Pas dorëheqjes së presidentit, reagon ashpër kryeministri kroat: Pse e bëri këtë në kohën kur po mbahen zgjedhjet në Rusi

Evropë

Pas dorëheqjes së presidentit, reagon ashpër kryeministri kroat: Pse e bëri këtë në kohën kur po mbahen zgjedhjet në Rusi

Më: 15 mars 2024 Në ora: 22:59
Andrej Plenkoviq dhe Zoran Milanoviq

Kryeministri dhe kryetari i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Andrej Plenkoviq ka vlerësuar se njoftimi i presidentit të shtetit, Zoran Milanoviq se do të kandidojë për kryeministër tregon se më në fund kanë rënë maskat.

“Deri më sot kemi pasur një lider të fshehur të opozitës dhe tani kemi një president të vogël kalkulator dhe një kandidat të vogël që mendon se nuk do të humbasë siç humbi në vitin 2016 dhe do t’i tregojmë se ai dhe Partia Socialdemokrate ( SDP) gjithashtu do të humbin për herë të tretë”, tha ai në takimin e HDZ-së në Osijek.

Ai ka vlerësuar se Milanoviq ka bërë një “lëvizje paniku” që tregon, siç tha ai, se SDP-ja dhe opozita janë të dobëta dhe se ai ka frikë nga Prokuroria e Shtetit, raporton index.hr.

“Pikërisht kur mbahen zgjedhjet në Rusi, a nuk është kjo ndoshta një përpjekje për ta tërhequr Kroacinë nga komuniteti perëndimor, BE, NATO, partneriteti me SHBA-në, për ta kthyer apo dërguar në krahët e Rusisë? A është kjo ndërhyrje në proceset demokratike në Kroaci”, pyeti Plenkoviq.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka njoftuar sot se do të jetë kandidat i Partisë Socialdemokrate opozitare për kryeministër dhe bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 prillit.

“Ka momente në jetën e secilit prej nesh kur duhet të dalim nga zona jonë e rehatisë dhe ajo orë më trokiti në derë me imponimin e kryeprokurorit të shtetit të sapo zgjedhur Ivan Turudiq”, tha Milanoviq, i cili befasoi të gjithë me dorëheqjen.

Paraprakisht ai si president i vendit ka shpallur sot zgjedhjet parlamentare më 17 prill, pasi dje deputetët shpërndanë Parlamentin. Sipas ligjit, presidenti ishte i detyruar të caktonte datën e zgjedhjeve brenda 30 deri në 60 ditë nga shpërndarja e Parlamentit.

Ndryshe, mandati presidencial pesëvjeçar i Milanoviqit skadon në fillim të vitit 2025 dhe zgjedhjet e rregullta presidenciale duhet të mbahen në fund të këtij viti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat