Sllovakia mban raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mes debatesh mbi orientimin politik të vendit

Evropë

Sllovakia mban raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mes debatesh mbi orientimin politik të vendit

Më: 6 prill 2024 Në ora: 12:40
Foto ilustrim

Votuesit në Sllovaki zgjedhin të shtunën pasuesin e zonjës Zuzana Çaputová, presidentja e parë e vendit dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës fqinje në luftën e saj kundër agresionit të Rusisë, e cila nuk kërkoi një mandat të dytë.

Ish ministri i Jashtëm Ivan Korçok, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve dy javë më parë pasi mori 42.5 për qind të votave. Ky diplomat pro perëndimor i karrierës përballet me Peper Pellegrinin, i cili përfundoi i dyti me 37 për qind të votave në zgjedhjet për postin kryesisht ceremonial.

Peper Pellegrini është një aleat i ngushtë i kryeministrit populist Robert Fico, i njohur për politikat e tij pro ruse.

Anketat kanë parashikuar një garë të ngushtë në kombin prej 5.4 milionë banorësh.

Përpara se të shërbente si ministër i Jashtëm në vitet 2020-2022, Ivan Korçok, 60 vjeç, shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Ai ishte gjithashtu i dërguari i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe është mbështetës i vendosur i këtyre dy organizatave.

"Është një moment kur gjithçka është në duart e qytetarëve", tha zoti Korçok pas votimit në Senec, afër Bratislavës, kryeqytetit sllovak. “Është një moment kur ne, politikanët, duhet të dëgjojmë me kujdes”.

Ndërkaq, zoti Pellegrini, 48 vjeç, kryeson partinë e majtë Hlas (Zëri), e cila doli e treta në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, dhe favorizon një rol të fortë për shtetin. Partia e tij u përfshi në një koalicion qeverisës me partinë e majtë Smer (Drejtimi) të kryeministrit Fico dhe Partinë Kombëtare Sllovake ultranacionaliste.

Qeveria e Ficos, sapo mori pushtetin në shtator, ndaloi menjëherë dërgesat e armëve në Ukrainë, duke nxitur protesta mbarëkombëtare kundër qëndrimit të saj pro-rus.

Peper Pellegrini aktualisht shërben si kryetar i Parlamentit dhe fitorja e tij do të çimentonte fuqinë e kryeministrit Fico, duke i dhënë atij dhe aleatëve të tij kontrollin mbi postet strategjike.

Kritikët shqetësohen se Sllovakia nën kryeministrin Fico do të braktisë orientimin e saj properëndimor dhe do të ndjekë shembullin e Hungarisë se kryeministrit populist Viktor Orbán.

Rezultatet e zgjedhjeve sllovake priten të shtunën vonë ose mëngjesin e së dielës dhe fituesi do të bëhet presidenti i gjashtë i vendit, që kur Sllovakia fitoi pavarësinë në vitin 1993, pasi u nda nga Çekia./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat