Priten protesta teksa rusët votojnë në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale

Evropë

Priten protesta teksa rusët votojnë në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale

Më: 17 mars 2024 Në ora: 09:44
Njerëzit presin për të votuar në zgjedhjet presidenciale të Rusisë më 17 mars në Almati, Kazakistan, ku shumë rusë kanë ikur për t'i shpëtuar thirrjes në ushtri.

Rusët kanë filluar të votojnë të dielën në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale, të cilat janë përgatitur për t’ia dhuruar Vladimir Putinit edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar, prandaj pritet që ato të kundërshtohen me protesta në mesditë.

Fitorja e Putinit në këto zgjedhje është pothuajse e sigurt, meqë kundërshtarët e tij janë në burgje, në mërgim apo të vdekur.

Lufta e pamëshirshme, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Zyrtarët e Komisionit Zgjedhor të Rusisë thanë se deri në mëngjesin e së dielës, ditës së fundit të zgjedhjeve treditore, më shumë se 60 për qind e 114 milionë votuesve me të drejtë vote e kanë hedhur votën e tyre qoftë fizikisht, apo online.

Për ditën e fundit të zgjedhjeve, autoritetet ruse janë përgatitur për protesta të pazakonta në mesditë në qendrat e votimit, prandaj i kanë rritur kërcënimet se ata që e pengojnë procesin e votimit do të përballen me dënime të rënda me burg.

Para se të vdiste në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, ku po e kryente një dënim që cilësohej si i motivuar politikisht, lideri opozita Alexei Navalny kishte shpresuar se do t’i përdorte zgjedhjet për ta dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve ta hidhnin votën saktësisht në mesditë, duke e quajtur aksionin “Në mesditë kundër Putinit”.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerët, i kanë vazhduar thirrjet për protesta të dielën.

Zyra e prokurorit të Moskës ka kërcënuar me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para të votimit, disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar për 28 incidente të tilla, si edhe për të arrestuar.

Incidente të tilla janë raportuar në së paku nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun, Soçin dhe Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit të shtunën duke i quajtur “tradhtarë” që po e ndihmojnë armikun e vendit, posaçërisht Ukrainën.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat