LIVE: Putini kërkon ‘fitore’ deri me 9 maj, ngritet alarmi për Kievin - ja pse skenari fatkeq korean mund të përsëritet

Evropë

LIVE: Putini kërkon ‘fitore’ deri me 9 maj, ngritet alarmi për Kievin - ja pse skenari fatkeq korean mund të përsëritet

Nga: Bota sot Më: 16 prill 2024 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 15:13 më 16.04.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Ukraina ia rrëzon nëntë dronë Rusisë

Sistemet kundërajrore ukrainase i kanë rrëzuar të gjithë nëntë dronët që Rusia i lëshoi në drejtim të territorit të Ukrainës mëngjesin e së martës, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës.

Dronët u shkatërruan mbi rajonet Herson, Mikolaiv, Hmelnitski, Poltava, Çerkasi dhe Dnipropetrovsk, tha ajo në një njoftim.

Në javët e fundit, Rusia i ka rritur dukshëm sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pasi forcat ukrainase janë duke u përballur me mungesë të sistemeve kundërajrore dhe të municionit.

Ndihma e shumënevojshme amerikane për Kievin ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve, për shkak të kundërshtimeve nga republikanët.

Më 14 prill, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Kievit që në mënyrë “urgjente” t’i dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, armë dhe municion.

Katër persona u vranë si pasojë e sulmeve ruse në Siversk në Donjeck të hënën, tha kreu i administratës rajonale, Vadym Filashkin.

Kuleba tha për televizionin ukrainas se po zhvillohen negociata për dërgesat e më shumë sistemeve Patriot, por u shpreh i zhgënjyer pasi argumentoi se ky proces ishte shumë i ngadalshëm, teksa shteti i tij po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022./REL

Aleatëve u është dhënë një listë specifike e armëve që i duhen Ukrainës për të fituar luftën – thotë Zelensky

Të gjithë aleatëve të Ukrainës iu është dhënë një listë specifike e armëve që këtij vendi i duhet për të ndryshuar rrjedhën e luftës kundër Rusisë.

Këtë e tha presidenti Volodymyr Zelensky në një intervistë për kanalin televiziv amerikan PBS, transmeton Ukrinform.

“Ka armë specifike për të ecur përpara, ka armë specifike për të mbrojtur qiellin tonë, ka mjete për të zhbllokuar qiellin që njerëzit të ecin përpara. Të gjithë partnerët e kanë këtë plan. Ata kanë në dispozicionin e tyre (një listë) që na nevojitet vërtet teknikisht”, ka thënë presidenti.

Në intervistë, ai kujtoi se “ne po luftojmë kundër një ushtrie të madhe”.

“Po, ata nuk kursejnë askënd, nuk i stërvitin, nuk janë aq të stërvitur sa djemtë tanë, por ka shumë. Ata kanë një numër të pakufizuar njerëzish dhe një sasi të madhe predhash. Këto nuk janë prodhuar në Rusi. Ato janë bërë në Iran”.

“Ata u japin 300 deri në 350 Shahedë në muaj. Dhe çdo muaj ata e lëshuan këtë sasi tek ne”, tha Zelensky.

Siç është raportuar, më 15 prill, presidenti Volodymyr Zelensky kryesoi një takim të Shtabit të Komandantit Suprem të Përgjithshëm, ku pjesëmarrësit diskutuan nevojat e mbrojtjes së Ukrainës, si dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. 

Lufta Rusi-Ukrainë hyn në një fazë të re të rrezikshme, Kievit i kanë mbetur vetëm dy opsione, ja pse skenari fatkeq korean mund të përsëritet

Nën hijen e krizës në rritje dhe frikës së përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, një dramë e vërtetë po zhvillohet në Ukrainë dhe, sipas disa analistëve ushtarakë, lufta mund të hyjë në një pikë kthese në gjysmën e dytë të 2024-ës.

“Fati i luftës” është kthyer disi në favor të Rusisë dhe të gjithë sytë janë te SHBA, pra Kongresi, i cili më në fund duhet të vendosë për një këst të ri ndihme, sepse radikalizimi i mundshëm atje është në duart e Vladimir Putinit

. Dështimi i kundërofensivës ukrainase në vitin 2023, së bashku me përparimin aktual të Federatës Ruse, si dhe mungesa e municioneve dhe bllokimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën nga SHBA, e vendos Kievin në një pozicion gjithnjë e më të varur, siç thotë edhe eksperti dhe koloneli gjerman në pension Wolfgang Richter.

Negociatat e paqes

Të flasësh për paqen ndërkohë që bombat dhe raketat vazhdojnë të bien mund të duket paradoksale. Dhe, të paktën në këtë, palët e Kremlinit janë konsekuente: të flasësh për paqen, për ta, është pothuajse e kotë.

Këtë e konfirmon shefi i diplomacisë së Moskës, Sergei Lavrov, i cili me përbuzje thotë për konferencën e paqes të organizuar në Zvicër në mes të qershorit: “Është një rrugë drejt askund nëse organizohet pa Rusinë”.

“Ne nuk shohim ndonjë dëshirë as në Kiev, as nga ana e aleatëve të saj për t'u marrë me ndershmëri, ata nuk do të na ftojnë,” shtoi ai, pothuajse duke pretenduar se konflikti aktual është i tillë pikërisht sepse vendi i tij pushtoi Ukrainën. Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassi shpjegon se “fakti që Putin përmendi për herë të parë konferencën e paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër në qershor është një shenjë e mirë.

Shkatërrimi i “xhevahirit të kurorës”

Megjithatë, Ukraina nuk tregon shenja dorëzimi. Zyrtarët ukrainas thonë se nga mesi i korrikut do të shkatërrojnë urën e preferuar të Vladimir Putin, urën e Kerçit, me vlerë 3.52 miliardë euro.

“Ata planifikojnë ta bëjnë këtë me raketat Storm Shadow, dronët dhe avionët luftarakë F-16 të sapoarritur”, tha një ekspert i armëve për The Sun.

Javën e kaluar, agjencia e inteligjencës ushtarake e Kievit, HUR, njoftoi se do të shkatërrojë urën e Kerçit në gjysmën e parë të vitit 2024. Putini e ka quajtur vazhdimisht këtë urë tokësore ruse me Krimenë një "mrekulli", ndërsa për ukrainasit është një paraqitje groteske e pushtimit 10-vjeçar rus. Shkatërrimi i saj do të ishte një hap i madh për të fituar luftën në Detin e Zi.

Synimet e Rusisë

Sakaq, udhëheqja ushtarake ruse i ka vendosur vetes qëllimin për të pushtuar qytetin e Chasiv Yar deri më 9 maj, ka konfirmuar komandanti i përgjithshëm ukrainas Oleksandr Sirski. Përkatësisht, më 9 maj, Rusia feston Ditën e Fitores, e cila përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Është një mundësi për udhëheqësin rus Vladimir Putin që të tregojë armët e fundit në një paradë ushtarake. Trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet e tyre në një përparim në perëndim të Bahmutit të pushtuar, tha Sirski. Ai shpjegoi se ata po përpiqeshin të arrinin në Kanalin Siverski Donets, dhe të kapnin ?asiv Jar, në mënyrë që të përparonin më tej drejt grumbullimit të Kramatorsk.

Skenari korean

Në këto kushte, gjithnjë e më shumë flitet për një opsion, ku ukrainasve do t'u duhet të tërhiqen "vullnetarisht" nga disa zona dhe të krijojnë një vijë mbrojtjeje që nuk duhet të kalohet.

Disa profetë "të këqij" ose analistë besojnë se dorëzimi i territorit dhe krijimi i një fronti, pra një ngërç i ngjashëm me atë të Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor, do të në fakt të jetë një prelud për krijimin e kushteve për një konflikt të ngrirë, por edhe gjithnjë e më shumë "shanse" që Kievi të "bindhet" të heqë dorë nga një pjesë e territorit të tij, Krimea dhe Donbasi, pra afërsisht 15 deri në 20 për qind. kushti që Rusia ta lërë të qetë Ukrainën më pas. Ky do të ishte krijimi i të ashtuquajturit skenari korean.

Por, siç dihet një konflikt i ngrirë gjithmonë mbart brenda tij “mikrobin” e një konflikti të ri, i cili mund të ndizet përsëri në një moment. Ky mesa duket do të jetë fati i Ukrainës.

IAEA jep alarmin: Sulmet vënë në rrezik sigurinë në centralin e Zaporizhzhia

Sulmet e fundit në termocentralin bërthamor të Zaporozhzhia-s po shkelin një nga parimet e dakorduara për të reduktuar rreziqet e sigurisë së centralit.

Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë 10 ditëve të fundit, i pari nga këto parime është shkelur në mënyrë të përsëritur, duke shënuar një ndryshim rrënjësor, një rritje të rrezikut për sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen e objektit,” tha Grossi.

Ai iu referuar parimit se nuk duhet të ketë sulme të çdo lloji nga ose kundër uzinës dhe duke i kujtuar Këshillit të Sigurimit se vitin e kaluar ai kishte përshkruar parimet për garantimin e sigurisë së Znpp për të shmangur rrezikun e një aksidenti bërthamor dhe i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që t’i respektojnë ato.

Holanda do t’i japë Ukrainës 4 miliardë euro ndihmë ushtarake

Holanda do t’i japë Ukrainës 4 miliardë euro ndihmë ushtarake në periudhën 2024-2026, tha qeveria holandeze në një përditësim të buxhetit pranveror më 15 prill.

Udhëheqësit e mbrojtjes do të rrisin gjithashtu në mënyrë strukturore shpenzimet e mbrojtjes me 500 milionë euro në vit nga viti 2028 për të investuar në rezervat e mbrojtjes ajrore dhe municionit, shkruajnë mediat e huaja.

“Mbrojtja ajrore dhe municionet janë jetike, siç po shohim tani në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”, tha në një deklaratë ministrja e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren.

“Kjo është arsyeja pse Kabineti ka vënë në dispozicion para shtesë për këto prioritete kryesore të NATO-s. Kjo dërgon gjithashtu një sinjal të qartë për industrinë”.

Qeveria holandeze do të ketë prioritet forcimin e mbrojtjes së saj ajrore me bazë tokësore, tha Ministria e Mbrojtjes.

Ushtria holandeze ka thënë se Holanda nuk mund të ofrojë më shumë sisteme ajrore Patriot në Ukrainë, sepse vendi është në nivelet minimale të nevojshme për të mbrojtur portet e saj.

Ollongren tha se rezultati i luftës në Ukrainë është vendimtar për lirinë e Evropës dhe ky vend mund të vazhdojë të llogarisë tek holandezët.

“Kievi mund të bjerë këtë vit…” Ukrainasit me motiv, por Rusia ka armët!

Ukraina mund të përballet me një mposhtje nga Rusia gjatë vitit 2024. Ky është paralajmërimi i ish-komandantit të forcave të përbashkëta britanike, Gjenerali Sir Richard Barrons, i cili në një intervistë thotë se ekziston një rrezik serioz që Ukraina ta humbasë luftën këtë vit. Arsyeja, thotë ai, është se vetë Ukraina mund ta kuptojë, që përballë Rusisë, nuk mund të fitojë.

“Dhe kur Ukraina të arrijë në këtë pikë, pse do duan njerëzit të luftojmë e të vdesin në fushëbetejë, duke mbrojtur të pambrojtshmen”? Gjenerali Barrons thotë gjithsesi, se Ukraina, nuk është ende në këtë pikë. Por forcat e saj janë në pikë kritike, sidomos pa municione, pa trupa të reja dhe mbi të gjitha, pa mbrojtje ajrore. Kjo bëri që Ukraina të dështojë vjet në kundër-ofensivë, mungesa e armëve po shtyn edhe tani kundër-ofensivën e radhës teksa Moska po bashkon forcat, që të nisë ofensivën e verës.

Por cilat janë në këtë pikë, objektivat strategjike të Rusisë?

“Forma e ofensivës ruse, po bëhet shumë e qartë” thotë gjenerali britanik. “Rusia po shtyn gjithnjë e më shumë drejt frontit, në një përballje 5 me 1 kundrejt ukrainasve, në avantazh të thellë në artileri, municione por edhe forca njerëzore, të stërvitur për përdorimin e armëve të reja”.

Përfshihen këtu edhe bombat fluturuese FAB, bombë e modernizuar e periudhës sovjetike, të njohur ndryshe si bombat budallaqe, të cilave I janë bërë krahë, sistem drejtimi me GPS dhe që janë të mbushur me 1500 kg eksploziv. Kjo do të ishte shkatërrimtare për forcat mbrojtëse ukrainase.

“Në një pikë këtë verë”, shkon më tej Barrons, “ne presim që të shohim një ofensivë shumë të madhe ruse, që do tentojnë të thyejnë e të kalojnë përtej linjave mbrojtëse të Ukrainës. Dhe nëse kjo ndodh, rrezikon që ato të hyjnë në çdo zonë të fqinjit dhe forcat ushtarake ukrainase, nuk do munden ti frenojnë”.

Por ku do synojë Rusia të hyjë e të godasë?

Vitin e shkuar, rusët e dinin ekzaktësisht se ku të godisnin Ukrainën, nga Zaporizhia në drejtim të jugut në detin Azov. Ata planifikuan gjithçka në detaje, dhe përballë Ukrainës, ja dolën me sukses. Tani të dyja ushtritë po përgatiten për sulmin e verës, rusët po bëjnë gati trupat, ndërsa Kievi ka hartuar planin e mbrojtjes. Ekspertë të ushtrisë thonë se një nga sfidat që ukrainasit kanë sot, është që rusët mund të zgjedhin, se ku ti angazhojnë forcat e tyre. “Është një front shumë I gjatë lufte dhe ukrainasit do duhet të jenë të përgatitur në 1300 km territor…” thotë doktor Jack Uatling, studiues nga Institutit i Shërbimeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas tij, ushtria ukrainase do të humbasë territor, por pyetja është: Sa shumë dhe cilat janë qendrat, edhe të populluara, që do të mposhten?” 2 qytete mbeten synim i pastër i Kremlinit. Duke nisur nga Khrakivi, që sipas është ekspertëve është dukshëm synimi numër 1 i Putinit. Si qyteti i dytë, më i madh i Ukrainës, vendosur fiks shumë pranë kufirit me Rusinë, Khrarkivi mbetet qëllimi kryesor për Moskës. Aktualisht mbetet nën bombardimin e raketave ruse të çdo dite, me Ukrainën që nuk ka mjaftueshëm mbrojtje ajrore të përballojë dronët apo raketat balistike, në drejtim të saj.

Ukraina tërhiqet papritur nga ratifikimi i marrëveshjes me Rusinë për lundrimin në Detin e Zi

Qëndrimi i Ukrainës, i cili papritmas u tërhoq papritur nga ratifikimi i marrëveshjes me Rusinë për lundrimin në Detin e Zi, po shkakton shqetësim.

Sipas Reuters, diskutimi po zhvillohej në Ankara, pasi negociatat u zhvilluan me ndërmjetësimin e Turqisë, me kërkesë të Kombeve të Bashkuara.

“Në minutën e fundit, Ukraina u tërhoq papritur dhe marrëveshja u rrëzua”, thanë burimet përkatëse për agjencinë.

Tre persona të tjerë konfirmuan gjithashtu këtë version të ngjarjeve, ndërsa Rusia, Ukraina dhe Turqia nuk pranuan të komentojnë. Aktualisht është e paqartë pse Ukraina u tërhoq. Burimet e Reuters thanë se nuk e dinin se çfarë çoi në atë vendim.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në shkurt se pa ndihmën e re ushtarake të SHBA-së Ukraina nuk do të ishte në gjendje të mbronte “korridorin” e Detit të Zi që shkon afër Rumanisë dhe Bullgarisë. I pyetur për koment, zëdhënësi i OKB-së Stefan Dujarric tha: “Ne mbetemi me shpresë se liria e lundrimit në Detin e Zi do të mbizotërojë”

Moska vazhdon të rekrutojë të huaj për luftën në Ukrainë

Rusia vazhdon të rekrutojë shtetas të huaj për të luftuar në Ukrainë. Ata ftohen t’i bashkohen “njësive speciale” të forcave të armatosura ruse, në këmbim të një shpërblimi të konsiderueshëm monetar dhe blerjes së një pasaporte ruse, thuhet në një raport nga Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Raporti i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes citonte një fletëpalosje në gjuhën angleze që u ofronte të huajve një pagë mujore prej 2,200 dollarë, një pagesë një herë prej 2,000 dollarë, një pasaportë ruse, kujdes mjekësor falas dhe trajnim për shërbimin ushtarak.

Londra është e bindur se kjo reklamë nuk u drejtohet ushtarëve profesionistë, por emigrantëve që më parë janë mashtruar për t’iu bashkuar ushtrisë ruse. Njëkohësisht synojnë t’i përfshijnë në njësi normale dhe jo në njësi “speciale”.

“Rusia ndoshta dëshiron të shmangë masat e mëtejshme jopopullore të rekrutimit në vend. Duke pasur parasysh humbjet e konsiderueshme, mesatarisht 913 ushtarë në ditë. Federata Ruse po eksploron mundësi të reja për të forcuar personelin e forcave të armatosura”, thotë Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Zelenskyy thirrje aleatëve të dëshmojnë për Ukrainën të njëjtin unitet që treguan për Izraelin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri të hënën thirrje aleatëve që të shfaqin të njëjtin "unitet" ndaj Ukrainës siç bënë ndaj Izraelit kur penguan sulmet ajrore iraniane ndaj Izraelit gjatë fundjavës.

“Duke mbrojtur Izraelin, bota e lirë ka treguar se një unitet i tillë jo vetëm që është i mundur, por është 100 për qind efektiv”, tha Presidenti Zelenskyy.

Në një postim në rrjetin Telegram, Presidenti Zelenskyy falenderoi aleatët që kishin dërguar më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore ukrainase , por tha se "intensiteti i sulmeve ruse kërkon unitet më të madh", të njëjtë si ajo që treguan për mbrojtjen e Izraelit. 

“E njëjta gjë është e mundur për mbrojtjen e Ukrainës nga terrori, e cila, si Izraeli, nuk është anëtare e NATO-s”, vazhdoi ai.

Ai bëri thirrje që aleatët e Ukrainës të dëshmojnë më shumë "vullnet politik", pasi Ukrainës po i mbarojnë municionet dhe ka dëshpërimisht nevojë për më shumë mbrojtje ajrore për të zmbrapsur sulmet ruse.

Presidenti Zelenskyy lëshoi thirrjen e tij të fundit për ndihmën e aleatëve, duke thënë se Rusia po shkakton "dëme të konsiderueshme" çdo ditë.

Paketa e ndihmës amerikane

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, pritet të vendosë këtë javë se si do të veprojë me projektligjin me fondet shtesë prej 95 miliardë dollarësh të Presidentit Joe Biden, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin.

Projektligji parashikon mbështetje partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit si dhe ndihmë për kufirin SHBA-Meksikë. Paketa u miratua nga Senati, por është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Reuters, The Associated Press dhe Agence France-Presse./VOA

Norvegjia i bashkohet ‘koalicionit ndërkombëtar’ për të furnizuar Ukrainën me F-16

Norvegjia i është bashkuar ‘koalicionit ndërkombëtar’ për të furnizuar Ukrainën me F-16. Vendimi u zbulua nga ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba.

“Jam i bindur se Ukraina duhet të forcojë aftësinë e saj sulmuese dhe të godasë prapa vijës së frontit, për këtë arsye ne jemi shumë të lumtur që i bashkohemi koalicionit F-16, në të cilin do të ofrojmë F-16 norvegjeze, të modernizuara dhe në gjendje të mirë”, u shpreh ministri norvegjez.

Ministri theksoi se ashtu si Danimarka dhe Holanda, Norvegjia po kontribuon në trajnimin e pilotëve ukrainas për luftëtarët F-16 të prodhimit amerikan.

I pyetur se sa avionë F-16 do të dërgojë Norvegjia, ai nuk pranoi të japë një numër të saktë, por siguroi se do të jetë “i rëndësishëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat