Sekretari Cameron në SHBA për të nxitur zhbllokimin e ndihmës për Ukrainën

Evropë

Sekretari Cameron në SHBA për të nxitur zhbllokimin e ndihmës për Ukrainën

Më: 9 prill 2024 Në ora: 12:55
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ndodhet në Uashington të martën për të ushtruar trysni ndaj zyrtarëve të lartë republikanë për të zhbllokuar ndihmën për Ukrainën. Para së të arrinte në kryeqytetin amerikan, ai takoi në Florida ish presidentin Donald Trump, i cili është i rezervuar rreth kësaj çështjeje.

Sekretari Cameron thotë se fitorja për Ukrainën është "jetike për sigurinë amerikane dhe evropiane", por ish presidenti është një kritik i mbështetjes së vazhdueshme amerikane dhe ligjvënësit e rreshtuar krah tij po mbajnë të bllokuar në Kongres një paketë ndihme për Kievin.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi takimin dhe tha se është "praktikë standarde" që ministrat e qeverisë të takohen me udhëheqësit e opozitës së vendeve aleate në vitet zgjedhore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, u takua në shkurt me udhëheqësin e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i cili është favorit për t'u bërë kryeministër në zgjedhjet e mëvonshme të këtij viti. Kur zoti Cameron ishte kryeministër në vitin 2012, ai u takua me kandidatin e atëhershëm republikan për postin e presidentit, Mitt Romney.

Zyrtarët britanikë nuk thanë se si rrodhi takimi. Zoti Cameron dhe zoti Trump kanë pasur disa dallime të dukshme në të kaluarën. Zoti Cameron e quajti propozimin e zotit Trump gjatë fushatës së tij të parë presidenciale për ndalimin e hyrjes në myslimanëve në SHBA, “përçarës, të marrë dhe të gabuar”.

Z. Cameron ishte kryeministër i Britanisë së Madhe gjatë referendumit të 2016-ës për largimin e saj nga Bashkimi Evropian, një veprim që ai e kundërshtoi, ndërsa zoti Trump e mbështeti me entuziazëm. Ish kryeministri Cameron dha dorëheqjen pasi votuesit refuzuan thirrjen e tij për të qëndruar në bllok.

Kryeministri Rishi Sunak papritmas e ktheu zotin Cameron në qeveri vitin e kaluar.

Në Uashington, sekretari Cameron planifikon të nxisë ligjvënësit amerikanë të miratojnë një paketë të re ndihme për Ukrainën, duke paralajmëruar Kongresin se po e vë në rrezik sigurinë e perëndimit me bllokimin e fondeve. Ai do të zhvillojë bisedime me ligjvënësit, përfshirë udhëheqësin republikan të Senatit, Mitch McConnell, dhe shpreson të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, roli i të cilit është thelbësor në këtë çështje.

Në një video të postuar javën e kaluar në rrjetin social X, sekretari Cameron tha se “kryetari Johnson mund ta bëjë këtë në Kongres”.

Një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi konservatorët kërkojnë të bllokojnë financimin e mëtejshëm për konfliktin dyvjeçar dhe disa republikanë kërkojnë lëshime për sigurinë kufitare, para se të mbështesin projektligjin.

Para udhëtimit, sekretari Cameron tha se "suksesi për Ukrainën dhe dështimi për (presidentin rus Vladimir) Putin, janë jetike për sigurinë amerikane dhe evropiane".

“Kjo do të tregojë se kufijtë janë të rëndësishëm, se agresioni nuk shpaguhet dhe se vendet si Ukraina janë të lira të zgjedhin të ardhmen e tyre”, tha ai. "Alternativa vetëm do të inkurajonte Putinin në përpjekjet e mëtejshme për të ri vizatuar kufijtë evropianë me forcë dhe do të dëgjohej qartë në Pekin, Teheran dhe Korenë e Veriut".

Sekretari Cameron do të diskutojë gjithashtu luftën për luftën Izrael-Hamas, përfshirë përpjekjet për një "armëpushim të qëndrueshëm" dhe për të siguruar më shumë ndihma në Gaza, në bisedimet me zyrtarët amerikanë, përfshirë sekretarin Blinken dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan. Mbretëria e Bashkuar po dërgon një anije të Marinës Mbretërore në Mesdheun lindor për të forcuar përpjekjet për të hapur një korridor ndihme detare midis Qipros dhe një porti të përkohshme të ngritur nga Shtetet e Bashkuara në Gaza./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat