendimtar në luftë, ndaj kanë theksuar se trajnimi do të zgjasë shumë. Zyrtarët ukrainas kanë rënë dakord që F-16 nuk do të ndryshojnë vetëm rrjedhën e betejës, por besojnë se në kombinim me raketat me rreze të gjatë, artilerinë dhe dronët, ato mund të jenë kyçe në luftën kundër Rusisë. Në janar, një koalicion ndërkombëtar u krijua për të dorëzuar F-16 dhe për të trajnuar pilotët ukrainas. Por ka shumë pasiguri se kur çdo vend do të dërgojë avionët e tij, sa shpejt mund të trajnohen pilotët dhe nëse ka njerëz të mjaftueshëm për të mirëmbajtur siç duhet avionët.

Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika janë zotuar të dërgojnë rreth 45 avionë në Ukrainë, që mjaftojnë për tre skuadrilje të vogla. Gjashtë avionët e parë Danimarka do t'i dërgojë para verës dhe 13 të tjerë duhet të mbërrijnë në fund të këtij viti. Vendet e tjera nuk kanë caktuar ende një datë të dorëzimit të F-16-ve të tyre. Ministria holandeze e Mbrojtjes, e cila premtoi të dorëzojë 24 avionë luftarakë, tha se do t'i mbajë ato derisa Ukraina të jetë gati t'i pranojë.

Ekziston gjithashtu nevoja për personel për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë. Aktualisht, rreth 50 teknikë ukrainas po trajnohen në Danimarkë për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve, si dhe për punën me sistemet e armëve. F-16-të janë aq kompleks saqë duhen tetë deri në 14 persona për të mirëmbajtur një avion. Kontraktorët perëndimorë të mbrojtjes duhet të shoqërojnë avionët në Ukrainë dhe të qëndrojnë në vend derisa të trajnohet personeli i mjaftueshëm ukrainas për mirëmbajtjen e avionëve, një proces që mund të zgjasë me vite. Për më tepër, nevoja për të riparuar pistat ushtarake të vjetra dhe të dëmtuara nga lufta në Ukrainë mund të vonojë gjithashtu hyrjen e F-16 në luftime.

Nuk është ende e qartë se kur saktësisht grupi i ardhshëm i pilotëve ukrainas duhet të fillojë stërvitjen në qendrën e sapohapur të trajnimit në bazën ajrore Feteşti në Rumaninë jugore. "Kjo varet nga qeveritë dhe kontratat. Ne jemi ende duke pritur për të gjitha miratimet", tha koloneli Bill Thomas, një oficer në pension i Forcave Ajrore të SHBA që mbikëqyr programin e trajnimit për pilotët rumunë në bazën Feteşti.

Krijimi i qendrës në bazën Fetești u njoftua majin e kaluar në samitin e NATO-s dhe në janar instruktorët filluan trajnimin e pilotëve rumunë për skuadron e re F-16 të vendit. Ashtu si pilotët ukrainas, pilotët rumunë në trajnimin F-16 janë të aftë në fluturimin e avionëve të epokës sovjetike, por ndryshe nga ukrainasit, pilotët rumunë tashmë flisnin anglisht dhe ishin të njohur me standardet operacionale të NATO-s. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat